Gjykata “dorëzohet” përballë Kadri Veselit!

Politika

Gjykata “dorëzohet” përballë Kadri Veselit!

Alubulenë Muji Nga Alubulenë Muji Më 26 dhjetor 2017 Në ora: 07:51
Albin Kurti dhe Kadri Veseli

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli  është dashur që të dëshmojë në seancën ku deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje janë të akuzuar për  gazin lotsjellës të hedhur në Kuvendin e Kosovës.

Por, ditë më parë, prokurori Vesel Gashi ka hequr dorë nga dëgjimi i Kadri Veselit në cilësinë e dëshmitarit në procesin gjyqësor ndaj Albin Kurtit, me arsyetimin se dëshmia e tij është e ngjashme me atë të dëshmitarëve të tjerë.

Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar propozimet për ndërprerje të masës së paraburgimit për deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Donika Kadaj-Bujupi, ndërsa seanca e radhës ku do të jepet vendimi përfundimtar për këtë proces, është caktuar më 29 dhjetor 2017 në ora 09:00.

Nga Lëvizja Vetëvendosje mos dëshmimi i Veselit në Gjykatën shihet si kapje ndaj shtetit, ndërsa nga njohësit juridike vlerësohet se Veseli duhet të dëshmojë rreth hedhjes së gazit në Kuvend.

Drejtësia selektive

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla ka thënë për “Bota sot” se VV-ja në vazhdimësi ka deklaruar se drejtësia është selektive dhe e  kapur, ku gjykatësit e prokuroret caktohen përmes bisedave telefonike të politikaneve.

“Është vazhdimësi e asaj që ne e kemi deklaruar vazhdimisht që në Kosovë ka drejtësi selektive dhe drejtësi te kapur. Në një sistem ku gjykatësit e prokuroret caktohen përmes bisedave telefonike të politikaneve nuk mundet asnjëherë të ketë drejtësi të fakteve e sundim te ligjit”, ka deklaruar Sveçla.

Image
Deputeti i Vetëvendosjes, Xhelal Sfeçla

Gjithashtu, ai ka deklaruar se Veseli ia ka bërë me dije gjykatësit që të mos e ftojë të paraqitet në gjykatë.

“Kadri Veseli ia bëri me dije Kalludrës që nuk mundet gjykata të ftojë Kadriun nëse ky nuk ka vullnet për t’u paraqitur vet. Çdo ditë, shumë e më shumë, po vërtetohen ato që ne vazhdimisht kemi thënë për drejtësinë, për kapjen e shtetit, për krimin e organizuar që ushtron pushteti i pronto klanit mbi aktivistët e Lëvizjes dhe në përgjithësi mbi të gjithë që nuk mendojnë si ata vet”, ka thënë Sveçla për “Bota sot”.

Arsyetim paragjykues

Ndërsa, avokati Adrian  Gjoshi ka thënë për “Bota sot”, se sipas informatave të tij prokurori i shtetit është tërhequr nga dëgjimi i Kadri Veselit si dëshmitar, pasi që dëshmia e tij është e njëjtë me dëshmitarët e tjerë.

“Sa kam mundur te informohem përmes mediave, prokurori i shtetit është tërhequr nga dëgjimi i Kadri Veselit si dëshmitar, pas një shtyerje të seancës, me arsyetimin se dëshmia e tij do të ishte e njëjtë me ato që kanë dhënë dëshmitarët tjerë”, ka theksuar ai.

Image
Avokati, Adrian Gjoshi

Sipas, Gjoshit ky arsyetim i është paragjykues pasi që nuk dihet së çfarë do të thotë dëshmitari dhe se avokati mbrojtëse nëse e sheh se deklarata e Veselit është e rëndësishme duhet të propozojë si dëshmitar.

“Edhe pse për mua, kjo ky arsyetim është paragjykues, sepse nuk mund të dihet se çfarë do të deklaroj një dëshmitar në gjykatë, pavarësisht dëshmive që mund t'i ketë dhënë para policisë dhe/ose prokurorisë. Mirëpo nëse mbrojtja konsideron se dëshmia e Kadri Veselit është e rëndësishme për zbardhjen e këtij rasti, atëherë avokatet mbrojtës mund ta propozojnë përsëri si dëshmitar”, ka theksuar Gjoshi.

 Veseli të dëshmojë për hedhjen e gazit

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike,  Blerim Burjani, ka thënë se gjykatësi është ai që vendos për dëshmitarët kur duhet të dëshmojnë.

Image
Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Bujrani

“Është çështje e gjykatës për të vendos për dëshmitaret se kur të dëshmojnë, kjo nuk do të thotë se është liruar për të e mos dëshmuar”, ka thënë Burjani për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka thënë se Veseli  duhet të dëshmojë për hedhjen e gazit në Kuvendin e Kosovës.

“Kuptohet se si kryeparlamnetar do të dëshmojë për aktivitet e VV të cilët kanë hedh gaz lotsjellës në Kuvend”, ka përfunduar Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat