Tema e “nxehtë” e Demarkacionit, Qeveria topin ia hedhë Kuvendit

Politika

Tema e “nxehtë” e Demarkacionit, Qeveria topin ia hedhë Kuvendit

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 14 dhjetor 2017 Në ora: 14:12
Pika kufitare Kosovë-Mali i Zi

Ditë më parë Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq ka thënë se çështja e Marrëveshjes së Demarkacionit është mbyllur për këtë shtet. Presidenti malazes tha demarkacioni është vetëm një çështje e brendshme e Kosovës.

Ndësa Qeveria e Kosovës e ka dërguar projektin e demarkacionit në Kuvend, ndërsa për ratifikimin e tij nevojiten 2/3 e deputetëve të Kuvendit.

Kryeministri Ramush Haradinaj tani tërë barrën për demarkacionin ia ka hedhur Kuvendit, duke ju dërguar në Kuvend marrësvhjen për votim në të njëjtën formë që një vit më parë e kishte kundërshtuar ashpër. Zyrtarë nga Qeveria thonë se tani projektligjin për demarkacionin e kanë dërguar në Kuvend dhe tani i mbetet atij dhe deputetëve të vendosin për këtë çështje.

“Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi dhe Raporti i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror i është dërguar Kuvendit të Kosovës dhe i mbetet tani Kuvendit të Kosovës dhe deputetëve të tij që të vendosin për këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e dërguar për “Bota sot”.

Ende nuk është caktuar ndonjë datë se kur do të mbahet seanca për Kuvendin, derisa ajo e fundit është mbajtur vetëm më një pikë të rendit të ditës, projektligji për buxhetin 2018. Tani po diskutohet nëse pozita i ka numrat e nevojshëm për të kaluar demarkacionin.

Image
Evgjeni Thaçi Dragusha

Thaçi: E pamundur të kalojë marrëveshja

Deputetja e PDK-së, Evgjeni Thaçi Dragusha në një përgjigje për “Bota sot” ka bërë të ditur se nga deklarimet e deritanishme të grupeve parlamentare është e pamundur që ky projektligj të kalojë tani për tani. Sipas saj, kjo çështje do të zgjidhet kur deputetët të kuptojnë rëndësinë e ratifikimit të demarkacionit për Kosovën.

“Meqenëse për kalimin e ligjit për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion duhen votat e 2/3 të deputetëve të Kuvendit, dhe duke marrë parasysh deklaratat e grupeve parlamentare, atëherë mund të them ky ligj nuk mund të kalojë në këto rrethana. Mendoj se kjo çështje do të zgjidhet vetëm nëse partitë do ta kuptojnë rëndësinë e ratifikimit të marrëveshjes dhe do të arrijnë t’i identifikojnë prioritetet për shtetin dhe qytetarët e Kosovës”, ka thënë deputetja Thaçi.

Image
Bajram Gecaj

Zvarritje e qëllimshme nga Qeveria

Nga ana tjetër, zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se qeveria aktuale e ka keqpërdorur çështjen e demarkacionit vetëm sa për të marrë pushtetin.

 Sipas tij, qeverisja aktuale po e zvarris qëllimisht këtë çështje sa për t’ia zgjatur jetën kësaj qeverie.

“Këtë e kemi thënë edhe ne në vazhdimësi. Megjithatë opozita e atëhershme e kishte (keq)përdorur këtë çështje për të marrë pushtetin me dhunë. Tani duket se i ka zënë “gjaku i vet” e nuk po dinë çfarë të bëjnë, edhe pse e dinë se marrëveshja është në rregull. Sa shoh unë, qëllimi është që kjo çështje të zvarritet sa më shumë, me shpresë se kjo mund t’i zgjasi jetën kësaj qeverie, me të dobtën që Kosova ka pasur. Edhe gjuajtja e “topit” në fushën e Parlamentit ka të njëjtin qëllim, pra zvarritjen dhe ikjen nga përgjegjësia”, ka theksuar ish këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa, Bajram Gecaj.

Image
Blerim Burjani

Vendi shkon në zgjedhje

Ndërkaq njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani thotë se ishte pikërisht kjo çështje që rrëzoi qeverisjen e kaluar dhe ata që e rrëzuan përfituan për të ardhur vetë në pushtet.

Ai ka thënë se nëse nuk ratifikohet demarkacioni, atëherë vendi pashmangshëm shkon në zgjedhje.

“Është  e saktë se demakracioni është problem i brendshëm në Kosovë si rezultat i luftës për pushtet në saje të këtij problemi u rrëzua qeveria, gjendja mbeti shkretë pa ndonjë zgjidhje për asnjë problem, disa parti të vogla e nxitën VV në Kuvend për veprime të paligjshme dhe bënë më të zëshmen dhe përfituan me prishjen qevevrisë së kaluar për të ardh vet në pushtet, kjo lojë politike i kushtoj shtrenjtë vetëm qytetarëve të Kosovës  që mbetën të izoluar pa liberalizim, kjo temë është mbyllur kaherë nga Mali i Zi, as arbitrazh pa dy palë s’ka, andaj s’ka gjë tash është një njeri në pushtet në saje të një teme sa të mbanë e mbanë, nëse nuk kalon demarkacioni shteti shkon në zgjedhje pashmangshëm”, thekson juristi Burjani.

Burjani shtoi më tutje se kjo është qeveri e anonimeve dhe njerëzve që s’merren me asgjë dhe kanë gjetur strehim punë, pra sipas tij janë punësuar nga politika për një kohë i kanë sjellë dëme të mëdha dhe shpenzime të mëdha shtetit.

“Në këtë shtet me këtë numër të madh të ministrive dhe ministrave , zëvendësministrave e këshilltarëve palidhje aq dëm i kanë bërë shteti në zhvatje të buxhetit që vështirë mund të rimëkëmben pasojat për dhjetë vjet të ardhshëm, zhvatje e këtij buxheti të qytetarëve po ndodhë pa ndalë me shpenzime enorme me padijshmëri  dhe analfabetizëm profesional”, ka përfunduar Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat