Tahiri flet për “faktet” e Bulliqit: Çdo gjë mbetet në nivel propagande e jo provash e faktesh

Politika

Tahiri flet për “faktet” e Bulliqit: Çdo gjë mbetet në nivel propagande e jo provash e faktesh

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 13 nëntor 2017 Në ora: 22:09
Ramush Tahiri

Sot për herë të parë, kryesuesi i Komisionit Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, Shpejtim Bulliqi ka raportuar para Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane lidhur për gjetjet për demarkimin e kufirit Kosovë-Mal i Zi.

Bulliqi kritikoi punën e ish Komisionit Shtetëror të udhëhequr nga Murat Meha dhe tregoi për kronologjinë e punës që kur Bulliqi është emëruar në krye të këtij komisioni.

Ai tha se kanë dalë në terren për gjetjen e fakteve të reja dhe se së shpejti, deri në fund të këtij viti, do të dalë raporti final për çështjen e Demarkacionit.

Për këtë, deputetët e Komisionit për Integrime Evropiane thanë se nuk janë prezantuar fakte të reja për këtë çështje.

Ndërsa, politologu Ramush Tahiri në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka dhënë vlerësimin e tij për këtë raportim të Komisionit për Demarkacionin.

Tahiri thotë se me ligj është i rregulluar fushëveprimi dhe kompetencat e komisionit dhe se Bulliqi nuk mund të tregojë për kompetencat e Murat Mehës.

“Janë çështje jashtë kompetencave të këtij komisioni. Fushëveprimi i komisionit shtetëror për shënimin e mirëmbajtjen e vijës kufitare të Republikës së Kosovës si komision i përhershëm është i rregulluar me Ligj si kompetencat ashtu edhe fushëveprimi. Kjo është e njëjtë edhe për komisionin Meha edhe për komisionin Bulliqi. Nuk qëndron çështja te shpjegimet terminologjike çka është demarkim, çka është shënim i vijës kufitare, çka përcaktim i kufirit shtetëror etj. Themelore është që kufiri administrativ i KSA të Kosovës bëhet kufi shtetëror dhe ratifikohet ndërmjet dy shteteve fqinje, Kosovës dhe Malit të Zi. Nuk i përket Bulliqit të tregojë kompetencat e komisionit Meha. Këtë e ka miratuar Qeveria më herët. Nëse Bulliqi është në diçka i bindur, atëherë le t’i propozojë kryeministrit Haradinaj ta hedhë poshtë raportin e komisionit Meha. Këtë le ta bëjë me shkrim. Kjo do të ishte kurajo qytetare dhe profesionale”, ka deklaruar.

Sipas Tahirit, Komisioni duhet të tregojë fakte të reja, pasi fjalët nuk kanë peshë dhe se pritjet kanë qenë që raporti të dalë brenda muajit.

“Bulliqi dhe komisioni i ri duhet të paraqesin fakte dhe të gjetura të reja. Tash nuk ka nevojë me paratë e veta si kur ishte deputet, të blejë harta e atlase dhe t’ia tregojë publikut. Këtë mund ta bëjë me paratë e shtetit të Kosovës dhe t’i qëndrojë prapa si kryetar i komisionit zyrtar. Fjalët e thëna si deri më tash nuk kanë ndonjë peshë, për dy tri fjali të shkruara e të paraqitura ose në Qeveri ose në Kuvend, përkatësisht në Komisionin parlamentar po. Derisa të behet kjo, çdo gjë mbetet në nivel propagande e jo provash e faktesh. Bulliqi edhe më herët lëvdohej që i ka faktet ndërsa tash e sa muaj ato nuk po prezantohen. Pritjet kanë qenë që brenda muajit të del raporti sepse kritikat më herët bëheshin në baza të fakteve që t’i thoshin së shpejti do të bëhen publike”, ka vlerësuar politolohu Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat