Kosova e rrezikuar në bisedimet me Serbinë

Politika

Kosova e rrezikuar në bisedimet me Serbinë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 11 janar 2018 Në ora: 07:37
Foto ilustrim

Kosova mund të jetë e rrezikuar në bisedimet e ardhshme të Brukselit, meqë shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq ditë më parë ka thënë se “Serbia është e gatshme për një zgjedhje të përhershme me Kosovën, por jo për pavarësi.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së Drita Millaku, ka thënë për gazetën  “Bota sot” se Kosova është tejet e rrezikuar nga bisedimet me Serbinë pikërisht për shkak të mungesës së ekspertizës.

Image
Drita Millaku

Aventurat e rrezikshme në relacion me miqtë ndërkombëtar

Sipas saj, deri më tani nuk ka pasur ndonjë ekip kompetent profesionalisht që të merret me këto bisedime.

“Duke e marrë parasysh se nuk kemi pasur njerëz profesional,  natyrisht se kjo edhe e ka dëmtuar skajshmërisht Kosovën. Gjithashtu edhe aventurat politike në relacion me miqtë ndërkombëtar që po i ndërmerr qeveria jonë janë në disfavor, prandaj nuk pres që ne të kemi çka të prezantojmë në këto bisedime . Është e rrezikshme situata kur Qeveria dhe presidenca janë të shantazhuar nga e kaluara e vet dhe nuk pres nga ta të jenë në nivel të mbrojtjes së interesave të vendit. Fundja Presidenti i vendit ka dhënë shembuj se për interesa të ngushta personale është në gjendje të sakrifikojë Kosovën”, ka thënë deputetja Millaku.

Image
Haxhi Avdyli

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së Haxhi Avdyli, ka thënë se Dialogu deritashëm më shumë të mira i ka sjellë Serbisë, ndërsa Kosova përkundër shumë lëshimeve ka stagnuar në avancimet si shtet veçanërisht në euro integrim.

 “Sot pakica Serbe ka të gjitha privilegjet politike e drejtat kushtetuese por ende Serbia me politikat punon çdo ditë në sabotimin e shtetësisë në emër te drejtave më të mëdha për Serbët. Kjo qasje duhet ndërprerë duke kaluar në krijimin e bazës ligjore për fqinjësi më të mirë mes dy shteteve të pavarura”, ka thënë deputeti Avdyli.

Makolli numëron dobësitë e brendshme të Kosovës

Kurse, sekretari i përgjithshëm në AKR Vesel Makolli ka thënë se dobësitë tona të brendshme (si korrupsioni, nepotizmi, mos funksionimi i shtetit ligjor, keq menaxhimi, e tash edhe mospajtimi me ata të cilët dhanë kontribut të madh për lirinë tonë),drejtpërdrejtë ndikojnë në pozicionin tonë ndërkombëtar.

Image
Vesel Makolli

Sipas tij, veprimet dhe kundërshtitë duhet të jenë me kohë, e jo "si kofini pas të vjelit"(si thotë Noli).

“Pozicionimi i drejtë në kostelacionin e Forcave Botërore ndikoi në fitimin e luftës dhe të lirisë si dhe në avantazhin që kishim në raportet ndërkombëtarë, ndaj kundërshtarëve tanë. Kundërshtari ynë i përbetuar Serbia (pas luftës dhe gjenocidit që bëri jo vetëm në Kosovë por edhe në Bosnje dhe Kroaci) ishte në disavantazh të madh. Por në këtë situate nuk e shfrytëzuam përkundrazi me gabimet dhe dobësitë tona merreshim me gjithçka tjetër përpos me interesa shtetërore gjë që bëri që nga një situatë e cila ishte shumë në favor tonë të degradojë në një situatë ku kundërshtarët e Pavarësisë së Kosovës të vijnë në shprehje duke i shfrytëzuar dobësitë tona. Maksima e Mbretit Zog "Atdheu mbi të gjitha" nuk ka mbretëruar tek elita jonë politike gjerë më tani”, ka thënë Makolli.

