“100 ditëshi i Haradinajt, çdo ditë nga një skandal”

Politika

“100 ditëshi i Haradinajt, çdo ditë nga një skandal”

Nga: Arbnore Zhushi Më: 21 dhjetor 2017 Në ora: 17:31
Ramush Haradinaj, pamje nga mbledhje e mëhershme e Qeverisë

Qeveria e ndërtuar nga koalicioni PDK-AAK-NISMA-AKR dhe Lista serbe, dje ka shënuar 100 ditëshin e punës së saj.

E raportin për punën 100 ditëshe të Qeverisë, e ka dorëzuar dje kryeministri Ramush Haradinaj tek presidenti Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli.

Këta të fundit, lëvduan punën e kryeministrit, mirëpo fjalë të mira për punën e Haradinajt, nuk ka analisti i çështjeve politike Nexhat Haziri.

Haziri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka komentuar për 100 ditëshin e punës së Qeverisë, duke e cilësuar secilën ditë si skandaloze.

Ai ka thënë se kjo periudhë, është karakterizuar nga shtimi i numrit të zëvendësministrave, emërimet familjare, vendimet kontraverse të qeverisë dhe premtime boshe nga Haradinaj.

Haziri e ka quajtur skandal edhe gjuajtjen me armë në festën e Fatmir Limajt, ku ishin të përfshirë zëvendëskryeministri Dardan Gashi dhe zyrtarë të tjerë.

 “100 ditëshi i qeverisë Haradinaj mund të vlerësohet si çdo ditë nga një skandal, apo vetë kjo Qeveri është skandal në vete, dhe është shumë e vështirë të gjesh diçka që e ka karakterizuar këtë qeveri në ndonjë proces pozitiv për vendin. Shpresoj që kjo periudhë t’i ketë shërbyer Haradinajt për reflektim dhe vetëdijësim të tij se vendi nuk udhëhiqet me gjoks apo me mentalitetin e “festave me alltia”, e që kjo e fundit përbën një skandal në vete ku ishin të përfshirë edhe zëvendëskryeministri Gashi dhe zyrtarë të tjerë”, është shprehur Haziri.

Ndërkaq, premtimin e kryeministrit se brenda tre muajsh do të liberalizohen vizat pas marrjes së mandatit, Haziti e ka quajtur mashtrim.

Image
Nexhat Haziri

Sipas tij, Haradinaj, duhet të kërkojë falje qytetarëve për këtë "mashtrim".

“Kjo periudhë u karaktarizua vetëm nga shtimi i numrit të zëvendësministrave, emërime familjare, vendime kontraverse të qeverisë, premtime boshe siç ishte ai për liberalizimin e vizave në afat prej tre muajsh, premtim ky që është bërë nga Haradinaj ditën e parë të marrjes së mandatit të tij për kryeministër, për çka duhet t’iu kërkoj falje qytetarëve të Kosovës për këtë mashtrim. Po ashtu gjatë kësaj periudhe 100 ditëshe të qeverisë Haradinaj, vendi u izolua, për faktin se shumë zyrtarë të BE-së në Bruksel nuk duan që të dalin në konferenca për shtyp me liderët shtetëror të Kosovës, kanë shumë pak vizita apo pritje, të homologëve të tyre, pra këtu mendoj të Thaçit dhe të Haradinajt, deri sa imazhi i Kosovës vazhdon të përkeqësohet”, ka vlerësuar Nexhat Haziri.

Ai ka komentuar edhe për rritjen e energjisë elektrike, duke thënë se as arritja e marrëveshjes për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, nuk do t’i sjellë përfitime vendit.

“Në aspektin social, kjo qeveri në këtë periudhë të saj 100 ditore, me shtrenjtimin e energjisë elektrike për 18 %, dërgoi një mesazh të keq, se gjendja sociale e qytetarëve tanë do të jetë akoma më e rënduar, dhe mos të flasim për zhvillim ekonomik apo hapje të vendeve të reja të punës, edhe pse Haradinaj krekoset gjoja për një marrëveshje për Termocentralin “Kosova e Re”, projekt ky që në mënyrën e arritjes së marrëveshjes nuk do t’i sjellë as përsëafërmi fitim Kosovës, ashtu siç po trumbetohet. E mira e mirës, është që kjo qeveri mos ta ketë më gjatë se sa edhe një 100 ditësh tjetër, në të kundërten vazhdimi do të thotë ditë të këqija e presin Kosovën”, ka shtuar për “Bota sot”, analisti Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat