“Politika nuk do të ketë ndikim”, Trendafilova mesazhe Thaçit e Veselit

Politika

“Politika nuk do të ketë ndikim”, Trendafilova mesazhe Thaçit e Veselit

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 23 nëntor 2017 Në ora: 22:24
Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjykatësja Ekaterina Trendafilova

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjykatësja Ekaterina Trendafilova, sot ka qëndruar për vizitë në Kosovë, ku tha se ende nuk ka ndonjë aktakuzë dhe se cak i gjykatës nuk janë organizatat, por individë të cilët kanë kryer krime gjatë dhe pas luftës.

Ajo tha se ligji është shumë i qartë dhe flet për përgjegjësi individuale të kujtdo që ka kryer krime brenda territorit.

 “Dhomat e specializuara janë themeluar për të adresuar pretendimet për krime kundër njerëzimit, po ashtu dhe krimet e luftës, duke siguruar gjykime të drejta dhe të paanshme. Mandati i dhomave të specializuara, është që të ndiqen dhe të gjykohen rastet kundër individëve dhe jo kundër organizatave, dhe entiteteve. E treta, dhomat e specializuara përpiqen për efikasitet, transparencë dhe për paanshmëri”, tha ajo.

Ndërsa shtoi, se qëllimi i tyre është që dhomat e specializuara, të shihen si dritë e pavarësisë, në të cilat nuk ka ndërhyrje nga politika.

 “Do të donim të siguronim që dhomat e specializuara të shihen si drite e pavarësisë, e  paanshmërisë dhe drejtësisë, dhe nuk do të këtë ndërhyrje politike. Gjyqësori nuk shkon së bashku me politikën. Pra, nëse dikush mendon se kjo mund të arrihet, gjyqtarët e dhomave të specializuara nuk janë adresa e duhur për këtë. Dhe do të jemi mbrojtje për sigurinë e dëshmitarëve dhe viktimave. Për të drejta fundamentale të akuzuarve”, tha ajo dhe shtoi se përkundër raportimeve në media të ndryshme, ende nuk ka aktakuza.

Lidhur me deklaratat e kryetares së Gjykatës Speciale, analisti Faton Mehmeti në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se ajo ka dashur ta zbusë situatën para arrestimeve.

Image
Faton Mehmeti

“Deklarata e sotme e zonjës Trendafilova duhet lexuar si përpjekje e saj për të zbutur situatën në prag të arrestimeve, duke u munduar t’i shmanget paqartësive se gjoja me arrestimet e ish komandantëve do të gjykohet vet UÇK. Kryetarja e Gjykatës Speciale ishte shumë e qetë në deklarimet e saja, një qetësi përpara stuhisë”, është shprehur ai.

Sipas tij, ajo i ka dhënë mesazh Thaçit e Veselit se politika nuk mund të ketë ndikim në këtë Gjykatë.

“Trendafilova me mesazhin e saj se "politika nuk do të ketë ndikim" i dërgoi sinjale Hashimit dhe Kadriut, të cilët kanë përdorur pozitat shtetërore për amnisti dhe bërje presioni Gjykatës Speciale. Këto mesazhe janë pikërisht për këta të dy dhe kjo nuk i ka pëlqyer Hashimit. Gjithsesi është vështirë të mendosh se politika s’do të mund të ketë ndikim, do të ishte fat i madh për Kosovën nëse politika s’do të mund të depërtonte tek Gjykata Speciale, se nëse kjo ndodh atëherë as Thaçi dhe as Veseli nuk do të arrestohen, duke i bere “kurban” disa individë me përgjegjësi më të vogël, e të cilët thirren në emër të shoqërisë me Thaçin. Gjykata Speciale po pret të nis punën, me ide të qarta, por si do të përfundojë do e vlerësojë koha”, ka deklaruar Mehmeti për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat