Lista me Dëshmorët e Kombit, nisin “përçarjet” e para me Qeverinë

Politika

Lista me Dëshmorët e Kombit, nisin “përçarjet” e para me Qeverinë

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 14 nëntor 2017 Në ora: 08:15
ilustrim

Qeveria e Kosovës, ka miratuar raportin me listën e numrit të Dëshmorëve të Kombit, sipas shënimeve të ofruara nga puna e Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të pjesëtarit, veteranit, invalidit dhe dëshmorit të Luftës së UÇK-së.

Sipas raportit i cili i miratua në mbledhjen e fundit të Qeverisë, numri i dëshmorëve të kombit, sipas listave aktuale është 2961.

“Është miratuar raporti me listën e numrit të Dëshmorëve të Kombit, sipas shënimeve të ofruara nga puna e Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të pjesëtarit, veteranit, invalidit dhe dëshmorit të Luftës së UÇK-së. Numri i dëshmorëve të kombit, sipas listave aktuale është 2961”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Jashari: Kah i mori Qeveria ato lista?!

Por, për kryetarin e Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve Xhavit Jashari, ky numër nuk është i madh.

Image
Xhavit Jashari

Jashari në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nuk e din se nga i ka nxjerrë Qeveria këto shifra dhe si është bërë raporti.

 Ai ka thënë se duhet të verifikohen shifrat nëpër zona me emrat përfundimtare që kanë kaluar në Komisionin për Verifikim.

“Nuk e di se nga i kanë nxjerrë ato shifra, se nga e bën atë raport. Nuk kemi ende shifra përfundimtare pas një hulumtimi që është bërë dhe mendoj se duhet me i pa shifrat, sepse nuk mund të flasim pa i parë shifrat. Ne së pari do t’i shohim shifrat nëpër zona, se kush është shpallur dëshmorë e pastaj do të flasim, sepse nuk mund të flasim pa i parë emrat përfundimtarë nëpër zona që kanë kaluar në Komisionin për Verifikim. Nuk kemi bashkëpunuar me qeverinë, por duhet të shohim raportin përfundimtar të Komisionit Verifikues prej komandantëve në varësi të komandantëve të zonave, apo nga është marrë ai raport. Megjithatë, nuk është numër i madh ai”, është shprehur Jashari për “Bota sot”.

Ish-eprori i UÇK-së: Listat u fryn

E ish-eprori i UÇK-së Naim Miftari, ka hedhur dyshimet se numri i dëshmorëve është fryrë njëjtë sikurse listat e veteranëve.

Image
Naim Miftari

Ai ka thënë se veteranët mashtrues, kanë blerë certifikatat apo ua kanë dhënë ato me qëllime politike, nga ata që “as edhe 5 minuta nuk kanë qenë trima”.

“Dëshmori është gjëja më e ngritur e një kombi që lufton për liri dhe mbijetesë. E njëjta vlen edhe për dëshmorët tanë të luftës së shenjtë të UÇK-së, por besoj se numri është fryrë, sikurse u fryn listat me veteranët mashtrues, që blen certifikatat, apo ua dhanë me qëllime politike ato, pa qenë ata “trima” as edhe 5 minuta në luftë. Kjo është vepër penalë për mashtrim, por edhe turp. Por, thotë një fjali që nga turpi nuk vdes askush”, është shprehur Miftari.

Ai në prononcimin për “Bota sot”, ka theksuar se numri i dëshmorëve do të rritet, por edhe numri i invalidëve.

“Numri i dëshmorëve është rritur, aty nuk kam dyshim, sikurse që është rritur e do të rritet prapë numri i invalidëve kinse të luftës. Mashtruesit dhe mentorët e tyre, u desh ta sillnin punën gjerë aty që i lan pa pensione edhe familjet e dëshmorëve, invalidët dhe luftëtarët e vërtetë të luftës, pasi buxheti i Kosovës, nuk do ta përballojë këtë numër jo real të tyre, ku shumica janë “luftëtarë” invalid, por edhe dëshmor të rrejshëm”, ka shtuar Naim Miftari.

Krasniqi: Të verifikohet a ka pasur keqpërdorime

Edhe sipas analistit politik Islam Krasniqi, dëshmorët kanë dhënë kontribut të madh për çlirimin e vendit. Ai ka thënë se duhet të verifikohen listat, që të shikohet nëse janë bërë keqpërdorime, sikurse me listat e veteranëve.

Image
Islam Krasniqi

Krasniqi, në prononcimin për gazetën “Bota sot”, ka theksuar se sot u njihet e drejta e veteranit, edhe atyre që luftën e kanë parë vetëm në televizion.

“Në çdo hap, ku iu është dhënë mundësia, është keqpërdorur gjithça, aty ky k pasur mundësi është plotësuar duke ia humbur vlerën të vërtetës, mirëpo te numri i dëshmorëve, nuk do të isha ndalur, sepse besoj se çdo njeri ka dhënë një kontribut për çlirimin e vendit. Për mendimin tim, dëshmorë do t’i quaja të gjithë ata që kanë kontribuuar për liri, edhe nëse një pikë ujë e ka bartur me qëllim që ta shuajë etjen për çlirimtarët, mirëpo duhet që të verifikohen të gjithë dhe të shohim  se a ka keqpërdorime. Sot shumë individëve, iu njihet e drejtja e statusit të veteranit, të cilët luftën e kanë parë vetëm në televizorë, nga perëndimi, apo nga Shqipëria. Pse të mos e gëzojnë statusin dëshmorë, ata që kanë bërë roje, kanë bërë punë krahu për t’iu krijuar kushte çlirimtarëve ta vazhdojnë veprimtarinë e tyre ushtarake”, është shprehur Islam Krasniqi.

Ndonëse gazeta ka kontaktuar me përgjegjës nga Komisioni Verifikues, nuk ka marrë ndonjë përgjigje në lidhje me këtë çështje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat