Asnjë sukses e shumë dështime, Abazi tregon gabimet më të mëdha të Qeverisë Haradinaj

Politika

Asnjë sukses e shumë dështime, Abazi tregon gabimet më të mëdha të Qeverisë Haradinaj

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 28 dhjetor 2017 Në ora: 21:52
Haki Abazi

Pas një bllokade institucionale, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të mbajtura me 11 qershor, u formua Qeveria e Kosovës me 9 shtator.

Kreu i kësaj qeverie që u zotua për vendime të mëdha, u kritikua mjaft për vendimet që mori deri tani si udhëheqës i ekzekutivit.

E për gazetën “Bota sot”, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Haki Abazi, ka analizuar punën e Qeverisë për vitin 2017, duke përmendur sukseset dhe dështimet.

Ai e quan kaotike periudhën pas zgjedhjeve, derisa sipas tij, aprovimi i termocentralit është gabimi më i madh historik që është bërë dhe që lë pasoja të mëdha.

“Periudha pas zgjedhjeve dhe krijimit të institucioneve është karakterizuar me një situatë kaotike, me shumë të paditura por ajo që është pritur edhe ka ndodhur që nuk ka koherencë të veprimit përbrenda. Gabimi më i madh historik i kësaj strukture është aprovimi i termocentralit që lë pasoja direkte, financiare, ekonomike, në shëndetin e publikut dhe mjedisor, duke e mbyllur Kosovën në një rreth që është kundër trendeve në gjithë botën. Kjo që është bërë është arsyetuar me kinse investim direkt ndërkombëtar, por ne e dimë mirë që askush nuk i sjell investimet për të bërë diçka për veten në fakt sikur edhe në rastin e Ferronikelit ajo që po ndodhë është helmimi i popullatës për shkak të pamundësisë për të rezistuar presionit politik dhe mungesës së vizionit zhvillimor”, është shprehur Abazi.

Ai vlerëson se koalicioni me PDK-në po e fundosë Kosovën dhe se në qeveri ka sekserë dhe se për demarkacionin po tentohet t’i vihet faji opozitës.

“Me shume respekt kam qëndruar i kujdesshëm në analizën e 100 ditëshit të parë duke pritur që në fakt do të ndodhë mrekullia por një koalicion me PDK-në i ka vendosur të gjithë në anijen që po e fundosë Kosovën bashkë me ata. Zgjedhjet nacionale kanë qenë me shumë probleme, kemi në qeveri sekserë që nuk kanë asnjë lloj përkrahje nga publiku që po ashtu janë në koalicion me PDK-në që edhe në zgjedhjet nacionale por sidomos në zgjedhjet lokale kanë pësuar disfatën më të madhe që ndokush ka mundur te paramendojë. Tani i gjithë veprimi i këtyre aktorëve është në nivel provincial dhe inatçorë. Përbrenda qeverisë ka tri qëndrime për demarkacionin dhe po tentohet të ju hidhet faji opozitës. Në fakt lëmshi që është krijuar nga PDK po tentohet tani të shitet si sabotim i opozitës. Kjo nuk është as parimore e as e ndershme”, ka vazhduar me tëj ai.

Abazi përgjegjës për gjithë izolimin e Kosovës, ku kemi pasur serialet e Pronto-s, por që nuk ka pasur arrestime.

“Përgjegjësia për gjithë bllokadën dhe izolimin dhe përjashtimin e Kosovës vjen nga PDK-ja dhe krimi i organizuar dhe korrupsioni. I keni parë disa seriale të PRONTO-s dhe sot nuk kemi asnjë të arrestuar përkundrazi ata po udhëheqin me drejtësinë, ekonominë e Kosovës. Këtu duhet shtuar edhe rolin destruktiv të vazhdueshëm që ka luajtur dhe vazhdon të luajë AKR dhe Pacollët në përgjithësi duke qenë një element i paditur përbrenda politikës së Kosovës. Në shumë takime ndërkombëtare përqeshet me përfaqësimin e diplomacisë së Kosovës nga Pacolli”, nënvizon ai.

Haki Abazi tregon edhe gabimin e dytë më të madh që ka bërë Qeveria Haradinaj, e që është tentimi për të shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale.

“Gabimi i dytë më i madh që ka bërë qeveria Haradinaj është bashkëpunimi që ka treguar në tentimin për të shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale. Ky është një gabim i pafalshëm sepse e ka shtuar joseriozitetin e funksionimit të shtetit të vendit në raport me bashkësinë ndërkombëtare. Nuk më intereson çka thonë ambasadorët por më intereson shkalla e seriozitetit dhe sa e lehtë është që një individ në këtë rast Thaçi vazhdon të sabotojë dhe abortojë funksionin e shtetit dhe mekanizmave të saja. Ky shtet me këta njerëz nuk mund të merret seriozisht në asnjë mënyrë, sidomos kur i njëjti ligj është aprovuar me të dredhur të krahut të deputetëve, pikërisht nga Thaçi dhe eksponentët e tij”, ka deklaruar ai për gazetën “Bota sot”.

Ai thotë se këta njerëz nuk e kanë hallin që të zgjidhin problemet e vendit por tek e ardhmja e tyre.

“Nëse është bërë gabim në atë kohë, atëherë ata duhet të marrin mësim që nuk shkohet në negociata me njerëz që nuk kanë asnjë përvojë dhe as nuk dërgohen njerëzit që nuk dinë asnjë fjalë anglisht për të negociuar marrëveshje të ndjeshme. Paramendojeni që kane dashur të shfuqizojnë një ligj që i kërcënon interesat e tyre dhe nuk janë në gjendje të merren seriozisht me demarkacionin ose gabimin historik për fusnotën. Këta njerëz nuk e kanë hallin te shteti e kanë hallin te e ardhmja e tyre dhe frika për konfiskimin e pasurive që kanë si rezultat i hapjes së temave pas fillimit të të punës së gjykatës”, ka thënë ai.

Sa i përket suksesit, Abazi thotë se e ka vështirë të gjej një të tillë në qeverinë Haradinaj.

“E kam shumë të vështirë të gjej suksesin më të madh edhe pse do të kisha dashur të jem po aq optimist sa kam qenë kur ka filluar qeveria Haradinaj por më vjen keq të them që sukseset janë minore dhe dosido kanë rënë në hijen e dështimeve dhe vendimeve të gabuara që janë bërë deri tani”, ka përfunduar Haki Abazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat