“Haradinaj të kërkojë falje dhe të dorëhiqet për kauzën e rrejshme që e solli në pushtet”

Politika

“Haradinaj të kërkojë falje dhe të dorëhiqet për kauzën e rrejshme që e solli në pushtet”

Nga: Arbnore Zhushi Më: 18 nëntor 2017 Në ora: 21:50
Ramush Haradinaj

Ramush Haradinaj ishte ndër kundërshtarët më të mëdhenj të Marrëveshjes për Demarkimin e Kufirit me Malin e Zi, sa ishte në opozitë.

Ai kishte kundërshtuar ashpër këtë marrëveshje, madje në raportimin para Komisionit për Punë të Jashtme në vitin 2015, ai e kishte ofenduar rëndë edhe kryetarin e Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Kufirit, Murat Mehën, duke ia gjuajtur hartën dhe duke e quajtur “peder”.

E Demarkacioni mbetet një ndër çështjet më të vështira për Haradinajn, edhe tani që ka marrë postin e Kryeministrit të vendit.

Derisa ai po këmbëngul që Kulla dhe Çakorri, të mbeten brenda Kosovës, në adresë të Qeverisë së drejtuar nga ai po vijnë shumë kritika nga presidenti Hashim Thaçi dhe miqtë ndërkombëtarë të Kosovës.

Në partinë e tij, AAK, vazhdojnë të përsërisin se Komisioni i ri në krye me Shpejtim Bulliqin, do të prezantojë fakte të reja për kufirin.

AAK: Po presim faktet nga Komisioni i ri

Anton Berisha, anëtar i kësaj partie, duke folur në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Qeveria pas prezantimit të fakteve, do të marrë hapat konkret.

Image
Anton Berisha

“Shteti i Kosovës, jo vetëm që ka të drejtë, por edhe detyrë që të verifikojë punën e çdo institucioni rrjedhimisht edhe të një komisioni. Tash është koha që Komisioni i ri të mbledhë dhe prezantojë të gjitha faktet, dhe konform tyre do të marrim hapat konkret. Në këtë fazë, nuk ka asnjë arsye të paragjykojmë situatën”, ka deklaruar Berisha.

Ndërkohë, analistët e çështjeve politike, vlerësojnë se çështja e Demarkacionit, duhet të kryehet sa më shpejtë, pasi vendi, përpos izolimit, rrezikon edhe prishjen e miqësisë me bashkësinë ndërkombëtare.

Ata kanë thënë se në rast se miratohet Marrëveshja në versionin aktual, Haradinaj duhet të kërkojë falje qytetarëve dhe duhet të ofrojë dorëheqjen e tij.

Haziri: Haradinaj dhe Veseli të dorëhiqen për kauzën e rrejshme

Sipas analistit politik Nexhat Haziri, vendit ia shkaktuan dëme të mëdha, në emër të një kauze të rrejshme. Për këtë, siç ka thënë Haziri, kryeministri Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli, do të duhej të kërkonin falje dhe të dorëhiqeshin, për shkak se “vendin e kanë sjellë në një gjendje të pashpresë”.

Image
Nexhat Haziri

“Nuk mendoj se kjo mund apo duhet të kaloj vetëm me një kërkim falje kjo, pasi në emër të një kauze të rrejshme politike, vendit i shkaktuan shumë dëme si në proceset e brendshme, po ashtu edhe në ato të integrimeve euro-atlantike. Kjo do të thotë se krahas kërkim faljes, kryeministri Haradinaj duhet të ofrojë dorëheqje. Një veprim të njëjtë do të duhej ta bënte edhe Kadri Veseli si kryetar i Kuvendit, pasi ai dhe partia e tij PDK-ja, ishin pjesë apo edhe hartues të skenarit për krizën politike në vend që me rrëzimin e Qeverisë Mustafa, pjesë e sa cilës ishte edhe PDK-ja, krizë kjo që është aktuale edhe sot dhe që e ka sjellë vendin në një gjendje të pashpresë”, është shprehur Haziri në prononcimin për “Bota sot”.

Krasniqi: As miratimi i Demarkacionit, nuk i sjellë vizat

Edhe sipas publicistit Faik Krasniqi, nëse Komisioni i ri nuk ka fakte të reja për Demarkacionin, Qeveria duhet të dërgojë atë në Kuvend për ta miratuar.

Por, sipas Krasniqit, as miratimi i Demarkacionit, nuk sjellë liberalizim të vizave për qytetarët.

Image
Faik Krasniqi

“Nëse Komisioni i ri del me raporte se ka të gjetura lidhur me demarkimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, që humbim territor me versionin e vjetër, atëherë Malit të Zi duhet t’i kërkohet rinegocim për t’i përmirësuar gabimet e bëra të Komisionit të mëhershëm, dhe Kosova s'ka pse të sakrifikojë territor për hir të liberalizimit të vizave. Por nëse ky Komision nuk ka të gjetura, atëherë Qeveria e Kosovës duhet ta dërgojë në Kuvend, në mënyrë që deputetët e Kuvendit ta ratifikojnë Demarkacionin. Edhe pse dyshoj që ratifikimi i Demarkacionit do të na sjellë liberalizimin e vizave”, është shprehur Krasniqi.

Ai ka thënë se Haradinaj do të dorëhiqet nëse del se nuk ka asgjë të vërtetë rreth Demarkacionit, derisa anëtarët e vjetër dhe ata të rinj, duhet të japin përgjegjësi penale për gabime dhe për zhurmë.

 “Edhe anëtarët e Komisionit të vjetër ose Komisionit të ri duhet të japin përgjegjësi penale, nëse të parët kanë bërë gabime ose nëse të dytët kanë bërë zhurmë të panevojshme. Dhe jam shumë i bindur që kryeministri Haradinaj do të dorëhiqet nëse nuk ka asgjë të vërtetë rreth kësaj çështje, por mua personalisht asgjë nuk më bind që Kosova nuk humb territor në versionin e tjetër. Prandaj, ta presim raportin zyrtar të Komisionit të ri”, ka thënë për “Bota sot”, Faik Krasniqi.

Mehmeti: Demarkacioni do ta rrëzojë Haradinajn

Ndërsa, analisti tjetër Faton Mehmeti, konsideron se Haradinaj është në hall, pasi Demarkacionin e ka shfrytëzuar si pretekst për të ardhur në pushtet.

Ai beson se kryeministri do ta dërgojë Demarkacionin në Arbitrazh, si mënyrë shfajësimi, “duke ia hedhur pataten dikujt tjetër”.

Image
Faton Mehmeti

“Nuk ka dyshim se Ramushi është në hall, në një kurth të cilin e ka ngritur vetë. Dikur e shfrytëzoi demarkacionin si pretekst për të ardhur në pushtet, tani që erdhi s’po di çfarë të bëjë me të. Besoj se Ramushi do ta drëgojë në Arbitrazh Demarkacionin, si mënyrë shfajësimi, duke ia hedhur pataten dikujt tjetër”, ka thënë Mehmeti.

Ai ka theksuar se Haradinaj nuk do të pranojë se kufiri ishte në Çakorr, duke shprehur bindjen se Demarkacioni do ta rrëzojë Qeverinë e tij.

“Nuk besoj se ka guxim Ramushi për të pranuar se kufiri s’do jetë asnjëherë në Çakorr. Është gabim fatal që Ramushi dështimin e Thaçit e mori mbi vete, për t'i dhënë vetes vulën e dështakut të  pandreqshëm në politikë. Në këtë sens, vlerësoj se Demarkacioni ashtu siç e solli në pushtet Ramushin, po ashtu edhe do ta rrëzojë”, ka shtuar Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat