100 ditëshi i kryeministrit, për çfarë do të mbahet mend Haradinaj? - Bota Sot
100 ditëshi i kryeministrit, për çfarë do të mbahet mend Haradinaj?

Politika

E mërkurë, 13 dhjetor 2017

100 ditëshi i kryeministrit, për çfarë do të mbahet mend Haradinaj?

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 4 dhjetor 2017 Në ora: 13:41
Qeveria PANA-Lista serbe

Qeveria e kryeministrit Ramush Haradinaj po afrohet drejt 100 ditëshit të qeverisjes. Kryeministri aktual para se të vinte në pushtet pati premtuar se do të sjellë ndryshime të mëdha. Por, cilat janë rezultatet konkrete në fushën e ekonomisë?

Për opozitën, Qeveria Haradinaj do të mbahet mend vetëm për emërimin e zëvendësministrave.

Ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti, tani shef i grupit parlamentar të LDK-së, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se në 100 ditët e para, Qeveria Haradinaj do të mbahet mend vetëm për emërimin e zëvendësministrave.

Image
Avdullah Hoti

“Nuk kemi parë asnjë rezultat konkret në 100 ditët e para të qeverisjes Haradinaj. Kjo sigurisht se është e pritshme pasi nuk ka një program të qartë se çfarë reforma do të arrihen”, u shpreh Avdullah Hoti.

Ai vlerëson se gjatë kësaj kohe janë evidentuar disa shkelje, por përmend se nëse ka ndonjë arritje ekonomia e Kosovës, kjo duhet t’i atribuohen qeverisjes së Isa Mustafës.

“Gjatë kësaj periudhe janë ndarë mjete pa asnjë kriter, është bërë rishikimi i buxhetit duke shkurtuar buxhetin. Arritjet që ka njohur ekonomia e Kosovës në këta muaj janë rezultat i reformave të ndërmarra në Qeverinë Mustafa”, theksoi shef i grupit parlamentar të LDK-së për “Bota sot”.

Hoti thotë se kur të arrihen 100 ditë të qeverisjes, kjo qeveri do të ketë edhe zëvendësministrin e njëqind.

“Në 100 ditët e para, Qeveria Haradinaj do të mbahet mend vetëm për emërimin e zëvendësministrave. Sigurisht kur të arrihen 100 ditë të qeverisjes, do të kemi zëvendësministrin e njëqind”, përfundoi Avdullah Hoti.

Efektet e para të qeverisë në vitin 2018

Në një prononcim dhënë për “Bota sot”, njohësi i çështjeve ekonomike, tani pjesë e partisë Aleanca Kosova e Re (AKR), Ibrahim Rexhepi, ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës ka dëshmuar më shumë energji dhe vullnet për përballje me problemet aktuale të vendit, të cilat janë të shumta.

Sipas Rexhepit, Qeveria Haradinaj, që në ditët e para është dashur të gjejë zgjidhje për disa çështje të mbetura pezull nga Qeveria Mustafa.

Image
Ibrahim Rexhepi

“Kështu që në ditët e para të qeverisjes është dashur të gjejë zgjidhje për disa çështje të mbetura pezull nga qeveria e kaluar, si janë pagat për veteranët, apo miratimi i Pako Fiskale 2.0. Ndonëse kjo pako nuk është e formatit të promovuar nga qeveria e Isa Mustafës, por janë disa elemente të saj që hapin rrugë zhvillimit dhe nuk krijojnë ngarkesa  të reja fiskale. Pastaj, brenda afatit ligjor ka miratuar buxhetin për vitin 2018, i cili është zhvillimor dhe premton rritje modeste të pagave, aq sa pritet të jetë edhe norma e zhvillimit ekonomik”, është shprehur njohësi i çështjeve ekonomike.

Ai thotë se efektet kryesore të punës së Qeverisë Haradinaj do të vërehen në vitin 2018-të.

“Ndonëse efektet kryesore të punës së saj do të vërehen në vitin 2018, megjithatë, ka lëvizur disa gjëra, të cilat paraqisnin problem për zhvillimet në fushën e ekonomisë- është zgjedhur bordi i KEK-ut, është shpallur konkursi për bordin Trepçës, ZRRE-ja shpejt do të jetë me bord funksional, pritet të nënshkruhet kontrata për ndërtimin e TEC “Kosova e Re”, e cila fillimisht  do të rinegociohet në disa çështje që në mënyrë cilësore ndryshojnë pozicionin e Kosovës dhe të konsumatorëve karshi këtij projekti”, ka thënë ai.

“Është mbajtur edhe takimi i përbashkët i Qeverisë së Kosovës me atë të Shqipërisë, nga i cili kanë dalë një numër i madh i dokumenteve të nënshkruara, të cilat duhet të rregullojnë dhe të avancojnë edhe më shumë raportet në mes të dyja vendeve. Vlen të theksohet se qëllim përfundimtar i këtyre dokumenteve është krijimi i tregut të përbashkët , që do të thotë jo vetëm qarkullim i mallrave dhe i kapitalit pa probleme, por unifikim i të gjitha kritereve dhe standardeve për punë dhe jetë- si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri”, theksoi Rexhepi për “Bota sot”.

Megjithatë, Rexhepi thotë se qeverisjes i kanë mbetur edhe shumë punë të rënda, të cilat do të ndikonin në përmirësimin e pozitës ndërkombëtare të vendit.

“Pa dyshim se asaj i kanë mbetur edhe shumë punë, madje, kisha thënë edhe më të rënda, kryesisht të natyrës politike, të cilat do të ndikonin në përmirësimin e pozitës ndërkombëtare të vendit. Këtu në rend të parë është demarkacioni me Malin e Zi, Bashkësia e Komunave në Veri, rikonfigurimi dhe vazhdimi i dialogut në Bruksel”, ka përfunduar Ibrahim Rexhepi.

Azemi: Në qeverinë Haradinaj, shkelje flagrante të të drejtave të punëtorëve

Image
Jusuf Azemi

Edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, që funksionon në kuadër të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, (BSPK), në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se edhe në qeverisjen Haradinaj po vazhdojnë problemet e njëjta.

“Në sektorin privat ka shkelje flagrante të të drejtave të punëtorëve. Ekzistojnë disa marrëveshje që kryeministri i Kosovës i ka premtuar se do t’i realizojë. Ishte përmendur se do të bëhet rritja e pagës minimale, megjithatë,deri më sot nuk ka asnjë sinjal në aspektin pozitivë që është punuar në këto 100 ditët e qeverisjes Haradinaj”, është shprehur Azemi.

Ai ka përmendur një rast eklatantë, se si janë shkelur të drejtat e punëtorëve nga ministrat e qeverisjes Haradinaj.

“Në Pejë është një rast eklatantë për shkeljen e të drejtave të punëtorëve nga ministrat e qeverisë Haradinaj, ku disa punëtorë të sektorit privatë edhe pse kishin përvojë të gjatë pune, ishin zëvendësuar me disa të afërt të këtyre ministrave”, theksoi Azemi.

“Vet fakti që për tre-katër muaj janë shënuar tetë vdekje në vendin e punës, të gjitha këto janë një pasqyrë se nuk ka asnjë efekt pozitivë në përmirësimin e kushteve të punës”, ka thënë Azemi.

Si shqetësim tjetër, Azemi ka përmendur se nuk ka përmirësime edhe në pagesat e kontributeve të punëtorëve dhe në kontratat e punëtorëve. Sipas tij, asgjë e mirë nuk ka ndodhur deri më sot, edhe pse kishin shpresuar se do të kishte përmirësime.

Krejt në fund, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat thotë se kanë bërë edhe kërkesë të protokolluar për takim me kryeministrin Haradinaj, por e gjithë kjo duket që ka shkuar në vesh të shurdhër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test