OVL e UÇK-së japin detaje për peticionin për Specialen, sa persona e kanë nënshkruar?

Politika

OVL e UÇK-së japin detaje për peticionin për Specialen, sa persona e kanë nënshkruar?

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 16 dhjetor 2017 Në ora: 15:47
UÇK

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë nisur dje një aksion për nënshkrimin e peticionit, me të cilin synojnë të arrijnë ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Tri organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, po kërkojnë ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të cilin ato po e konsiderojnë diskriminues dhe fyes ndaj Kosovës.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nuk mund të japin ndonjë shifër se sa nënshkrime kanë mbledhur deri tani.

Por, ai ka njoftuar se këtë do të mund ta bëjnë nga dita e hënë, derisa ka konfirmuar se peticioni do të dorëzohet të mërkurën.

Image
Xhavit Jashari

Ndërsa, i pyetur se a është nënshkruar peticioni nga ndonjëri deputet, Jashari ka thënë se kjo çështje është në ndërgjegjen e secilit prej tyre.

“Ne jemi duke grumbulluar nënshkrimet. Po besoj se nënshkrimi i peticionit është në ndërgjegjen e secilit deputet. Nëpër qendra po nënshkruhet peticioni, ndërsa sa i përket numrit, ne nuk e dimë saktë, sepse po presim që deri të mërkurën të dorëzojmë peticionin. Mund të them se në masë të madhe janë duke e nënshkruar peticionin, por nuk kam numër të saktë. Megjithatë, nga dita e hënë mund të flasim për shifra të përafërta se sa persona e kanë nënshkruar këtë peticion”, është shprehur Xhavit Jashari.

Ai më tej ka vlerësuar se Gjykata Speciale, është e njëanshme, pasi gjykon krimet e supozuara të shqiptarëve ndaj serbëve, e jo të kundërtën.

Jashari ka thënë lufta e UÇK-së ishte mbrojtëse dhe e drejtë kundër pushtuesit dhe okupuesit serb, e jo ndaj civilëve.

“Ne prej fillimit kemi qenë kundër krijimit të një gjykate të tillë e cila është krijuar njëanshëm për luftën, për popullin, për Republikën e Kosovës, sepse shkel kushtetutshmërinë, suprimon drejtësinë në Kosovë. Megjithatë, mendojmë se do të ishim darkorduar që të krijohet një gjykatë e tillë dhe mendoj se një gjykatë e tillë do të krijohej institucionet ose organet e drejtësisë të vendit tonë, por megjithatë, është e papranueshme Gjykata Speciale, sepse ajo është e njëanshme dhe kur kihet parasysh se ata që kanë bërë krime, ata që kanë bërë masakra, nuk dalin para drejtësisë, dhe kjo gjykatë nuk merret fare me ta. Mund të them se është një gjykatë politike, sepse njëanshëm, jo që degradon, por edhe njollos edhe luftën e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, ajo do të gjykojë ato krime, kinse të UÇK-së, kinse ata kanë bërë krime dhe kjo është e pavërtetë, sepse ushtarët e UÇK-së, dhe vet lufta e saj, ka qenë mbrojtëse dhe luftë e drejtë, ajo nuk është marrë me civilë, por ka zhvilluar luftë kundër pushtuesit dhe okupuesit të tokës sonë”, ka thënë për “Bota sot”, Xhavit Jashari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat