Zyrtarja e Pentagonit përcjellë mesazhin e fortë të SHBA-së, tri arsyet e vizitës së Cooper

Politika

Zyrtarja e Pentagonit përcjellë mesazhin e fortë të SHBA-së, tri arsyet e vizitës së Cooper

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 28 nëntor 2017 Në ora: 08:24
Laura Cooper

Zëvendës-ndihmës Sekretarja e Mbrojtjes së SHBA-së, Laura Cooper, po qëndron në një vizitë në Kosovë. Ajo gjatë ditës së djeshme është takuar me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa sot do të vazhdojë takimet me zyrtarët tjerë në Kosovë.

Sipas analistëve politikë, demarkacioni, vazhdimi i dialogut me Serbinë dhe Gjykata Speciale janë tri arsyet e vizitës së zyrtares së lartë të Pentagonit në Kosovë, Laura Cooper.

Ata thonë se zyrtarja amerikane do të përcjell mesazhin e fortë të administratës amerikane për këtë tri çështje.

Image
Nexhat Haziri

“Vizita zyrtares së lartë amerikane në Kosovë mendoj se përpos që konfirmon fuqishëm përkrahjen Amerikane për Kosovën, sjellë me vete edhe mesazhin e qartë të administratës amerikane për obligimet që i kanë institucionet e Kosovës dhe përmbushjen e tyre, siç janë demarkimi i kufirit me Malin e Zi, vazhdimi i dialogut me Serbinë, natyrisht se në këtë pikë Cooper do i siguroj liderët shtetëror për mbështetjen amerikane në këtë proces, si dhe do të kërkoj nga liderët shtetëror garanci që pas ngritjes së aktakuzave nga Gjykata speciale të mos ketë destabilizim të gjendjes në Kosovë”, ka thënë analisti Nexhat Haziri.

Arsye Gjykata Speciale

Nga ana tjetër, analisti politik Jeton Kelmendi, thotë se njëra ndër temat kryesor në mes së zyrtares së SHBA-së, do të jetë çështja e ngritjes së aktakuzave nga ana e Gjykatës Speciale.

Image
Jeton Kelmendi

“Mendoj se vizita e zonjës Cooper në Kosovë paraqet një mesazh të qartë për zyrtarët e institucioneve të Kosovës, sepse ajo po vjen në kohën kur ka filluar të lëkundet gjithçka nga Gjykata Speciale duke filluar nga presidenti i vendit, qeveria dhe institucionet e tjera, sepse të akuzuarit potencial mund të jenë të gjithë zyrtarët më të lartë të shtetit”, është shprehur për “Bota sot”, analisti Jeton Kelmendi.

Kelmendi shtoi se Gjykata Speciale i ka dridhur zyrtarët e lartë të institucioneve, prandaj edhe vizita e saj nga pentagoni tregon se Amerika e mbështet Kosovën pavarësisht individëve që eventualisht mund të akuzohen nga Gjykata Speciale.

Image
Faton Mehmeti

 

Akuzat ndaj “peshqve të mëdhenj”

Se Cooper ka ardhë për Gjykatën Speciale e thekson edhe analisti, Faton Mehmeti.

“Vizita e zyrtarës së lartë të Pentgonit ka të bëjë me situatën aktuale në Kosovë, e cila ndodhet në një qetësi përpara stuhisë. Kjo për faktin se Gjykata Speciale në fillim të janarit do të fillojë me punën e saj, ku ndër të akuzuarit përmenden edhe " peshqit e mëdhenj", të cilët janë bartës të institucioneve”, thotë Mehmeti.

Ai shtoi se zyrtarja Laura Cooper përcjell mesazhin e SHBA-së se Kosova duhet të tejkaloj këtë sfidë dhe të gjithë ata që nxisin trazira s’do të mbështeten nga SHBA-të.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat