Kriza e krijuar nga marrëveshja e Demarkacionit, Abazi jep dy zgjidhjet e mundshme - Bota Sot
Kriza e krijuar nga marrëveshja e Demarkacionit, Abazi jep dy zgjidhjet e mundshme

Politika

E premte, 15 dhjetor 2017

Kriza e krijuar nga marrëveshja e Demarkacionit, Abazi jep dy zgjidhjet e mundshme

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 4 dhjetor 2017 Në ora: 21:59
Haki Abazi

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar raportin e komisionit për shënimin e kufirit me Malin e Zi, si dhe marrëveshjen e nënshkruar të vitit 2015, duke e dërguar kështu në Kuvend për shqyrtim të mëtutjeshëm.

Kjo u bë pasi që para kabinetit qeveritar, anëtarët e komisionit qeveritar raportuan për të gjeturat.

Shpejtim Bulliqi, kryetar i këtij komisioni tha se puna e ish-komisionit është reflektuar me të meta thelbësore.

 “Gjatë analizës së materialeve komisioni jonë ka ardhur në përfundim se puna e ish-komisionit është reflektuar me të meta thelbësore, të cilat dhe i kanë determinuar këto përfundime. Komisioni ka tejkaluar kompetencat e tij, gjykuar sipas nenit 40 të ligjit për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, duke i lejuar vetës t’i futet procesit të delemitimit, përkatësisht caktimit të vijës së re të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, pa një marrëveshje ndërkombëtare paraprake. Dy kjo për faktin se marrëveshjen e nënshkruar për kufirin, thuhet se çështja e demarkacionit është lënë të kryhet brenda dy vitesh, pasi të hyjë në fuqi kjo marrëveshje. Ish komisioni ynë ka qenë i thirrur të shënjoj vijën e dikurshme administrative mes dy njësive të ish-Jugosllavisë, e në asnjë mënyrë të bëjë kufirin e ri”, tha ai.

Lidhur me raportin e publikuar dhe të gjeturat nga komisioni, njohësi i zhvillimeve aktuale në vend, Haki Abazi thotë se të gjeturat kanë qenë të pritshme, por që tani demarkacioni është larg zgjidhjes dhe se gjendja nuk do të ndryshohet.

“Raporti ka dalë me të gjetura të pritura duke pasur parasysh që njerëzit që kanë qenë në komision e kanë pasur pozicionin e njëjtë dhe kanë përdorur dokumentacionet që kanë sjellë në përfundim. Por, çështja e demarkacionit është shumë larg nga zgjedhja meqë ka hyrë në rreth vicioz. Asnjë vendim nuk do ta ndryshojë gjendjen përveç nëse votohet versioni i aprovuar në Vjenë, që ka qenë gabim për nga procesi se si ka ecur por edhe nga përmbajtja se si është përcaktuar. Por ky nuk është lëshimi i parë, mollët e sherrit të Hashim Thaçit dhe ekipit të tij do të shohim duke ardhur radhazi dhe pa ndërprerë. Ka qenë fatkeqësi se çfarë dhe si ka ardhur demarkacioni, asociacioni i komunave me shumice serbe, fusnota, marrëveshja për energjetikë, kod telefonik etj”, është shprehur Abazi për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, ekzistojnë dy zgjidhje në gjithë këtë, derisa shton se është fatkeqësi që nuk ka qëndrime të unifikuara se si të dilet nga kriza e krijuar për demarkacionin.

“Tani janë dy zgjidhje: goditja e murit me kokë, mur ky i ndërtuar nga vetë kosovarët në kohën e dështimeve të mëdha apo të pajtohemi me faktin që ka qenë fatkeqësi që kemi pasur politikanë analfabet të udhëhequr nga PDK-ja në kohën me kritike të shtetndërtimit dhe të ecim tutje. Në asnjë moment nuk duhet cenuar marrëdhëniet me Malin e Zi si fqinje dhe si një anëtar i NATO-s dhe në anën tjetër raportin e dalë tani ka mundësi që ta përdorim për marrëveshjet tjera bilaterale. Gjendja për demarkacionin është shumë serioze dhe është fatkeqësi që nuk kemi qëndrime të unifikuara as sot se çfarë duhet të ndodhë dhe me çfarë strategjie duhet të dilet nga kriza”, ka deklaruar Haki Abazi.

Marrëveshja për demarkacionin pritet që të sillet në Kuvend në ditët në vijim./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test