Plani serb që po e ndan Mitrovicën në “heshtje” - Bota Sot
Plani serb që po e ndan Mitrovicën në “heshtje”

Politika

E mërkurë, 13 dhjetor 2017

Plani serb që po e ndan Mitrovicën në “heshtje”

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 3 dhjetor 2017 Në ora: 08:33
Plani për Luginën e Diellit

Projekti i mbështetur nga qeveria e Serbisë për t’u ofruar strehim rreth 300 familjeve të serbëve të kthyer në veriun e Kosovës, është duke vazhduar në heshtje.

Vendbanimi i ri i quajtur “Lugina e Diellit” është duke u ndërtuar, pavarësisht kundërshtimeve të autoriteteve qendrore të Kosovës që pretendojnë se ky projekt nuk ka leje.

Mirëpo,  gazeta “Bota sot” nuk ka arritur të marrë ndonjë përgjigje nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor rreth kësaj çështje. Kjo ministri, më herët kishte thënë se nuk ka kurrfarë leje për këtë projekt, por ky projekt vazhdon të punohet sipas planeve të tij.

Islami: Mitrovica po serbizohet

Image
Avni Islami

Në lidhje me këtë, eksperti i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se duhet urgjentisht formimi i Ushtrisë së Kosovës, pasi sipas Islamit, institucionet e vendit po duken të pafuqishme për ta ndaluar projektin “Lugina e Diellit”.

“Është një lagje që po ndërtohet ‘’Lugina e diellit’’, kështu ajo tokë po serbizohet dhe institucionet duken të pafuqishme, prandaj është tepër urgjente formimi i ushtrisë së Kosovës që të jetë prezente së bashku me forcat e KFOR –it ta mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial dhe të pengojë lëvizjen e njerëzve dhe mallrave nga Serbia në Kosovë në mënyrë të paligjshme”, është shprehur Islami.

Ai gjithashtu ka theksuar se shqiptarët atje i quajnë “minoritet” në tokën e tyre, për shkak të angazhimit të Serbisë për ta ndërruar demografin në veri të Mitrovicës.

“Serbia punoi në të kaluarën, por edhe në të tashmen dhe e ndërroi demografinë në veri të Kosovës, sot për fat të keq, shqiptarët janë ‘’minoritet’’ në tokën e vet”, ka shtuar Islami.

Mes tjerash, ai ka thënë se janë shumë faktorë që ndikojnë që veriu i vendit të mbetet “Orë bombe”për shkak të implikimeve nga ana e shtetit serb, si dhe mos funksionalizimin e plotë të mekanizmave institucional të vendit.

Haziri: Duhet intervenim ndërkombëtar

Image
Nexhat Haziri

E opinionisti Nexhat Haziri, duke folur rreth kësaj çështje, ka thënë se institucionet e Kosovës do ta kenë të pamundur parandalimin e këtij plani të Beogradit dhe se duhet intervenimi ndërkombëtar që mos të realizohet ky projekt.

“Nëse nuk ka një presion ndërkombëtar ndaj këtyre planeve të Beogradit zyrtar, mendoj se vetëm institucionet tona do ta kenë të pamundur për t’i stopuar këto projekte”, ka thënë Haziri për “Bota sot”.

Haziri ka theksuar se nuk është vetëm ky projekt i Beogradit që po tenton ta ndajë Mitrovicën, por ka edhe shumë elemente tjera.

“Nuk është vetëm lagja "Lugina e Diellit" si një element i agjendës së Beogradit zyrtar për ndarjen e Kosovës, por janë shumë elemente të tjera të dukshme dhe të prekshme, posa ta kalosh urën e Ibrit që ndan dy pjesët e Mitrovicës”, ka shtuar më tutje Haziri.

Barani: Bandat shqiptare bashkëpunojnë me kontrabandistët serb

Image
Halit Barani

Ndërsa, kryetari i Qendrës Rajonale të KMDLNJ-së në Mitrovicë, Halit Barani, duke folur për “Bota sot”, ka thënë se kjo çështje nuk ka se çfarë të diskutohet meqë bëhet fjalë për pjesën e okupuar të Mitrovicës.

"Për këtë çështje nuk kemi nevojë shumë me fol pasi lagja për të cilën bëhet fjalë, është në pjesën e okupuar të qytetit të Mitrovicës, përkatësisht Kosovës, ku në atë pjesë prej urës kryesore të lumit Ibër, pra matanë ure, askush nuk mbanë përgjegjësi  për Republikën e Kosovës dhe nuk e njohin si shtet, pra, Kosovën”, ka thënë Barani.

Ai gjithashtu ka theksuar se në pjesën veriore të Mitrovicës ende bandat shqiptare bashkëpunojnë me kontrabandistët serb.

Duhanaj: "Lugina e Diellit" mund të sjellë koloni të re nga Serbia

Image
Leon Duhanaj

Kurse, njohës i çështjeve politike Luan Duhanaj, ka thënë se serbët po tregohen më të zotë se shqiptarët në këto procese, pasi sipas tij, qeveritarët tanë mendjen e kanë vetëm tek pushteti dhe jo te zhvillimet që ndodhin në veri të Mitrovicës.

“Përderisa shqiptarët shumicën absolute të kohës dhe energjisë e investojnë në luftë të pa kompromis për pushtet, serbët në anën tjetër çdoherë u paraprijnë proceseve, duke na vendosur para aktit të kryer. Njëjtë mund të ndodhë edhe me pretendimet për ndërtimin e lagjes "Lugina e Diellit", e cila vazhdon të ndërtohet pa problem dhe, ku më shumë gjasa mund të sjellin koloni të re nga Serbia”, është shprehur Duhanaj në një prononcim për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test