“Frika” e partive politike në Kosovë!

Politika

“Frika” e partive politike në Kosovë!

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 18 dhjetor 2017 Në ora: 13:52
Kuvendi i Kosovës, pamje nga seancë e mëhershme

Ditë më parë është kërkuar nga zyrtarët e partive politike që të bëjnë publike burimet e financave të tyre, pasi ka kohë që partitë ngurrojnë të flasin rreth financimit të tyre.

Përfaqësues të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike në një tryezë të organizuar kanë deklaruar se asnjë subjekt politik nuk ka treguar transparencë për financimin e tyre.

Arton Demhasaj nga ‘Çohu’, ka thënë se  asnjë nga partitë politike në Kosovë nuk e kanë  zbatuar ligjin në fuqi,  duke  mos i publikuar financat lidhur me zgjedhjet parlamentare të këtij viti,  ku nuk kanë treguar as prejardhjen e tyre për financimin e fushatës.

Image
Arton Demhasaj

Ndërkaq, Erëza Pula nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka thënë se asnjë parti politike nuk i ka publikuar raportet financiare, andaj ka kërkuar që me ligj të përfshihet publikimi i raporteve për financa në mënyrë që të ngritët transparenca.

Gazeta “Bota sot”,  ka provuar të kontaktojë përfaqësuesit e partive politike për të komentuar çështjen e financimit të tyre, mirëpo asnjë nga përfaqësuesit e tyre nuk e kanë dashur të flasin për këtë çështje, duke zgjedhur edhe njëhëre heshtjen.

Megjithatë, njohës të çështjeve të ekonomisë dhe atyre kushtetuese kanë thënë se partitë politike nuk duhet të frikësohen nga publikimi i financave të tyre.

Partitë të jenë transparente

Kështu profesori dhe njohësi i çështjeve ekonomike, Muhamet Mustafa në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur se partitë politike nuk do të duhej të frikoheshin që t’i bënin plotësisht transparente librat financiarë të tyre, sikur të punonin gjithçka në bazë të Ligjit.

Image
Muhamet Mustafa

“Duket simptomatike se pse  ato nuk pajtohen që ata libra të auditohen nga Auditori i përgjithshëm i Kosovës, aq më parë që nëse  financohen nga buxheti i Kosovës , proporcionalisht me rezultatin në zgjedhje. Nëse dikush merr para nga buxheti në asnjë mënyrë nuk mund të refuzojë auditimin e Auditorit të përgjithshëm të Kosovës së paku për ato fonde, po sa jam informuar unë ato refuzojnë auditimin nga autoriteti suprem i auditimit në Kosovë”, theksoi profesori Mustafa.

Sipas tij, problemi është edhe më i madh lidhur me fondet e tjera, të cilat supozohet se nuk kalojnë nëpër libra financiarë sipas standardeve.

“Dhe kjo ndërlidhet sidomos në kohe zgjedhjesh, kur kontributet dhe donacionet ndërlidhen edhe me favore nga fituesi  i zgjedhjeve. Ajo që ka qenë interesante dhe befasuese për mua, kur kam qenë anëtar i Komisionit për buxhet, ishte se në këtë çështje, në mos gatishmërinë për transparencë të plotë të partive politike, ka pak dallime midis partive politike, pra pajtohen me status kuone dhe Ligjin ekzistues. Avansimi i legjislacionit  deri tek standardet ndërkombëtare dhe zbatimi i tij i përpikte kur është fjala për financimin e partive politike  dhe zbatimi i tij i përpiktë është një nga parakushtet shumë të rëndësishme për demokracinë tek ne të bazuar në transparencë dhe përgjegjësi”, ka thënë Mustafa.

Ai ka sqaruar gjithashtu pse është kaq e rëndësishme transparenca e partive sa i përket financave.

“Ndërlidhja e grupeve të ngushta të interesit politik e ekonomik, fillon edhe këtu dhe pastaj zgjerohet me problemet në prokurimin publik. Ja se pse është kjo shumë me rëndësi”, ka përfunduar Mustafa.

Arsyet e fshehjes së financave

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi, ka thënë se partitë politike i fshehin financat për shkakun se është e vështirë të mbulohen të hyrat.

Image
Muhamet Kelmendi

“Në kuadër të gjendjes financiare të subjekteve janë tri forma të financimit. Ato konsistojnë: në vetëfinancim; në financat që vijnë nga shteti dhe në financat vullnetare nga subjektet ekonomike e financiare”, ka deklaruar Kelmendi.

Ai ka thënë më tutje se partitë politike nuk duhet që për shkak të financave të shndërrohen në forcë të krimit dhe të korrupsionit.

“Këto nuk janë në gjendje të i tregojnë, sepse ka një ligj që tregon se si duhet të financohen dhe sa! Çështja është çdo herë e ruajtjes së pavarësisë së subjektit politik. Pse? Sepse subjekti nuk duhet kurrë që për shkak të financave të shndërrohet në forcë të krimit dhe të korrupcionit. Dhe kjo është në Kosovë. Ndaj i fshehin financat e veta”, ka theksuar njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi.

Fshehja e donatorëve

Image
Blerim Burjani

Kurse, analisti politik Blerim Burjani, ka deklaruar se fshehja e financave të partive politike ka të bëjë me çështje të korrupsionit.

“I fshehin bizneset dhe bashkëpunimin me lloj-lloj biznesi, e që mund të ketë donator të partive të cilat kryejnë vepra të ndryshme penale, shpërlarja e parave dyshohet të bëhet përmes donacineve që dhurojnë ndërmarrjet dukeiu shmangur problemeve me shtetin”, theksoi ai.

 Sipas Burjanit, dyshime të mëdha deri më tash janë ngritur në opinionin publik. Ai ka thënë se shpresat për zbardhjen e paligjshmërive në Kosovë janë humbur për shkakun se në pushtet janë njerëz të pasuruar nga politike dhe të varfër nga edukata.

“Interesant asnjëherë deri më tash prokuroria nuk ka reaguar apo vepruar për të zbardhë gjendjen se çfarë fshihet prapa partive politike, të cilat janë të varfëra dhe kryesisht të varfërit merren me politikë dhe që janë pasuruar nga politike nëse veq i themi kësaj politikë, se kjo i bie të jetë analfabetë të pashkollë ose të edukuarit të merren me këtë zanat për të bërë para, pushtet dhe fuqi. Deri më tash është humbur shpresa se kjo paligjshmëri dhe këto dyshime mund të zbardhen përderisa janë në pushtet njerëz të tillë të pasuruar nga politika e dikur ekstremisht të varfër dhe të paedukuar”, ka përfunduar Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat