Pasojat e mosratifikimit të demarkacionit dhe rreziku për Kosovën

Politika

Pasojat e mosratifikimit të demarkacionit dhe rreziku për Kosovën

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 11 dhjetor 2017 Në ora: 07:53
Kosovë

Që kur është nënshkruar marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, në gusht të vitit 2015, ndërkombëtarët kanë bërë thirrje që të ratifikohet në Kuvend. E tani, dy vite pas nënshkrimit, Qeveria edhe pse ka nënshkruar raportin e komisionit shtetëror për shënjimin e kufirit, në krye me Shpejtim Bulliqin, të publikuar ditë më parë, ende nuk është caktuar se kur do të sillet marrëveshja në Kuvend për ratifikim.

Në anën tjetër, ligjvënësi amerikan, Eliot Engel së fundmi në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se Kosova duhet ta ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, në të kundërtën duhet të përballet me pasojat, me mungesë liberalizimi vizash dhe të jetë pjesë e proceseve evropiane.

Nga zyra e kryeministrit nuk kanë kthyer përgjigje për deklaratat e tilla të Engel, ndërsa analistët kanë dhënë vlerësimet e tyre.

Të merret seriozisht deklarata e mikut të shqiptarëve, Eliot Engel

Kurse, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Skënder Zogaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se kjo deklaratë duhet të merret seriozisht, derisa Engel është mik i madh i shqiptarëve.

Image
Skënder Zogaj

“Deklarata e Ligjvënësit amerikan Eliot Engel se demarkacioni duhet të ratifikohet, sepse nëse nuk ratifikohet kjo marrëveshje, qytetarët e Kosovës duhet të bëhen gati për pasojat..., duhet të kuptohet seriozisht, sepse vjen nga një mik i madh i shqiptarëve i cili ka investuar shumë për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës”, ka deklaruar Zogaj.

Ai thotë se nëse nuk ratifikohet marrëveshja e demarkacionit, Kosova do të humbë edhe aleatët që kanë ndihmuar shtetin tonë.

“Porositë e Engel nuk janë fjalë koti dhe udhëheqja kosovare duhet t’i kryejë pa hamendje, në të kundërtën, jo vetëm që nuk do të kemi liberalizim vizash por vetëpërjashtohemi nga të gjitha proceset e tjera integruese por edhe me situata të rrezikshme afatgjata historike, në planin ndërkombëtar, sepse do të humbim aleatët të cilët na kanë ndihmuar që të çlirohemi dhe të krijojmë shtetin tonë! Prandaj menjëherë duhet të ratifikohet marrëveshja që t’i hapet rrugë liberalizimit të vizave dhe proceseve tjera”, është shprehur Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Zgjidhja për demarkacionin, e domosdoshme për paqen në rajon

Ndërsa, njohësi i zhvillimeve politike Arbër Gashi thotë se Eliot Engel ka pasur kontribut të madh për Kosovën dhe këshillat nga miqtë janë të nevojshme për rrugëtimin e Kosovës.

Image
Arbër Gashi

“Së pari dua të theksoj se, kombi shqiptar në tërësinë e shtrirjes së tij gjeografike në gadishullin pellazgo-ilir dhe në veçanti shqiptarët e Kosovës, e posedojnë një ndjenjë të afrisë së madhe shpirtërore me SHBA-të, të cilën e ka kultivuar për vite të tëra zotëriu shumë i nderuar, Eliot Engel, kontributdhënës i madh për çlirimin e Kosovës nga zgjedha koloniste dhe gjenocidale e Serbisë. Pra, edhe unë si të gjithë shqiptarët e tjerë, nuk mund ta fshehë simpatinë personale që ndjej për vlerat e kombit të madh amerikan, zotëriun Eliot Engel, si dhe SHBA-të si vend i lirisë e shpresës së madhe të njerëzimit. Për rrjedhojë, këshillat e miqve tanë që na janë gjetur në kohët më të vështira të mbijetesës sonë kombëtare, janë të mirëseardhura, të duhura dhe të nevojshme për rrugëtimin tonë të mëtutjeshëm në procesin e shtetbërjes, integrimit euro-atlantik dhe mirëqenies ekonomike për të gjithë qytetarët e vendit”, është shprehur ai.

Sipas Gashit, sa i përket deklaratës për demarkacionin, ai mendon se mund të zgjidhet dhe se ajo zgjidhje do të ishte e mundshme dhe e domosdoshme për paqen në rajon.

“Në rastin konkret, për çështjen e demarkacionit të Republikës së Kosovës me Malin e Zi, kanë lindur disa mosmarrëveshje të papërfillshme, të cilat nuk mund të ndikojnë në miqësinë e përhershme të kombit shqiptar me SHBA-të. Unë besoj se zgjidhja e drejtë e këtij problemi është e mundshme dhe e domosdoshme për paqen në rajon, sepse, askush në BE nuk mund ta kontestojë integritetin territorial dhe të drejtën për zhvillim e jetë të pabrenga të kombit shqiptar, pavarësisht shteteve që janë krijuar dhe mbahen me taksa të shumta, në trungun dhe nga trungu i tyre. Shqiptarët janë një komb i ndarë padrejtësisht. Këtë ndarje e ka forcuar, e ka thelluar dhe po vazhdon ta thellojë edhe më tutje ndarja fatale e kombit shqiptar në shumë besime fetare, të cilat, nëse flasim kah del shpirti, e kanë bllokuar me shekuj të tërë bashkimin kombëtar të shqiptarëve. Po ashtu, kësaj ndarje të padrejtë dhe zgjidhjeve të dhimbshme që u imponuan ndaj tyre, i kanë kontribuar edhe subjektet politike, të cilat, asnjëherë nuk kanë reflektuar sa e si duhet mbi rezultatet dhe pasojat që i sjellin shtetbërjes kombëtare, sjelljet dhe veprimet e pamatura”, vlerëson Gashi.

Ai thotë se edhe po të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit dhe as liberalizimi i menjëhershëm nuk do të shmangte izolimin e shqiptarëve.

“Prandaj, izolimin aktual nuk mund ta shohim të shkëputur nga veprimet dhe sjelljet e klasës tonë politike, por vetëm si pasojë dhe rezultat i kontributit që ka dhënë ajo për vendin. Në anën tjetër, qytetarët shqiptarë janë përpjekur që të mos bëhen pengesë e proceseve integruese, duke i paguar ato me një taksë shumë më të lartë se qytetarët tjerë të vendeve përreth dhe duke mos arritur që me përpjekjet vetanake ta thyejnë izolimin aktual. Mos të harrojmë se, izolimin aktual të shqiptarëve nuk do ta shmangte as miratimi i marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi dhe as liberalizimi i menjëhershëm i vizave”, ka thënë Arbër Gashi për “Bota sot”.

“Të izolohen politikanët”

Image
Faik Krasniqi

Në anën tjetër, analisti Faik Krasniqi thotë se ratifikimi i demarkacionit nuk sjell liberalizim të vizave, pasi kusht është edhe luftimi i korrupsionit dhe një gjë e tillë nuk bëhet me një klasë të tillë politike.

“Ratifikimi i Demarkacionit nuk nënkupton se Kosova direkt fiton liberalizimin e vizave, sepse kushti kryesor është luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe luftimi i këtyre dy dukurive negative nuk mund të luftohet me këtë klasë politikë të korruptuar, që nënkupton se këta duhet ta fusin vetveten në burg dhe një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Kështu që, edhe nëse ratifikohet demarkacioni, nuk do të ndodhë liberalizimi i vizave”, ka deklaruar ai.

Sipas Krasniqit, fillimisht duhet të izolohen politikanët, që mund të shkojnë në gjithë botën me pasaporte diplomatike dhe të vie një klasë e re politike.

“Ka mundësi edhe për shumë vite, ose do të kemi heqje të vizave me shumë kushte, njësoj sikurse tash që kemi regjim të vizave. Nëse miqtë tanë ndërkombëtarë na duan të mirën, atëherë duhet t’i izolojnë këta politikanë dhe izolimi për ta do të thotë pastrim i skenës politike. Me ardhjen në skenën politike një klasë e re politike, obligimet tona ndërkombëtare do të kryhen pa asnjë mëdyshje dhe çështja e liberalizimit të vizave do të ndodhte brenda pak kohësh, por një gjë e tillë nuk do të ndodh me klasën e vjetër politike, të cilët përveç që kanë bërë milionat, i kanë dyert e hapura në gjithë botën, qoftë me pasaporta diplomatike, qoftë me pasaporta të Shqipërisë dhe shteteve tjera, dhe ku e çajnë kokën ata se ky popull që është duke vuajtur, ose që i kanë futur në izolim”, është shprehur Faik Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat