“Rivalet dhëmbërënë ende tmerrohen nga Rugova, nuk i bëjnë homazhe nga frika e turpit prej tij”

Politika

“Rivalet dhëmbërënë ende tmerrohen nga Rugova, nuk i bëjnë homazhe nga frika e turpit prej tij”

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 2 dhjetor 2017 Në ora: 13:04
Ibrahim Rugova

Përpos datës së 28 nëntorit dhe 17 shkurtit, shqiptarët nga të gjitha trojet etnike kanë edhe një ditë tjetër të madhe për të festuar. E kjo ditë është 2 dhjetori, ditëlindja e Presidentit historik, Ibrahim Rugova.

Historian, shkrimtarë dhe personalitete të ndryshme e vlerësojnë shumë personalitetin e Presidentit historik, Ibrahim Rugova, për punën e palodhshme që ai e bëri për popullin e Kosovës.

Ata thonë se falë meritave të ish-presidentit, bota e civilizuar u vu në anën e shqiptarëve dhe kjo rezultoi me intervenimin e NATO-s si dhe me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Rugova i priu lëvizjes kombëtare e cila çoi në pavarësinë e Kosovës

Image
Jusuf Buxhovi

Kurse, historiani Jusuf Buxhovi, thotë se presidenti Rugova i priu lëvizjes kombëtare që çoi në pavarësinë e Kosovës.

"Dr. Ibrahim Rugova tashmë e ka vendin e sigurt në altarin e shtetndërtimit të Kosovës jo vetëm si presidenti i parë historik, i legjitimuar  në zgjedhjet e para të vitit 1992 dhe i rikonfirmuar në ato parlamentare të vitit 2002, por pse i priu lëvizjes kombëtare e cila çoi te shteti i pavarur i Kosovës”, thotë për “Bota sot”, historiani Jusuf Buxhovi.

Për Buxhovin, roli i dr. Rugovës në këtë proces historik matet me atë se lëvizja kombëtare që e drejtoi ai kaloi nëpër dy binarë paralel, atë të rrënimit të komunizmit, me çka shqiptarët treguan përcaktimin e tyre për demokracinë perëndimore dhe qytetërimin e saj,  si dhe të shkëputjes nga pushtimi serb, me çka krijoheshin rrethanat për shpalljen e shtetit të pavarur, ndër të cilat, domethënëse ishin Deklarata e Kushtetuese e 2 korrikut 1990, Kuvendi i Kaçanikut më shtatë shtator 1990 kur Kosova u shpall republikë si dhe Referendumi për pavarësi i 26 shtatorit 1991, me të cilin u shfrytëzua e drejta e vetëvendosjes për shtet të pavarur.

Ai thotë se udhëheqja e pushtet paralel nga presidenti Rugova, u kthye në një armë të fuqishme përball serbëve.

“Por, krijimi i infrastrukturës me të cilën do të legjitimohej vullneti demokratik i shqiptarëve, do të ishte i pa kuptim, po që se ato nuk do të përcilleshin me veprimet konkrete, siç ishte organizimi i shtetit paralel edhe në rrethanat e pushtimit ushtarak serb. Kështu, për tetë vite, pushtet paralel i shqiptarëve të Kosovës, u kthye në një armë të fuqishme kundërvënies serbe”.

Sipas tij, rezistenca institucionale, në të cilën u përfshi edhe ajo e armatosura (në fazën e fundit) kur për të u krijuan rrethanat, animoi faktorin ndërkombëtar, që të përdor edhe ndërhyrjen ushtarake, siç ndodhi gjatë fushatës ajrore të NATO-s në mars të vitit 1999.

Buxhovi thotë se Rugova nuk iu nënshtrua kurrë presionit ushtarak serb dhe presioneve të ndryshme ideologjike brenda Kosovës.

“Në këtë zhvillim historik, roli i Rugovës ishte domethënës, ngaqë nuk iu nënshtrua as presionit ushtarak të Serbisë, që të heq dorë nga rezistenca insitucionale dhe shteti i pavarur, e nuk iu nënshtrua as prapaskenave të brendshme që i vinin nga grupet e ndryshme ideologjike të cilat luftonin për pushtet pa ngurruar që të përdornin metodat e ndryshme kriminale të kërcënimeve dhe të vrasjeve, që për pasojë patën likuidimin e disa bashkëpunëtorëve të dr. Rugovës", shtoi Buxhovi.

Hoti i LDK-së: Do të vazhdojmë frymën Rugoviane

Image
Avdullah Hoti

Shefi i grupit parlamentar i LDK-së, Avdullah Hoti thotë se subjekti i tij politik të vazhdojë të ndjek filozofinë Rugoviane.

“Qasja dhe parimet që ndjek LDK e bëjnë atë partinë më institucionale në Kosovë. Parimi i ruajtjes së demokracisë, të qenit paqësor në veprime por të vendosur në qëndrime dhe bindjet politike që mbrojmë, nënkupton se filozofia Rugoviane është thelle e vendosur në mënyrën e të vepruarit të LDK-së”, thotë Hoti për “Bota sot”.

Sipas tij, kjo formë e të vepruarit të LDK-së nuk njeh kompromise për fuqizimin e shtetit të Kosovës.

“Kjo qasje e vendosur e LDK-së ka bërë që pavarësisht situatave të vështira që kemi kaluar, të ruajmë besimin e qytetarëve në LDK dhe filozofinë Rugoviane. Filozofia Rugoviane sot është bërë filozofi e të vepruarit politik që nuk kufizohet vetëm në LDK, por është e shoqërisë kosovare”, shtoi Hoti.

“Kosovës i nevojitet një lider i rangut të Presidentit historik”

Image
Don Lush Gjergji

11 vite pas vdekjes së tij, Don Lush Gjergji thotë se Kosovës i nevojitet një lider, i rangut të Presidentit historik.

“Presidenti Rugova i mungon Kosovës dhe popullit të saj, i mungon Evropës, i mungon Botës. Ai politikën e konsideronte si një shpërblim për popullin, dhe e shpesh e thoshte se është argat i popullit dhe kështu ai shërbeu deri në vdekje për shpëtimin e popullit”, thotë për “Bota sot”, Kreu i Kishës katolike në Prishtinë, Dom Lush Gjergji.

Gjergji thotë se aktualisht Kosova vuan për një lider sikur ai.

“Kosova dhe populli shqiptar vuan për një president si presidenti Rugova për të dal nga katrahura aktuale politike, për shkak të konfrontimeve, mungesës së dialogut dhe komunikimit ndërmjet partive politike”, thotë më tej ai.

Ai thotë se duhet të lihen anash interesat e ngushta të partive politike dhe në vend të saj, të vihen interesat që janë në dobi të popullit të Kosovës.

“Derisa politikanët nuk e ndjekin motivimin e Rugovës, shqiptarët e viseve tona do të vazhdojnë të përballen me katrahura të tilla politike”, thotë Don Lush Gjergji.

Sa i përket strategjisë së tij paqësore, Don Lush Gjergji thotë se arkitekti i pavarësisë së Kosovës u frymëzua nga personalitete të madh, si: Martin Luther, Emanuel Kanti.

“Rugova i kishte figura të mëdha në të cilat frymëzohej, ishte Emanuel Kanti, Martin Luther, e mbi të gjitha ishte Nëna Terezë, sepse Nëna Terezë me mirësi dhe dashuri, e ka bindur dhe ka përfituar botën, kurse ai me strategjinë paqësore e fitoi lirinë dhe demokracinë. Po ashtu, ishte i frymëzuar prej Papa Gjon Pali i dytë dhe Nënës Terezë dhe vazhdimisht i kishte në gojë dhe në zemër ata”, shtoi Don Lush Gjergji.

Shahu: Rugova ishte shpirti i këtij populli

Image
Rexhep Shahu

Nga ana tjetër, publicisti nga Shqipëria, Rexhep Shahu thotë se presidenti Rugova, ishte shpirti i popullit të Kosovës

“Rugova ishte më i urti, më trimi, më i drejti, më guximtari, më parashikuesi, më qendrëstari, më luftëtari, më i dijshmi. Ai ishte shpirti i popullit shqiptar, ai rezonoi si askush me shpirtin e shqiptarit. Kur të tjerët iknin ai qëndronte, kur të tjerët shmangeshin ai dilte në ballë, ai na tregoi udhën, na udhëhoqi”, thotë publicisti Shahu për “Bota sot”.

Sipas tij, Rugova ishte i vetmi politikan që nuk u mund asnjëherë nga komunistët në Tirane dhe gjetiu.

“Ai ishte i vetmi që nuk u mund nga komunistët e Tiranës, nuk u udhëhoq nga komunistët e Tiranës, ai ishte më i pastri, më idhnaku, ai shtroi trasenë e lirisë së Kosovës”, tha ai.

Shahu ka thënë se, Rugova nuk vajtoi kurrë, vdiq në krye të detyrës pa zënë shtratin.

“Nuk shau askënd, nuk mallkoi askënd, ai konkurroi me të ardhmen, askush e asgjë tjetër nuk i hynte në sy, nuk qortoi askënd, nuk denigroi askënd, heshti gjithmonë dhe me heshtje i mundi të gjithë duke i zhbërë”, thotë Shahu.

Ai tha me askënd kurrë nuk mund e nuk do të identifikohet Kosova sa me Ibrahim Rugovën.

“Ende sot e gjithë ditën tmerrohen prej tij, rivalet dhëmbërëne dhe nuk i bëjnë homazhe, por jetojnë me friken prej tij, friken e turpit prej tij. Rugova nuk ishte lideri, autoriteti etj, etj, ai ishte shpirti i popullit, shpirti ynë”, shtoi Shahu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat