Koalicionet për balotazh që “fshinë” vijat e kuqe mes partive!

Politika

Koalicionet për balotazh që “fshinë” vijat e kuqe mes partive!

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 17 nëntor 2017 Në ora: 09:07
ilustrim

Rezultatet e zgjedhjeve të 22 tetorit nxorën parti të parë në vend Lidhjen Demokratike të Kosovës. Këto zgjedhje po ashtu dërguan në balotazh shumë prej komuna, për të cilat qytetarët do të votojnë me 19 nëntor, për të përcaktuar fituesin për një mandat katërvjeçar.

E sa i përket balotazheve ku garojnë nga dy parti, nuk munguan as koalicionet në disa prej komunave.

Në komunën e Prishtinës, Lëvizja Vetëvendosje bëri koalicion me AKR-në e më pas LDK me AAK-në.

Koalicion u arrit edhe në Gjakovë, ku VV, LDK dhe AKR u bashkuan me Mimoza Kusari-Lilën nga Alternativa.

Koalicion nënshkruan edhe LDK-PDK dhe AKR në komunën e Kamenicës.

Ndërsa Agim Bahtiri nga AKR që është në koalicion me PDK-në në Mitrovicë, nënshkroi koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

E një koalicion u nënshkrua edhe në komunën e Prizren, nga PDK dhe AAK.

Por, pse po bëhen këto koalicione parazgjedhore kur tashmë këto komuna kanë shkuar në balotazh?

Image
Artan Murati

Murati: Partitë përkrahin subjektet që tentojnë ta marrin pushtetin, jo ato që janë në pushtet

Hulumtuesi i lartë në KDI, Artan Murati në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se pothuajse në çdo komunë ku ka balotazh, ka edhe koalicione dhe se është vërejtur se partitë nuk kanë fare vija të kuqe për njëra tjetrën.

“Zgjedhjet lokale të këtij viti po tregojnë një nivel goxha të lartë të decentralizimit sa i përket vendimmarrjes nga degët e subjekteve politike në vend. Pothuajse në të gjitha komunat ku ka balotazh ka edhe koalicione, dhe këto koalicione variojnë nga komuna në komunë. Ajo që vihet re më së shumti në këto zgjedhje është fakti se subjektet politike nuk kanë pothuajse fare vija të kuqe mes vete sa u përket koalicioneve. Në shumicën e rasteve, nëse koalicioni nuk është zyrtarizuar, ka tendenca që të përkrahen subjektet që synojnë ta marrin pushtetin, jo ato që janë në pushtet”, është shprehur Murati.

Sipas tij, partitë që nuk janë futur në balotazh i vihen në ndihmë partive që synojnë të ndryshojnë pushtetin aktual, megjithatë ai thotë se qytetarët nuk ndikohen nga koalicione të tilla.

“Ndonëse mund të ketë përjashtime, po vërehet që subjektet të cilat nuk kanë arritur të futen në balotazh kryesisht tentojnë t'i bashkojnë forcat me subjektet që kërkojnë të ndryshojnë pushtetin aktual. Megjithatë, një koalicion assesi nuk mund të përkthehet si përkrahje e mirëqenë, pasi që shpeshherë elektorati nuk u binden shumë koalicioneve apo preferencave partiake, por votojnë sipas bindjes tyre të lirë”, ka deklaruar hulumtuesi Artan Murati nga KDI për gazetën “Bota sot”.

Image
Rexhep Shahu

Shahu: Koalicionet imoralitet politik, biznes i mirëfilltë

Ndërsa, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Rexhep Shahu, koalicionet e tilla i quan imoralitet politik dhe se bëhen për biznes, por që nuk mund të fitojnë simpatinë e njerëzve.

“Koalicionet e panatyrshme që po bëhen, janë imoralitet politik, pragmatizëm për karrige pushteti, para se të jenë politike, janë biznes i mirëfilltë. Partitë dhe kandidatët mund të fitojnë çdo gjë, por jo simpatinë reale të njerëzve”, është shprehur Shahu për gazetën “Bota sot”.

Image
Leon Duhanaj

Duhanaj: Koalicione për interesa klanore dhe inate politike

Në anën tjetër, analisti politik Leon Duhanaj mendon se koalicionet e tilla nuk janë bërë për shkak të programeve, por për shkak të interesave klanore dhe inateve politike.

“Marrëveshjet mbi koalicionet e ndryshme në Kosovë, qoftë ato në nivel qendror, apo dhe lokal nuk kanë thuaja të bëjnë asgjë me parimet bazë të rregullave të lojës politike. Krejt ajo çfarë ndodhë tek ne nuk është asgjë më shumë, as me pak, se sa një maskaradë, e cila është krejtësisht në shërbim të kauzave të shpifura, interesave të klaneve dhe individëve dhe inateve politike. Asnjëra palë nuk kanë në mendje ndonjë kombinim programor në interes të komunës përkatëse gjegjësisht qytetarëve, por pazaret për pushtet”, ka deklaruar Duhanaj.

Ai shpreson se populli është vetëdijesuar dhe se nuk do të ndikohet nga lidhja e koalicioneve nëpër komuna, por që do të votojë sipas bindjes që ka.

“Vërtet nganjëherë mendoj që Kosova është shndërruar në një lloj laboratori, ku ata që nga afër përcjellin zhvillimet politike tek ne mund të shkruajnë edhe libra, duke i dhënë shembullin tonë botës, ja kjo është mënyra si nuk bëhet. Thonë që çdo popull meriton qeverisjen që ka dhe me këtë rast, nuk do duhej fajësuar politika, sepse janë brum i yni. Por, kur analizojmë atë, ato mundësi çfarë dhe si i servohen gjërat këtij populli, atëherë, lirisht mund ta themi që jemi për dhimbjen e çdokujt (për gjynah). Megjithatë, shpresoj shumë, që ky popull ka filluar të këndellët dhe do ta votojë atë që ua beson, se më aftësitë e tyre ua përmirëson jetën për të mirë. Jam i bindur qe, shumica e qytetarëve nuk do të ndikohet nga lidhja e koalicioneve dhe do të votojnë për bazuar në bindjet e tyre”, ka vlerësuar Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë do të mbahet me 19 nëntor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat