“Nasim Haradinaj, fundërrina që zhvat në emër të vlerave të luftës”

Politika

“Nasim Haradinaj, fundërrina që zhvat në emër të vlerave të luftës”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 23 dhjetor 2017 Në ora: 21:11
Nasim Haradinaj

“Punë e madhe që janë vrarë anëtarët e LDK-së”, ishte deklarata e Nasim Haradinajt, nënkryetar i OVL-UÇK-së, derisa ka folur për vrasjet politike.

E një deklaratë e tillë nxiti reagime të shumta nga vetë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe analistë të shumtë.

Haradinaj, madje tha se nuk ka pse të kërkojë falje, pasi sipas tij pse janë vrarë të LDK-së, nuk mund të thuhet se kanë qenë vrasje politike dhe që nuk mund të viktimizohen partitë me vrasje të tilla.

Reagimi i LDK-së

Pas deklaratës së Haradinajt, kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetarët e Degëve të LDK-së, kanë reaguar ashpër.

“Gjuha e përdorur nga z.Nasim Haradinaj është e papërgjegjshme, e turpshme dhe e pamoralshme dhe ne besojmë se një deklaratë e tillë nuk përfaqëson qëndrimin e këtyre organizatave. Gjithashtu, kërkojmë nga bashkëluftëtarët e z. Haradinaj që të distancohen menjëherë nga deklaratat e tij.  Lidhja Demokratike e Kosovës është e vendosur që rastet e vrasjeve të intelektualëve të shquar që ishin pjesë e LDK-së, por edhe të gjitha krimet e kryera në Kosovë, të zbardhen nga organet e drejtësisë”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Ndërsa, shefi i GP-së së LDK-së, Avdullah Hoti në një konferencë për media e quajti deklaratë skandaloze, deklaratën e Haradinajt, derisa kërkoi që Qeveria të distancohet nga persona të tillë.

“Është një deklaratë, skandaloze, jashtë etike njerëzore dhe humane, është fyerje për familjarët e të rënëve, unë pres që anëtarët tjerë të kësaj organizate dhe Qeveria të distancohen nga persona të tillë”, tha Hoti.

Zhvatja në emër të luftës

Image
Skënder Zogaj

Për këtë deklaratë, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti i çështjeve politike Skënder Zogaj, i cili ka thënë se ka mbeturina kriminale që kanë mbetur dhe janë bërë pjesë e armikut.

“Mbeturinat kriminale të cilat në rrethanat dramatike të dhunës dhe terrorit serb, kur shqiptarët janë vrarë e masakruar nga armiku, rrugaçë të mjerë kanë shfrytëzuar rastin e përfitimit të situatës për të përfituar nga tragjedia e vendit dhe e popullit të tyre. Mbeturinat e këtilla, për fat të keq, ia kanë arritur qëllimit duke abuzuar me gjakun e derdhur, duke u bërë pjesë e armikut tinëzisht duke qëlluar prapa shpine, vrarë vëllezërit e vet, bijtë dhe bijat më të mira atdhetare. Mbeturinat e këtilla duke vrarë figurat më brilante shqiptare, e kanë vra lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, që edhe sot, 18 vjet pas luftës, nuk po mund të pastrohet nga krimi dhe korrupsioni, sepse kriminelët, siç po e shohim të gjithë, në vend se të dënoheshin për krimet e bëra, qëndrojnë në krye të shoqatave dhe asociacioneve të ndryshme të luftës, dhe na mbajnë leksione për komb e atdhe dhe, këto fundërrina zhvatin në emër të vlerave të luftës”, ka deklaruar ai.

Sipas Zogajt, i tillë është edhe Nasim Haradinaj.

“I këtij lloji është edhe Nasim Haradinaj, ky kriminel faqezi që nuk i duket punë e madhe vrasja e figurave më të kristalta të atdhetarisë, siç janë kolonel Ahmet Krasniqi, Tahir Zemaj, Sabehate Tolaj, Xhemajl Mustafa, Smajl Hajdaraj, Ukë Bytyci, Enver Maloku, Ismet Raci, Shaban Manaj,etj. etj. vlera të pazëvendësueshme njerëzore e atdhetare. Nasim Haradinaj nuk është përfaqësues i UÇK-së, por është vrasësi i UÇK-së, është pjellë e mallkuar, e cila krekoset për vrasjet e bëra. Në fakt të këtillët janë në zavall, prandaj e kanë humbur toruan, nga frika se, për krimet e bëra do të vie dita kur do ta marrin dënimin e merituar. Gjykata Speciale është vetëm fillimi, sepse, me të nuk përfundojnë llogaridhëniet”, është shprehur Zogaj për “Bota sot”.

“Nasimi le të vazhdojë t'i gëzohet vrasjeve të shqiptarëve”

Image
Fadil Kajtazi

Ndërsa, eksperti i sigurisë Fadil Kajtazi shpjegon se serbët janë ata që i gëzohen më së shumti vrasjes së shqiptarëve dhe për këtë ai ka marrë shembull historinë.

“Nuk është e vështirë të ja qëllosh se kush gëzohet për vrasjen e shqiptarëve, ata janë armiqtë e tyre, në radhë të parë serbët. Dhe po ta shikosh këtë histori ajo i ka rrënjët që në vitin 1881, kur Serbia me ndihmën e Rusisë dhe Francës harton "Planin mbi viset arnaute". Si pjesë e këtij plani ka qenë edhe dërgimi në Kosovë i 29 priftërinjve rus dhe 16 serb, të cilët kanë shërbyer si hoxhallarë. Operacioni për udhëheqjen e tyre është zhvilluar nga Manastiri i Deçanit dhe me të ka udhëhequr prifti Dionisije. Këta popa "hoxhallarë" mes tjerash kanë pasur detyrë që të hartojnë listën prej 6000 shqiptarëve, personalitete të shquara për tu likuiduar. Me 1912, me të hyrë në Kosovë ushtria serbe e realizoi me përpikmëri këtë listë. Që atëherë e deri më sot ne jemi dëshmitarë të vrasjeve të personaliteteve të shquara shqiptare nga "dora e zezë" e që pjesa më e madhe e tyre është realizuar mirë falë kombinimeve që kanë bërë shërbimet e fshehta serbe”, thekson Kajtazi.

Ai ka thënë se Nasimi le të vazhdojë t’i gëzohet vrasjeve të shqiptarëve, por një ditë kur të mësohen emrat e atyre që janë të përfshirë, disa do të turpërohen dhe pendohen.

“Në kohët e vonshme, gjatë viteve të nëntëdhjeta, vrasja e personaliteteve të shquara të jetës politike dhe intelektuale të shqiptarëve të Kosovës gjithashtu kanë qenë pjesë e kombinimeve të agjenturës influente serbe. Ata të kamufluar në "patriotë të zjarrtë" kanë krijuar kombinime dhe kanë cytur djem të rinj që të përfshihen në këto akte gjoja në emër të patriotizmit. Për shembull, në zonën e Dukagjinit, gjatë luftës, bashkëpunëtori i shërbimit serb "JAGLIQ" i infiltruar lart në kuadër të hierarkisë së UÇK-së ka bërë edhe këtë punë; futjen e përçarjes mes shqiptarëve dhe krijimin e kombinimeve për organizimin e vrasjeve. Kur një ditë do të zbardhen këto skema, kur të shohin njerëzit se si serbët kanë festuar pas çdo vrasje të kësaj kategorie, dhe kur të mësohen emrat e atyre që kanë qenë pjesë "e lojës" disa do të turpërohen dhe pendohen. Nasimi le të vazhdojë t'i gëzohet vrasjeve të shqiptarëve”, ka deklaruar për “Bota sot”, Fadil Kajtazi.

Vrasjet për interesa personale

Image
Arbër Gashi

Në anën tjetër, njohësi i zhvillimeve politike Arbër Gashi nuk është befasuar nga deklarata e Haradinajt.

“E dëgjova me shumë vëmendje deklaratën e Nasim Haradinaj dhe për veten time mund të them se nuk jam aspak i befasuar me përmbajtjen, bile deri në një masë, as me çiltërsinë e saj, për arsye se gjatë asaj kohe, gjë që tashmë dihet botërisht, cak i sulmit politik, ushtarak dhe policor i të ashtuquajturës Drejtori Politike të UÇK-së (pjellë e PS të Shqipërisë dhe SHISH), kanë qenë kryesisht institucionet e shtetit të Kosovës. Pra, këtë fakt, sado i dhimbshëm që të jetë për shqiptarët dhe Kosovën, sado i papranueshëm që të duket, është i vërtetë dhe duhet ta themi hapur e ta pranojmë botërisht se, ata që ishin besnik në respektimin e vullnetit demokratik të kombit, të luftës institucionale për liri dhe pavarësi të plotë për Kosovën e shqiptarët, e kanë humbur luftën”, është shprehur ai.

Sipas Gashit, ishte koha kur për interesa të veta politike, ishin në gjendje të vrasin.

“Të gjithë duhet ta pranojmë, se luftën e ka fituar krahu puçist, majtist-komunist, pra, bandat kriminale që nuk e njohën kurrë Deklaratën e Pavarësisë, Kushtetutën e Kaçanikut dhe institucionet e shtetit që i shpallën në mënyrë demokratike shqiptarët e Kosovës. Dihet botërisht edhe kjo, se ata e fituan luftën për pushtet të pakufizuar në Kosovë, me ndihmën logjistike të shtetit shqiptar, përkatësisht qeverisë socialiste të asaj kohe, e cila, për interesat e veta politike dhe për të ruajtur marrëdhëniet tradicionalisht shumë të afërta me Serbinë, ishte në gjendje të vrasë secilin shqiptar të Kosovës, e sidomos ata që e mbështesnin pa asnjë rezervë luftën institucionale dhe Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës. Historia e luftës së fundit është një ripërsëritje në miniaturë e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kohë kur komunistët i shkatërruan tërësisht institucionet e Shqipërisë së Bashkuar etnike, duke i masakruar deri në përmasë gjenocidi intelektualët shqiptarë dhe veçanërisht shqiptarët e Kosovës”, ka thënë Gashi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat