“Fati i Qeverisë PANA-Lista serbe në duar të shantazhuesve”

Politika

“Fati i Qeverisë PANA-Lista serbe në duar të shantazhuesve”

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 9 dhjetor 2017 Në ora: 07:58
Qeveria PANA-Lista serbe

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës do të votojnë kundër versionit aktual të Projektligjit për buxhetin për vitin 2018.

Seanca për miratimin e buxhetit është caktuar për të dielën, pasi që në seancën e së mërkurës qeveria nuk arriti t’i sigurojë 61 vota të deputetëve të pozitës për të siguruar kuorumin për kalimin e këtij projektligji, pas braktisjes së seancës nga ana e deputetëve të opozitës.

Deputetët e partive opozitare shprehen të sigurtë se në këtë seancë ata do t’i kenë votat e mjaftueshme për të siguruar kuorumin në mënyrë që të miratohet ky projektligj.

Nga ana tjetër, deputetët e opozitës dhe njohës të jetës parlamentarë thonë se mos sigurimi i votave për kuorum edhe në seancës e së dielës, rrezikon rënien e qeverisë.

Opozita nuk garanton se do t’i sigurojë kuorumin Qeverisë

Deputetët e opozitës vazhdojnë të mbajnë qëndrim të njëjtë kundër projektbuxhetit të propozuar nga qeveria.

Ata thonë se me miratimin e këtij buxheti vendi nuk garanton një zhvillim ekonomik. Madje, ata nuk garantojnë se do të qëndrojnë në seancë edhe të dielën në mënyrë që të sigurohet kuorumi në parlament.

Image
Hykmete Bajrami

“Siç e kemi thënë edhe sot publikisht LDK do të votojë kundër Projektligjit të Buxhetit të vitit 2018. Ne nuk e kemi obligim që t’ia kalojmë Qeverisë Buxhetin. Ne jemi opozitë dhe nuk e kemi për obligim që t’ia sigurojmë ekzekutivit kuorumin”, thotë për “Bota sot” deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami dhe njëherit anëtare e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Ekonomik.

Madje, Bajrami thotë se mos arritja e sigurimit të kuorumit në seancën e së mërkurës nga opozita tregon se kjo qeveri nuk do të ketë një jetë të gjatë.

“Qeveria Haradinaj siç po e shohim të gjithë, nuk e ka jetën e gjatë. Fakti që tri ditë nuk po mund ta kalojnë Buxhetin që është dokumenti më i rëndësishëm i Qeverise është evidentet që jeta e kësaj Qeverie është shume e shkurtër”, shtoi Bajrami.

Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi thotë se tanimë qeveria gjendet në fillim të një krize të shumicës së votave.

Image
Sami Kurteshi

“Unë tani nuk dua të paragjykojë se a do të bie menjëherë qeveria, por kjo do të shihet në muajin e ardhshëm. Ne do të shohim se si do të rrjedhin gjërat në muajt në vijim. Por, unë mendojë se problemet e para të qeverisë për të siguruar numrat e mjaftueshëm në kuvend po shihen qysh tani”, thotë Kurteshi për “Bota sot”.

Por sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje do të veprojë në bazë të programit të vet politik, e jo në bazë të inateve personale.

Sa i përket kuorumit, Kurteshi thotë se i mbetet qeverisë që të arrijë t’i sigurojë votat e mjaftueshme për të miratuar në lexim të parë në kuvend.

“Fillimisht, qeveria duhet të sigurojë numrat e mjaftueshëm për buxhetin, sepse ju e patë se si dështoi në seancën e kaluar. Pra, ekzekutivi duhet të ndërmarrë ndonjë veprim në mënyrë që të dilet nga kjo situatë”, thotë më tej ai.

Ai shtoi, se subjekti i tij politik e kundërshton në tërësi buxhetin, pasi siç tha se është një buxhet që nuk ndihmon në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e vendit.

AAK dhe NSIMA: I kemi votat e mjaftueshme për buxhetin

Nga ana tjetër, deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ata të NISMA-s shprehen të bindur se buxheti do të kalojë në seancën e së dielës.

Image
Ahmet Isufi

“Në seancën e së dielës ne e kemi leximin e parë të buxhetit për të cilën do të votojnë të gjithë deputetët, ndërsa amendamentet deri në leximin e dytë mund të ndryshohen edhe sipas kërkesës së opozitës, sepse buxheti është i të gjithë qytetarëve të Kosovës, e jo vetëm i partive politike”, thotë për “Bota sot” shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmeti Isufi.

Ai shtoi se buxheti do të votohet të dielën, edhe nëse partitë opozitare braktisin seancën.

Edhe shefi i grupi parlamentar të NSIMA-s për Kosovën, Bilall Sherifi shprehet i bindur se buxheti do të kalojë.

Image
Bilall Sherifi

“Të dielën ne ora 15.00, shihet a ka të drejtë opozita apo pozita. Unë po them që i kemi votat e mjaftueshme për të miratuar buxhetin”, tha Sherifi për “Bota sot”.

Mosvotimi i buxhetit çon vendin në zgjedhje

Nga ana tjetër, njohës juridikë thonë se mos miratimi i buxhetin çon vendin në zgjedhje, pasi që sipas tyre buxheti është dokumenti më i rëndësishëm i qeverisë.

“Mosvotimi i buxhetit për vitin 2018, rrezikon rënien e qeverisë dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, kjo për faktin se qeveria gjendet në një moment kritik. Nëse mungon kuorumi dhe vullneti për të përkrahë këtë qeveri për miratimin e buxhetit, shteti mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, thotë për “Bota sot”, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, miratimi i buxhetit bëhet vetëm nëse dëshiron opozita, sepse qeveria nuk do të arrijë të sigurojë votat e mjaftueshme.

Burjani thotë se PDK mund ta kushtëzojë AAK-në për miratim të buxhetit, në mënyrë që ajo të votojë versionin aktual të demarkacionit.

“Nëse AAK dhe NISMA nuk i bashkëngjiten votimit të demarkacionit që pritet së shpejti të hedhet në votim, e që përkrahet nga LDK-ja dhe PDK-ja, nuk besojë se deputetët e partisë së Kadri Veselit do të votojnë pro buxhetit për vitin 2018”, shtoi Burjani.

Edhe njohësi i zhvillimeve politike, Lirim Zorra thotë se ekzekutivi gjendet në krizë për të qeverisur vendin për shkak se shpesh nuk po arrin të sigurojë kuorumin për miratimin e ligjeve.

Image
Lirim Zorra

“Ajo që është parashikuar që nga fillimi i kësaj qeverie është se ajo është e dobët dhe varet nga votat e individëve të cilët mund të shantazhojnë qeverinë dhe kryeministrin me kërkesa të caktuara. Për këtë unë besoj së nuk është faji i  kryeministrit drejtpërdrejtë, por i shefave të partive të koalicionit të cilët duhet t’i grupojnë deputetët në momente të tilla”, thotë Zorra për “Bota sot”.

Sipas tij, nëse deputetët nuk qëndrojnë në sallë apo qeveri humb një votë të ndonjë deputeti, rënia e saj është e pashmangshme.

“Unë mendoj se duhet të bëhet me rregullore që deputeti të qëndrojë në seancë, sepse qe disa herë që kuvendi nuk po ka kuorum për shkak të mos prezencës së deputetëve dhe kjo tregon se ata kanë dëshirë të vogël për punë”, tha Zorra.

Ai thotë se nëse s’kalon buxheti, atëherë qeveria hynë në probleme të brendshme.

“Qeveria e ka një shumicë me 61 dhe çdo humbje e votës nga këta deputetë, nënkupton rënien e qeverisë”, shtoi Zorra.

Image
Muhamet Kelmendi

Nga ana tjetër, profesori universitar Muhamet Kelmendi, thotë se qeveria duhet të bashkëpunoj me partitë opozitare për miratimin e buxhetit.

“Natyrisht se buxheti duhet të ndryshohet për të cilat opozita i ka shprehur mendimet e veta në Komisionin për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës, dhe unë mendoj se kështu duhet vepruar. Në qoftë se nuk miratohet buxheti, natyrisht që qeveria nuk mund të funksionoj”, shtoi Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat