Liberalizmi vizave, këta janë hapat që Kosova të arrijë cakun

Politika

Liberalizmi vizave, këta janë hapat që Kosova të arrijë cakun

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 12 nëntor 2017 Në ora: 17:24
ilustrim

Ndonëse në raportin e fundit të Komisionit Evropian, për liberalizim vizash për qytetarët e Kosovës, është thënë se Kosovës i mbetet të përmbushë edhe 8 kritere, për të marrë rekomandimin për liberalizim të vizave, megjithatë një gjë tillë nuk është bërë ende.

Njohës të integrimeve evropiane, dhe njohës të çështjeve politike konsiderojnë se  përmbushja nga Kosova e kritereve të mbetura, për të marrë rekomandimin për liberalizim të vizave, do të varet nga vullneti politik. Sipas tyre, Bashkimi Evropian tani duhet të bëjë verifikimin e përmbushjes së këtyre kritereve.

Po ashtu ata vlerësojnë se, qeveritë të cilat kanë udhëhequr nga pas lufta, e posaçërisht qeveritë e pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës  ishin dashur të punojnë më shumë që të ndërtojnë dhe të zhvillojnë shtetin e Kosovës në mënyrë që qytetarët e Kosovës të gëzojnë të drejtën e tyre elementare.

Image
Avni Mazreku

Hapa që duhet të ndjekë Kosova

Avni Mazreku, profesor i të Drejtës Evropiane, ka thënë për “ Bota sot” se Kosovës i nevojiten disa hapa për të arritur në caku e duhur drejt liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Hapi i parë është, në qoftë se ka vullnet politik për t’i përmbushur kriteret nga ana e Qeverisë së Kosovës, hapi i dytë është vlerësimi i Komisionit Evropian dhe i tretë është vendimi politik në Këshillin e Bashkimit Evropian. Pra natyrisht se vendimi duhet të merret nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konfiguracionin e nivelit të ministrave të brendshëm të Bashkimit Evropian”, ka thënë Mazreku.

 Çështja e vizave është më e prekshmja për popullatën

Ndërsa analisti politik Hidajet Ahmeti konsideron se çështja e vizave është më e prekshmja për popullatën, ndërsa përparësitë që sjellë lëvizja e lirë nuk kanë çmim.

Sipas tij, çështja e liberalizimit të vizave është një gjë shumë e rëndësishme, sepse ndërlidhet me shumë çështje praktike dhe nevoja të qytetarëve të vendit tonë.

Image
Hidajet Ahmeti

“Liberalizimi e ka kuptimin që qytetarët të mos kenë regjim vizash, dhe të respektohet njëra nga të drejtat elementare të qytetarëve, e jo që të zgjidhet mirëqenia qytetare. Vetëm një drejtësi të pavarur, profesionale dhe të guximshme, Kosova do të vendosët në binarët e rrugës evropiane duke luftuar krimin e korrupsionin. Shtetet pretendete për familjen e madhe evropiane shpesh janë detyruar të marrin vendime të dhimbshme, edhe atëherë kur është dashur të japin pjesë të sovranitetit shtetëror, edhe atëherë kur krerët institucional i kanë vendosur në pranga, edhe atëherë kur janë bërë reforma të dhimbshme administrative. Prandaj, shpëtimi i Kosovës dhe dalja prej kthetrave të mafio-politikës është nga presioni ndërkombëtar dhe implementimi i MSA-së”, ka thënë Ahmeti për “ Bota sot”.

Ai konsideron se luftimi i krimit  e korrupsionit nuk behët me retorikë boshe e me mekanizma improvizues sa për t’i rehatuar militantët partiak, por luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar  behët më vullnet, pavarësi në punë, guxim dhe profesionalizëm.

“BE-ja nuk është e interesuar që brenda vetës të integroj shtete të dobëta ekonomikisht , me nivel të lartë të krimit e korrupsionit, si dhe me nivel të ulët të sigurisë, por paraprakisht  të konsolidohen si shtete dhe të të krijojnë mirëqenie për qytetarët e tyre.”, ka thënë analisti Ahmeti.

Sipas të njëjtit, qeveritë të cilat kanë udhëhequr nga pas lufta, e posaçërisht qeveritë e pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës  ishin dashur të punojnë më shumë që të ndërtojnë dhe të zhvillojnë shtetin e Kosovës në mënyrë që qytetarët e Kosovës të gëzojnë të drejtën e tyre elementare.

“Liberalizimi si shpresë dhe mundësi është përdorur si armë e fortë gjatë fushatave parazgjedhore, por praktikisht veprimet qeverive kanë qenë minimale karshi nevojave të domosdoshme që është dashur të veprojnë institucionet e Republikës së Kosovës. Edhe pse formalisht, procesi i liberalizimit të vizave  dhe procesi i integrimit evropian janë plotësisht të ndara, por praktikisht janë shumë të lidhura në mes veti”, është shprehur Ahmeti.

Ai ka nënvizuar se qytetarët të cilët do ta kenë rastin të udhëtojnë për në shtetet që janë pjesë e  Shëngenit  do ta kenë mundësinë të përballën me përvoja të reja, e në veçanti me një kulturë të avancuar dhe po ato përvoja mundë t’i sjellin në shtetin e Kosovës  e t’i ndajnë më miqtë, familjarët e shoqërinë.

“Në këtë rast qytetarët do ta kenë një pasqyrë të qartë për kulturën e mirëfilltë  që zotërojnë shtetet e BE-së,  dhe nga kjo do të ketë një  aktivizim  qytetarë në kërkesat e tyre,  gjë që do të ndikojë drejtpërdrejt  në përshpejtimin e procesit për integrime evropiane. Është imperativ që qeveria e Kosovës të përmbushë kushtet që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit e transparencës qeverisëse, por nga ana tjetër edhe vetë situata brenda BE-së duhet pasur  parasysh, dhe kjo veçanërisht në një rast si i Kosovës, shtet që ende nuk njihet nga pesë vende anëtare Spanjës, Sllovakisë, Qipros, Rumanisë dhe Greqisë”, ka përfunduar analisti politik Ahmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat