Liderët e korruptuar, Uashingtoni dërgon mesazhe të qarta

Politika

Liderët e korruptuar, Uashingtoni dërgon mesazhe të qarta

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 14 nëntor 2017 Në ora: 12:08
ilustrim

Deklarata e zëvendës ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee, i cili thotë se është e turpshme sesi udhëheqësit problematikë të Ballkanit priten ende nga kancelaritë evropiane apo në Uashington, po shihet si një mesazh dërguar qytetarëve të këtyre vendeve, për të pastruar shtetet e tyre nga qeverisja e kësaj klase politike të korruptuar dhe problematike.

Zyrtari i lartë amerikan, ka theksuar se perëndimi duhet të tregohet më i prerë ndaj udhëheqësve të akuzuar për shkelje apo korrupsion në vendet e tyre pasi që sipas tij, kur qytetet e këtyre vendeve i shohin udhëheqësit e tyre në takime të nivelit të lartë në Evropë dhe Uashington, ata nxjerrin përfundime.

Analistët politik e mirëpresin këtë kërkesë dhe sipas tyre, kjo duhet të merret seriozisht nga qytetarët e Kosovës, për të mos votuar klasën aktuale politike.

“Deklarata e Hoyt Brian Yee, është mesazh për klasën politike në Kosovë e Shqipëri për të ndryshuar kursin qeverisës, ndryshe SHBA do iu kthej shpinën. Rrjedhimisht kjo deklarate është edhe "lutje" për shqiptarët që mos t'i votojnë kriminelet”, tha për “Bota sot” analisti Faton Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, më këtë klasë politike Kosova do të mbetet pa miq ndërkombëtar.

“SHBA ka demokraci të hapur dhe lejohet edhe autokritika si kjo e Yiot Brian Yee që administrata amerikane mos të iu shtrij dorën udhëheqësve problematike e të korruptuar. Me këtë klase politike do mbesim pa miq, pa të ardhme dhe të varfër”, tha ai.

Edhe analisti Jeton Kelmendi thotë se deklarata e zyrtarit amerikan është mesazhi kryesor për qytetarët që nuk duhet të votojnë kandidatët e dyshuar për korrupsion.

“Mendoj se është një mesazh shumë i qartë, madje do të thoja mesazhi kryesor që zyrtari i SHBA-ve u dërgon qytetarëve të vendeve të Ballkanit, të cilët nuk duhet t’i votojnë”, tha Kelmendi.

Sipas tij, nevojitet edhe ndihma e institucioneve të drejtësisë në këtë drejtim.

Zogaj: Qytetarët e Kosovës janë manipuluar nga grupet kriminale

Publicisti Jeton Kelmendi, thotë se qytetarët e Kosovës janë manipuluar prej përfundimit të luftës.

“Qytetarëve të Kosovës u ka humbur udha në oborr sepse një numër bukur shumë i madh janë manipuluar nga grupet e organizuara mafioze të cilat pas luftës kanë arritur që të shpallen si çlirimtarë, dhe si të këtillë edhe ta e kanë përfituar besimin e masave të painformuara me realitetin e ndodhur. Të këtillët me votën e popullit janë bërë elita politike dhe shtetërore e Kosovës, që ia diktojnë fatin popullit të Republikës së Kosovës”, tha Zogaj për “Bota sot”.

Image
Jeton Kelmendi

Ai thotë, se zyrtari i Shtëpisë së Bardhë me këtë deklaratë ka shprehur shqetësimin e tij.

“Hoyt Brian Yee, duke qenë mirë i informuar për këtë realitet, me shumë arsye e ka shprehur brengën e tij, sepse vërtetë është e turpshme që, udhëheqësit problematik, të mirënjohur të Ballkanit, priten si heronj nëpër kancelaritë më të larta botërore në Uashington, e kudo nëpër Evropë”, tha ai.

“Është e çuditshme por ja që është e vërtetë dhe, deklarata e Hyot-it, sipas meje është mesazhi i parë i fuqishëm që ua tërheq vërejtjen kancelarive botërore që të heqin dorë nga "problematikët e Ballkanit" e njëkohësisht, për t'ua bërë me dije shqiptarëve që të kthjellen dhe ta kuptojnë se, duhet ta pastrojnë klasën aktuale politike të Kosovës, e cila është bërë buçillë e ujërave të zeza! Qytetarët e Kosovës duhet të kryejnë vet detyrat e shtëpisë”, shtoi Zogaj.

Uashingtoni po dërgon mesazhe të qarta

Nga ana tjetër, profesori universitar Mazllum Baraliu thotë se tanimë SHBA-të po dërgojnë mesazhe të qarta.

“Është për tu vlerësuar kjo deklarata e përfaqësuesit të qeverisë amerikane për vendet e Ballkanit Perëndimor”, thotë Baraliu për “Bota sot”.

Ai thotë, se kohët e fundit janë shpejtuar deklarata të tilla nga ana e SHBA-ve.

Image
Mazllum Baraliu

“Në Tiranë, ambasadori i shteteve të Bashkuara qartas dha mesazhet e tij para do ditëve, po ashtu në Maqedoni dhe në Shqipëri. Kjo tregon për mos punën e duhur të strukturave politike me rrugën e tyre të gabuar sa i përket orientimit të qeverisë më duar të pastra”, tha ai.

Sipas tij, kjo është arsyeja pse nuk pati asnjë deklarim nga ana e zyrtarëve të qeverisë së Kosovës.

“Natyrisht që askujt nuk i konvenon në qoftë se flitet për çështje aq të ndjeshme dhe aq të rëndësishme, siç është mungesa intensive, permanente dhe efektive e institucioneve në luftën e tyre anti krim dhe korrupsion dhe kjo nuk po bëhet sa duhet me efektet e duhura dhe me intensitetin e duhur në Kosovë”.

Ai thotë se qeveritarët duhet të ndihen keq me shqetësimet e Uashingtonit.

“Atëherë që padyshim se ata do të duhej të ndiheshin keq se sa të heshtnin, por që të punojnë më shumë të japin nga vetvetja maksimumin e duhur, të bëjnë reformat e duhura, të mos fusin njerëz në vazhdimësi nëpër hallkat institucionale të cilët nuk e kanë punën mirë me ligjin, por kanë konflikt me ligjin dhe kanë thjesht të bëjnë me veprime të ndryshme korruptive”, shtoi Baraliu.

Kërkesa e Hoyt Brian Yee është plotësisht legjitime

Legjitime kërkesën e zyrtarit amerikan po e sheh është avokati, Adrian Gjoshi.

Image
Adrian Gjoshi

“Shqetësimi dhe kërkesa e Yee është plotësisht legjitime. Ballkani Perëndimor vazhdon të mos ketë përfaqësues të denjë në institucione ndërkombëtare dhe regjionale. Folur përgjithësisht, vlerësoj se bojkotimi institucional dhe social i "politikanëve të papërshtatshëm", është domosdoshmëri për shtetet që duan ta përmirësojnë fytyrën e jashtme - që duan ta përmirësojnë imazhin si shtet”, tha Gjoshi për “Bota sot”.

Ai thotë se politikanët e rajonit po mendojnë të përfitojnë politikisht nga konferencat ndërkombëtare.

“Pra, në njërën anë populli dhe gjykatat japin gjykime për figura të caktuara, e në anën tjetër, këto figura tentojnë të "rehabilitohen politikisht" duke marr pjesë në forme publike, diskutime dhe konferenca të rëndësishme ndërkombëtare e rajonale”.

“Kjo praktike do të shfrytëzohet derisa të ekzistoje mendësia se, të fotografohesh me një figurë të fuqishme politike nënkupton edhe të pranohesh e të afrohesh me të dhe shtetin që përfaqëson”, shtoi Gjoshi.

Nga ana tjetër, analisti Jeton Kelmendi thotë se njëra ndër arsyet e izolimit të krerëve të shtetit të Kosovës është se ata kanë probleme me drejtësinë.

“Realisht deklarata e zyrtarit të lartë të Departamentit të Shtetit në Beograd edhe në Prishtinë, se është e papranueshme takimi që u bëhet zyrtarëve të Ballkanit në Uashington dhe në Bruksel, mendoj se është një mesazh i qartë se shumicë e krerëve të institucioneve dhe disa vende të Ballkanit kanë problem thelbësore me drejtësinë. Realisht kjo është edhe në mesazh i qartë. Në Kosovë e kemi rastin që kreu i qeverisë akoma nuk ka bërë as edhe të vetmen vizitë me përjashtim të Tiranës dhe kësisoj mendoj se mazhi i tillë ka filluar të zbatohet”, tha Kelmendi.

Ndryshe, kohëve të fundit krerët e tri institucioneve të shtetit të Kosovës nuk kanë bërë ndonjë vizitë në shtetet e Bashkimit Evropian apo në SHBA.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat