“Luftë” afatesh mes Haradinajt e Pacollit për vizat

Politika

“Luftë” afatesh mes Haradinajt e Pacollit për vizat

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 17 dhjetor 2017 Në ora: 08:34
Ramush Haradinaj dhe Behgjet Pacolli

Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Behxhet Pacolli, dhe shefit të tij ekzekutiv, Ramush Haradinajt, nuk po iu përputhen deklaratat e tyre për çështjet e rëndësishme të Kosovës, siç është rasti i fundit për datën e heqjes së vizave, ku kryeministri Haradinaj tha se qytetarët  e Kosovës do udhëtojnë pa viza në muajin mars, kurse zv.kryeministri Pacolli i hodhi poshtë deklaratat e tij, duke thënë se liberalizimi i vizave do ndodhë në muajin qershor.

Deputetë dhe analistë politikë ka thënë se këto deklarata të mos koordinuara në mes dy udhëheqësve të parë të shtetit, tregojnë një papërgjegjësi të qeverisë dhe se data për vizat është e papranueshme të jepet për arsye se Kosova ende nuk i ka plotësuar dy kushtet për liberalizimin e vizave.

Gaxherri: LDK po punon për largimin e Qeverisë Haradinaj

Image
Besa Gaxherri

Deputetja nga radhët e LDK-së, Besa Gaxheri, duke folur për këto deklarata kundërthënëse, ka thënë se qeveria çdo ditë e më shumë po tregon sa joserioze dhe jo e koordinuar është dhe se të gjithë e dinë që kryeministri Haradinaj nuk ka fuqi politike.

“Deklarimet kundërthënëse për çështjen e liberalizimit të vizave, por edhe për shumë çështje të tjera si p.sh demarkacioni e shumë tema tjera kundërthënëse në mes të kryeministrit Haradinaj dhe partive tjera në koalicion, na tregon çdo ditë e më shumë e më qartë se sa joserioze dhe jo e koordinuar është kjo qeveri. Të gjithë e dinë se Haradinaj është një person që nuk ka fuqi politike dhe në kuadër të qeverisë së tij ka vetëm dy ministri dhe në kuadër të grupi parlamentar i ka vetëm nëntë deputetë”, ka thënë Gaxherri për “Bota Sot”.

Ajo gjithashtu ka thënë se partia e saj po punon çdo ditë e më shumë që kjo qeveri të largohet, sepse sipas saj,  kjo është në dëm të qytetarëve.

“Ne po punojmë çdo ditë që këtë qeveri ta largojmë, sepse është qeveri e papërgjegjshme dhe në dëm të qytetarëve të vendit”, ka shtuar më tutje deputetja Gaxherri.

Haziri: Haradinaj dhe Pacolli në rolin e falltarëve

Image
Nexhat Haziri

Kurse opinionisti Nexhat Haziri, në prononcimin e tij, ka thënë se këto deklarata janë tallje me qytetarët dhe janë vetëm sa për të tërhequr vëmendjen e opinionit nga papërgjegjshmëria e qeverisë në të gjitha aspektet.

“Janë deklarata vetëm sa për konsum të brendshëm politik, për të tërhequr vëmendjen e opinionit nga papërgjegjshmëria e kësaj qeverie në të gjitha aspektet. Mos dakordanca në mes të kryeministrit Haradinaj dhe zëvendësit të tij Pacolli, sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, por edhe në procese të tjera, shpërfaq edhe një herë dilemën në opinion se kush më të vërtet është shefi i qeverisë, apo po bëhet një gare në mes zyrtarëve të qeverisë se kush është parashikues më i mirë në stilin e falltarëve. Kjo është tallje me qytetarët e vendit nga politikanë të papërgjegjshëm ”, ka thënë Haziri.

Mes tjerash, ai ia ka kujtuar qeverisë se për liberalizimin e vizave, Kosova duhet të plotësojë dy kriteret që i ka vënë Brukseli, demarkacionin dhe luftimin e korrupsionit, gjë që sipas tij, nuk po shihet ndonjë vullnet i kësaj qeverie për plotësimin e këtyre kritereve.

“Dihet se për ta marrë liberalizimin e vizave që do të bënte që qytetarët tanë të lëvizin lirshëm në zonën Shengen, Brukseli i ka vënë dy kritere që duhet t’i përmbush Kosova, ratifikimi në Kuvend i demarkacionit me Malin e zi dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në këto dy kritere nuk shihet ndonjë vullnet i kësaj qeveri për përmbushjen e tyre. Për aq kohë sa do ta kemi një qeveri të tillë, qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të jenë të izoluar dhe të pa perspektivë për të ardhmen”-, është shprehur më tutje Haziri.

Mehmeti: Qeveria nuk po mund të koordinojë gënjeshtrat

Image
Faton Mehmeti

Në anën tjetër, analisti Faton Mehmeti, ka thënë se kjo qeveri e papërgjegjshme  nuk po mund t’i koordinojë gënjeshtrat dhe prandaj, sipas tij, po dalin qesharak.

“Ramushi dhe Pacolli nuk po i koordinojnë rrenat, prandaj po dalin qesharak. Është non sens qe kryeministri thotë diçka tjetër dhe zv.kryeministri diçka tjetër për të njëjtën temë. Kjo nënkupton mos koordinim të gënjeshtrave, pasi të vërtetën nuk e thonë asnjëri. Vizat hiqen vetëm nëse plotësohen dy kushtet e kërkuara nga BE, pa u plotësuar këto s’ka shanse as të mendohet kjo çështje. Kjo qeveri e papërgjegjshme ndaj fjalës publike, është mirë të bëhet e sinqertë”, është shprehur Mehmeti.

Demarkacioni, nuk sjellë liberalizimin?

Image
Faik Krasniqi

Kurse Faik Krasniqi, analist politik, i cilëson shumë të guximshme këto deklarata, duke thënë se është e pamundur të ndodhë liberalizimi i vizave në datat e caktuara nga Haradinaj dhe Pacolli, pasi sipas tij Kosova ka ende punë për të bërë deri në plotësimin e kritereve të caktuara.

“Është shumë e guximshme deklarata e kryeministrit Haradinaj, dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Pacolli, se Kosova në mars të vitit të ardhshëm do të fitojë liberalizimin e vizave. Një gjë e tillë është e pamundur të ndodh. Kosova ka edhe dy kushte që duhet t'i përmbush për ta fituar liberalizimin e vizave. Edhe nëse bëhet ratifikimi i Demarkacionit, kjo nuk nënkupton se Kosova direkt fiton liberalizimin e vizave, sepse kushti kryesor është luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe luftimi i këtyre dy dukurive negative nuk mund të luftohet me këtë klasë politike të korruptuar, që e kanë instaluar korrupsionin në çdo pore të saj. Por, mbetet akoma e paqartë se çfarë epilogu do t'i jap Qeveria e Kosovës Demarkacionit me Malit të Zi, kur dihen qëndrimet e kryeministrit Haradinaj lidhur me versionin e vjetër. Prandaj, nuk besoj që BE-ja do ta bëjë një sy qorr për heqjen e këtyre dy kushteve të mbetura, dhe njëkohësisht është e pabesueshme se si do ta bindin BE-në për këtë kusht, që të japin edhe afate se kur do të ndodh liberalizimi i vizave”, është shprehur për “Bota sot”, Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat