Korab Sejdiu ka një porosi për deputetët e Kuvendit

Politika

Korab Sejdiu ka një porosi për deputetët e Kuvendit

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 15 nëntor 2017 Në ora: 16:56
Korab Sejdiu

Kuvendi i Republikës së Kosovës, që nga konstituimi i tij, ka mbajtur vetëm katër seanca plenare.

Në lidhje me këtë, ka pasur shumë kritika nga bashkësia ndërkombëtare dhe përfaqësues të shoqërisë ligjore, sipas së cilëve, Kuvendi duhet të mblidhen më shpesh.

Si arsye e mos mbajtjes së seancave plenare, është përmendur edhe fushata për zgjedhjet lokale, ku deputetët kanë lënë anash punën e tyre për obligimet ndaj partisë.

Edhe sipas deputetit të pavarur Korab Sejdiu, Kuvendi duhet të mblidhet më shpesh, pavarësisht angazhimeve elektorale të deputetëve. Megjithatë, duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Sejdiu ka vlerësuar se ka shumë deputetë, të cilët po angazhohen maksimalisht individualisht në kryerjen e detyrave që kanë marrë përsipër si deputet.

“Të gjithë ne kemi marrë një përgjegjësi shumë të rëndësishme në momentin që kemi pranuar pozitën e deputetit. Rrjedhimisht, kemi për obligim që të angazhohemi maksimalisht në kryerjen e detyrave tona me përgjegjësi të plotë. Kjo deri diku po bëhet në mbledhjet e Komisioneve të ndryshme, që mbahen relativisht me rregull. Plus, ka shumë prej neve deputetëve që në nivel individiual po mundohemi të punojmë maksimalisht në kryerjen e obligimeve që kemi marrë përsipër kur jemi bërë deputet. Por, fatkeqësisht po mungon edhe mbajtja e seancave plenare të Kuvendit, me ç’rast vonohet trajtimi i çështjeve të cilat kërkojnë adresim nga i tërë Kuvendi. Prandaj, është përgjegjësi e Kuvendit që të mblidhet më shpesh, pavarësisht angazhimeve elektorale të deputetëve”, është shprehur deputeti Sejdiu.

Sipas Sejdiu, periudha e tanishme do të duhej që të ishte intensive sa i përket seancave të Kuvendit, për shkak të çështjeve jetike, për të cilat duhet të adresohen.

“Është e nevojshme që Kuvendi të takohet aq shpesh sa ka çështje për të adresuar. Në rastin tonë, besoj që veçanërisht në këtë kohë, është jetike që të mblidhemi më shpesh, sepse ka shumë punë që janë duke ardh si çështje të trashëguara nga legjislatura e kaluar, përpos atyre që po arrijnë sipas orarit të rregullt. Prandaj, kjo periudhë do të duhej të ishte gogja intensive sa i përket seancave të Kuvendit, por me gjasë po ndodhë e kundërta. Besoj, është më se e qartë se kjo situatë po shkaktohet nga përfshirja e drejtpërdrejtë ose e tërthortë e deputetëve në fushatat elektorale për zgjedhjet lokale. Dhe pastaj, po rezulton në mungesë të kryerjes së plotë të obligimeve që ne i kemi si Kuvend”, ka theksuar deputeti Korab Sejdiu.

Ai shpreson që Kuvendi t’i kthehet normalitetit pas përfundimit të balotazhit që do të mbahet më 19 nëntor.

“Shpresoj që me kryerjen e balotazhit, Kuvendi t’i kthehet punës dhe të vazhdojmë me orar intensiv, me qëllim që të kompensojmë edhe kohën e humbur”, ka përfunduar Sejdiu për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat