Rreziku nga aktakuzat e Gjykatës Speciale, Qeveria pa strategji për sfidat e mëdha

Politika

Rreziku nga aktakuzat e Gjykatës Speciale, Qeveria pa strategji për sfidat e mëdha

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 6 janar 2018 Në ora: 23:00
Qeveria Haradinaj

Institucionet e Kosovës i presin sfida të ndryshme gjatë vitit 2018. Ato duhet t’i japin një epilog Marrëveshjes së Demarkacionit, themelimit të Asociacionit, formimit të ushtrisë së Kosovës, bisedimeve të ardhshme me Serbinë në Bruksel dhe duhet të menaxhojnë situatën, pas fillimit të ngritjes së aktakuzave të para nga ana e Gjykatës Speciale. Por, Qeveria Haradinaj nuk ka asnjë plan për këto çështje që duhet të kryhen gjatë këtij viti.

Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj nuk e ka një strategji të mirëfilltë për t’i përballuar problemet madhore të vendit gjatë vitit 2018.

Kjo për faktin se ajo nuk ka bërë të ditur për opinionin publik një plan të qartë të veprimit se si do të veprojë në rast të eskalimit të situatës pas ngritjes së aktakuzave të para nga ana e Gjykatës Speciale.

Ekzekutivi po ashtu nuk ka një plan konkret për dhënien e një epilogu Marrëveshjes së Demarkacionit dhe formatit të ri të bisedimeve të ardhshme në Bruksel në mes së Kosovës dhe Serbisë.

Në qeverinë e Kosovës, nuk kanë dashur të komentojnë lidhur me këto çështje, pasi që ata nuk i janë përgjigjur pyetjeve me shkrim të gazetës “Bota sot”.

Nga ana tjetër, deputetë të partive opozitare dhe përfaqësues të shoqërisë civile thonë se gjatë vitit 2018, institucionet e Kosovës duhet t`u japin zgjidhje problemeve të sipërpërmendura.

Por sipas tyre, Qeveria e udhëhequr nga Haradinaj nuk është e përgatitur për këto çështje.

Qeveria pa strategji

Deputeti opozitar nga radhët e LDK-së, Haxhi Avdyli thotë se pavarësisht shqetësimeve të mëdha të qytetarëve të Kosovës për çështjet jetike, ekzekutivi hallin e vetëm e ka se si t’i shpërblejë militantët e vet partiakë.

Image
Haxhi Avdyli

“Unë mendoj se kjo është një qeveri pa strategji që ballafaqohet me punët ditore dhe në vend të interesit shtetëror, ajo ka për qëllim sistemimin e klaneve të partive në pushtet duke emëruar sa më shumë  zëvendësministra”, thotë Avdyli për “Bota sot”.

Edhe analisti Jeton Kelmendi, thotë se ekzekutivi i udhëhequr nga Haradinaj ka bërë zotime të mëdha, por nuk janë vënë në praktikë fare.

“Mendoj se qeveria Haradinaj ka fjalë të mëdha, por deri më tani çfarë kemi parë deri këtu është se kjo qeveria ka pasur premtime megalomane, por ka ndodh gjithmonë e kundërta”, thotë Kelmendi për “Bota sot”.

Sipas tij, i pari i qeverisë nuk ka aftësi dhe fuqi politike për tu dhënë zgjidhje probleme madhore për vendin.

“Mendoj se Haradinaj nuk e ka një fuqi për tu përballuar me problemet e shumta, sepse nuk ka njerëz të ditur dhe nuk ka edhe numra të mjaftueshëm në Kuvend. Madje, ai është një njeri shumë i dobët politikisht, sepse ka vetëm 8 ulëse dhe nuk është kryeministër i ministrave të Pacollit”, thotë më tej Kelmendi.

Image
Jeton Kelmendi

Në pikën 5 të marrëveshjes për koalicion pas zgjedhor të nënshkruar nga Ramush Haradinaj dhe Bexhet Pacolli thuhet tekstualisht se me kërkesë të liderit të AKR-së emërohen dhe shkarkohen të gjithë kuadrot që burojnë nga kjo marrëveshje e që janë përfaqësues të AKR-së sikundër janë ministrat, zëvendësministrat etj.

Rreziku nga aktakuzat e Gjykatës Speciale

Ngritja e aktakuzave të para nga ana e Gjykatës Speciale pritet të ndodh brenda këtij viti.

Kjo për faktin se Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, në vizitën e saj në Kosovë ka bërë të ditur se ky institucion është gati dhe tashmë varet nga prokurorët se kur do të fillojnë me akuzat e para.

Nga ana tjetër, gazeta online “Insajderi” duke u thirrë në burime të brendshme të kësaj gjykate ditë më parë ka shkruar se hetimet e para ndaj atyre që dyshohen se mund të kenë kryer krime do të bëhen pas 17 shkurtit.

Sipas këtij mediumi, janë rreth 60 raste që do t’i hetojë kjo instancë juridike ndërkombëtare. Në mesin e tyre që do të hetohen do të jetë edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj dhe shumë figura të tjera të fuqishme.

Por, njohës të çështjeve politike thonë se ekzekutivi nuk ka një plan të veprimit në rast të eskalimit të situatës në vend, pasi që arrestimi i sipërpërmendur mund të çoj në destabilizim të vendit.

“Gjykata Speciale mund të sjellë shumë shpejt deri të trazirat që janë shumë të dëmshme për Kosovën dhe për qytetarët e saj. Kurse, kjo qeveri nuk ka hartuar asnjë plan konkret për rastin në fjalë”, thotë për “Bota sot”, analisti Jeton Kelmendi.

Edhe aktivistja e shoqërisë civile, Besa Luzha përpos që thotë se mungon një strategji e mirëfilltë për çështjen në fjale, shfuqizimin e Gjykatës Speciale ajo e sheh si një ide të rrezikshme.

“Tentimi i shfuqizimit të Gjykatës Speciale, atë të premte ishte i pamenduar dhe shumë i dëmshëm për vendin. Nuk ka rrugë tjetër përpos zbatimit të saj, sepse ajo është një marrëveshje ndërkombëtare dhe shfuqizimi i saj i sjell pasoja serioze vendit”, thotë Luzha për “Bota sot”.

Image
Besa Luzha

 

Ajo më tej thotë se shumë marrëveshje ndërkombëtare që shoqëria civile ka tentuar të ndryshohen, arsyetimi i institucioneve ka qenë se një gjë e tillë nuk mund të ndodh për faktin se vendi del joserioz para miqve ndërkombëtar.

“Sa herë që shoqëria civile ka kërkuar ndryshime për marrëveshje të tilla, neve na është thënë se me që janë marrëveshje ndërkombëtare, ndryshimet nuk mund të bëhen”, shtoi Luzha.

Problemi me Demarkacionin

Përpos probleme të sipërpërmendura, Qeveria Haradinaj nuk një plan konkret edhe për Marrëveshjen e Demarkacionit për shënjimin e kufirit me Malin e Zi.

Ekzekutivi javë më parë ka dërguar në kuvend për miratim këtë marrëveshje, por opinioni publik ende nuk e ka të qartë se a do t’i sigurojë koalicioni PANA votat e mjaftueshme për votimin e saj.

Kjo për faktin se AAK dhe NISMA për Kosovën ende thonë se kjo marrëveshje është e dëmshme për vendin dhe si e tillë nuk duhet të kalojë në Kuvend.

Nga ana tjetër, qeveria ende nuk ka dhënë një përgjigje të qartë se çfarë do të bëj në rast se kjo marrëveshje nuk merr votat e mjaftueshme.

Për këtë deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli shprehet skeptik se Haradinaj do të arrij t’i jap një epilog kësaj çështje.

“Unë mendoj se kjo qeveri i ka fjalët kryesisht grupore dhe aspak nuk po merret me çështjet thelbësore, siç është zhvillimi ekonomik, liberalizimi i vizave, integrimi i Kosovës në strukturat atlantike, pastaj zgjedhja e demarkacionit që ai vet e ka sjellë vendin në këtë krizë”, thotë Avdyli për “Bota sot”.

Madje, ai akuzon kryeministrin se me qëllim po u ik problemeve të mëdha.

Qeveria pa model të bisedimet me Serbinë

Përfaqësuesja për Politika të Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini javën e kaluar ka thënë se është Kosova dhe Serbia që duhet të zgjedhin modelin e bisedimeve të ardhshme në Bruksel.

Por, ekzekutivi ende nuk ka caktuar se cili do të jetë formati i bisedimeve të ardhshme në Bruksel në mes së Kosovës dhe Serbisë.

Sa i përket dialogut, qeveria ende nuk dihet se kur do të fillojë, cilat do të jenë temat cila është strategjia e jonë për këto bisedime”, thotë për “Bota sot”, aktivistja e shoqërisë civile, Besa Luzha.

Qeveria nuk ka dhënë ende një informatë lidhur me formatin e ri të bisedimeve, por shumë herë është folur se këto bisedime duhet të bëhet në nivel të presidentëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat