Posti i Presidentit vazhdon të mbetet pjesë e pazareve politike

Politika

Posti i Presidentit vazhdon të mbetet pjesë e pazareve politike

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 12 dhjetor 2017 Në ora: 10:53
Foto ilustrim

“Të këtillë e konsideroj edhe miratimin e projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Presidentin, që po e vazhdon traditën e pazareve politike të partive, të cilat pushtetin dhe pozitat më të larta shtetërore i kanë preokupimin jetik, që përpiqen ta realizojnë duke modifikuar mënyra e forma sa më të lehta ligjore për zaptimin e tyre”, ka deklaruar Skënder Zogaj.

Image
Publicisti, Skender Zogaj

Shumë vite më parë, partitë politike në Kosovë kishin rënë dakord për zgjedhjen e presidentit nga populli. Madje, për këtë ishin mbajtur edhe diskutime publike, ku ishin paraqitur edhe kandidatë që synonin të kandidonin në rast se Presidenti do të zgjidhej nga populli. Por, një çështje e tillë u harrua ashtu siç u harrua edhe reforma zgjedhore. Tani, posti i Presidentit vazhdon të jetë pjesë e pazareve ndërmjet partive politike që bëjnë koalicione qeverisëse. 

Ditë më parë, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Presidentin e Kosovës.

Ligji për Presidentin

Ky Ligji ia jep mundësinë presidentit që të jap kontributin e tij pas përfundimit të mandatit, duke u mbështetur nga stafi i tij. Por, kjo nuk po vlerësohet se është bërë në interes të popullit, por për është bërë për pazare politike.

Analisti politik, Skender Zogaj ka thënë për “Bota sot” se në Kuvendin e Kosovës po miratohen ligje sipas tekave të gjithkujt, në vend se të miratohen projektligjesh që e çojnë përpara ndonjë kauzë të rëndësishme për qytetarët.

“Kuvendi i Kosovës është bërë si namazgjahu i Malishevës ku miratohen e s’miratohen projektligje për ndryshimin e ligjeve gjithfarëshe, për gjithçka e sipas tekave të gjithkujt që ka ndonjë ide për siklet pazare! Mirëpo, rrallë e më rrallë në Kuvendin e Kosovës mund të ketë miratime projektligjesh që e çojnë përpara ndonjë kauzë të rëndësishme për jetën më të mirë të shtetasve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Zogaj.

Po ashtu, ai ka shtuar se miratimin e projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Presidentin e konsideron vazhdim të pazareve politike të cilat përpiqen duke modifikuar mënyra e forma sa më të lehta ligjore për “zaptimin” e tyre.

“Të këtillë e konsideroj edhe miratimin e projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Presidentin, që po e vazhdon traditën e pazareve politike të partive, të cilat pushtetin dhe pozitat më të larta shtetërore i kanë preokupimin jetik, që përpiqen ta realizojnë duke modifikuar mënyra e forma sa më të lehta ligjore për zaptimin e tyre”, ka deklaruar ai.

Zogaj: Presidenti të zgjidhet nga populli

Për më tepër, ai ka theksuar se kjo ka qenë praktika e deritashme e zgjedhjes se Presidentit  dhe me sa po shihet po insistohet që të vazhdohet, edhe pse të gjithë e dinë se, mënyra më e mirë dhe e vetmja e dobishme për vendin është zgjedhja e Presidentit nga populli, me votën direkte të sovranit.

“Mirëpo, mendoj se, për këtë mënyrë tash për tash, pretendentëve  për postin e Presidentit nuk ua mban që të hipin ne kandarin e popullit, prandaj bëjnë makijazhe ligjore për të vazhduar lundrimin me kungull, derisa t'u shkojë mbi ujë. Votuesit e Kosovës nuk bëjnë mirë që flenë dhe përqyrraven, sepse për të gjitha këto marifeteve do ta paguajnë vet llogarinë”, ka përfunduar Zogaj.

Image
Analisti Faik Krasniqi

Ndërsa, analisti Faik Krasniqi e konsideron gabim votimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe sipas tij cenohet e drejta popullit që ta zgjedh me votë presidentin e tij.

“Me miratimin e projektligjit për ndryshimin e Ligjit për presidentin, konsideroj që deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë bërë një gabim të madh, sepse me miratimin e këtij projektligji i cenohet e drejta popullit që ta zgjedh me votë presidentin e tij”, ka thënë Krasniqi për “Bota sot”. 

Gjithashtu, ai ka shtuar se presidenti i Republikës së Kosovës duhet të zgjidhet direkt nga vota e lirë e popullit, pasi është faktori politik që është jashtë politikës partiake.

“Në gjendjen e sotme, presidenti propozohet dhe zgjidhet nga partitë politike në Kuvend dhe ndaj është në dorën e tyre. Presidenti duhet të përfaqësojë popullin direkt, pasi ai president që zgjidhet nga vota e lirë e popullit, është edhe ai që do ta ruaj drejtësinë në vend, sepse populli s’do të zgjidhte vetëm lojtarët, por edhe arbitrin e saj”, ka theksuar Krasniqi.

Presidentët e pazareve politike

Krasniqi, ka theksuar se presidenti është ai që ka në dorë shkarkimin e prokurorëve të korruptuar dhe ai që mund ta mbajë gjallë drejtësinë.

“Prokurorinë dhe ndaj ta shtyjë të shkojë përpara. Nëse presidenti do të zgjidhej nga populli, atëherë edhe partitë politike do të frikoheshin dhe si rrjedhim edhe ato do të punonin më mirë, sepse s’do të kishin tjetër alternativë”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.

Kurse, analisti tjetër, Faton Mehmeti ka thënë se është e papranueshme që Kosova ende nuk e zgjedh presidentin nga populli.

“Me miratimin e Ligjit për presidentin duhet të pasohet me zgjedhjen e presidentit nga populli. Është non sens që presidenti i popullit mos të zgjidhet nga populli, por shndërrohet në pazare mes partive politike”, ka thënë ai.

Image
Analisti Faton Mehmeti

Po ashtu, ai ka thënë se kjo nuk po ndodh pasi po iu shërben partive politike për pazare politike me rastin e koalicioneve për formimin e qeverisë. 

“I tillë është edhe tani, pasi në koalicionin aktual i është premtuar Pacollit të bëhet president pas mbarimit të mandatit të Thaçit. Pacolli që kërkonte që presidenti të zgjidhet nga populli, ka pranuar që të jetë president i pazareve. Duhet të inicioj opozita nismën që presidenti të zgjidhet nga populli”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat