Ramush Haradinaj përjeton sukseset e Isa Mustafës! - Bota Sot
Ramush Haradinaj përjeton sukseset e Isa Mustafës!

Politika

E diel, 17 dhjetor 2017

Ramush Haradinaj përjeton sukseset e Isa Mustafës!

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 22 nëntor 2017 Në ora: 17:14
Ramush Haradinaj dhe Isa Mustafa

Sukseset e Qeverisë së Isa Mustafës, po i përjeton  Qeveria PANA-Lista serbe, në krye me Ramush Haradinaj.

Kështu kanë vlerësuar deputetë të pozitës dhe opozitës, kur janë pyetur për raportin e ri të Bankës Botërore, sipas së cilit, Kosova ka shënuar rritjen më të madhe nga vendet e rajonit.

Sipas këtij raporti, të publikuar të enjten në Prishtinë, rritja ekonomike në Kosovë këtë vit pritet të arrijë në 4.4 për qind, kurse në dy vitet e ardhshme kjo rritje pritet të arrijë në 4.8 për qind.

Ekonomisti i Bankës Botërore në Prishtinë Agim Demukaj, ka bërë të ditur se trendi i rritjes ekonomike në Kosovë, ka treguar performancë më të mirë sesa vendet e rajonit, duke theksuar se në këtë rritje ka ndikuar investimet, konsumi dhe eksporti.

AAK e pranon suksesin e Mustafës

Image
Time Kadrijaj

E në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, e kanë pranuar se ky sukses, është meritë edhe e Qeverisjes së kaluar të ish-kryeministrit Isa Mustafa.

Duke komentuar rezultatin e këtij raporti në një prononcim për gazetën “Bota sot”, deputetja e kësaj partie Time Kadrijaj, ka thënë se rritja mbi 4 për qind, është një arritje e Kosovës, gjegjësisht e institucioneve, të cilat sipas saj, po punojnë në këtë drejtim.

Ajo ka thënë se shpreson që suksese të tilla të vazhdojnë edhe në të ardhmen dhe se çdo e arritur duhet të përshëndetet.

“Rritja ekonomike është një sukses dhe ky sukses duhet të bëhet publike. Ajo që është thënë që Kosova ka rritje ekonomike mbi 4 për qind mendoj se është arritje e Kosovës dhe e institucioneve, të cilat po punojnë dhe atë po bëjnë do të jetë një arritje e madhe. Ne shpresojmë që Qeveria të vazhdojë me suksese të tilla të njëpasnjëshme, që qytetarët të ndahen të kënaqur me një qeverisje të mirë siç ka qenë deri sot. Çdo e arritur duhet të përshëndetet”, është shprehur deputetja Kadrijaj.

Deputetja e AAK-së, e cila është në koalicion qeverisës me PDK-në, Nismën, AKR-në dhe Listën serbe, ka pranuar se megjithatë, meritor për këtë sukses, është qeveria e Isa Mustafës.

“Rritja ekonomike është ndikuar edhe nga qeveria e kaluar, duke vazhduar me sukses edhe nga kjo qeverisje, është një e arritur e Kosovës. Atributet nuk janë individuale, por janë kolektive, por edhe ashtu duhet t’i marrim”, ka pohuar Time Kadrijaj për “Bota sot”.

LDK: Haradinaj s’ka kapacitet për rritje ekonomike

Image
Bajram Gecaj

Edhe në partinë e ish-kryeministrit Mustafa, LDK, kanë thënë se rritja ekonomike është rezultat i Qeverisë së tij.

Bajram Gecaj, anëtar i kësaj partie, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Qeveria e re nuk ka kohë dhe as kapacitet që të bëjë një gjë të tillë.

“Rritja është padiskutueshëm rezultat i Qeverisë Mustafa, pasi që qeveria e re as nuk ka pasur kohë, por as që ka kapacitet ta bëjë një gjë të tillë”, është shprehur Gecaj.

Stabiliteti ekonomik, meritë e ish-qeverisë

Ndërsa, sipas analistit politik Leon Duhanaj, qeverisjen Mustafa, e kanë karakterizuar elemente dalluese si stabiliteti fiskal dhe politika financiare, që kanë ndikuar për një qëndrueshmëri ekonomike.

Image
Leon Duhanaj

“Pa dyshim që Qeveria Mustafa, edhe pse e shkurtër dhe me turbulenca të mëdha, shpeshherë e akuzuar për mungesë dinamike dhe efektiviteti. Kishte një gjë, për të cilën megjithatë shumica janë dakorduar. Stabiliteti fiskal, politika financiare, ishin elemente dalluese të qeverisjes Mustafa. Kjo qeveri arriti t'i drejtojë kornizat për një stabilitet dhe ngritje të qëndrueshme ekonomike”, ka thënë Duhanaj.

Ai ka theksuar se meritat për këtë sukses, nuk mund t’i jepen qeverisë Haradinaj, pasi nuk ka treguar ndonjë aktivitet konkret.

Megjithatë, sipas tij, ajo mund të ketë ndikimin e saj në percepsionin ekonomik.

“Tani qeveria Haradinaj, nuk mund të identifikohet me këtë trend në rritje. Meritat nuk mund t'i shkruhen kësaj qeverie, pasi që endë është në fillet e saj dhe ende nuk ka ndonjë aktivitet konkret. Megjithatë, edhe kjo qeveri ka ndikimet e saj në percepcionin ekonomik. Pasi që fryma e treguar në fillim, mund të ketë ndikimet e veta, si në aspektin pozitiv, ashtu dhe në atë negativ”, ka shtuar Leon Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test