Ai ka vlerësuar, se Ministri i jashtëm serb Daçiç dhe diplomacia serbe janë duke luajtur lojë të dyfishtë, me Perëndimin por njëkohësisht edhe me Rusinë, ku po ashtu edhe shfrytëzuan çdo dobësi tonën për të minimizuar ndikimin tonë në arenën ndërkombëtare.

“Çdo kundërshti sado e vogël që të jetë ndaj perëndimit, shkon në favor të Serbisë, e cila këto situata po i shfrytëzon maksimalisht. Tash, kur pritet vazhdimi i bisedimeve me Serbinë, e po ashtu edhe liberalizimi i vizave, ne duhet ti hedhim anash të gjitha divergjencat dhe mospajtimet dhe si një trup i vetëm të punojmë e të veprojmë në atë mënyrë që ti arrijmë qëllimet tona, dhe mos ta dekurajojmë faktorin ndërkombëtar dhe te mos i japim shans kundërshtarëve tonë të pavarësisë që të kenë rast të na pengojnë në rrugëtimin tonë drejt integrimeve evropiane, aty ku edhe e kemi vendin . Rrugëtimi i Kosovës për në BE, NATO, KB dhe organizata tjera botërore ku e kemi vendin historikisht, është i mbushur dendur me pengesa dhe gjemba, dhe nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të kalojmë shpejt nëpër to. Sa më gjatë të ndalemi në pengesat, problemet dhe mosmarrëveshjet tona, aq më e madhe është fuqia e tyre për të na dëmtuar. Duhet të jemi unik në tejkalimin e te gjitha pengesave dhe mosmarrëveshjeve për arritjen e synimeve tona, dhe mos të bëjmë gabime me te cilat siç thotë populli "mos të qojmë ujë në mulli të huaj" me apo pa vetëdije”, është shprehur sekretari i përgjithshëm në AKR Vesel Makolli.

Image
Skender Zogaj

Bisedimet me Serbinë janë thikë pas shpine për Kosovën

Kurse, analisti politik Skender Zogaj ka thënë se Daçiqi duke ndjekur me vëmendje zhvillimet politike në Kosovë, ka arsye të ndjehet më i relaksuar se kurdoherë dhe, me arsye i janë ringjallur shpresat për shtimin përqindjes së “ujemit”.

“ Nëse nuk ndodhin ndryshime të forta dhe të shpejta në skenën politike kosovare, Daçiqit i shtohen gjasat për lëpirjen e akullores së nacionalizmit serb! Pavarësia e Kosovës nuk varet nga fjalimet e serbëve por nga vendimet e shqiptarëve”, është shprehur Zogaj.

Njohësi i çështjeve politike Arbër Gashi ka thënë se bisedimet me Serbinë janë thikë pas shpine për Kosovën dhe pavarësinë e saj.

Image
Arbër Gashi

“Serbia të kushtëzohet me njohjen, pranimin, kërkim faljen e dëmshpërblimin, si dhe autonominë politike e territoriale të Sanxhakut të Tregut të Ri dhe Sanxhakut të Toplicës. Vetëm pas kësaj rrjedhe, mund të flitet për mundësitë e një fillimi të ri në marrëdhëniet shqiptaro - serbe.”, ka thënë Gashi.

Pavarësia nuk mund të kontestohet

Analisti politik Hidajet Ahmeti, ka thënë për “ Bota sot” se deklarata e Daçiqit edhe njëherë dëshmon për mendësinë e ngushtë, hegjemoniste e provokative të politikanëve serb.

Image
Hidajet Ahmeti

“Jemi mësuar të dëgjojmë deklaratat politike, boshe e popullsitë të politikanëve serb, por realisht  në substancë nuk kanë përmbajtje. Deklaratat e tilla, popullsitë më shumë përdorën për konsum të brendshëm politik se sa realisht të implementime në praktikë. Gjykoj se Serbia është në rrugën evropiane, e cila realisht është duke vepruar brenda kornizës së MSA-së dhe jashtë logjikës dhe gjuhës së kësaj marrëveshje nuk mund të veprohet:, është shprehur analisti politik Ahmeti.

Sipas tij, shteti i Kosovës dhe pavarësia e saj nuk mund të kontestohet, pasi miqtë ndërkombëtar janë një garanci e statusit juridik të shtetësisë së Kosovës.

“E mbi të gjitha kemi një verdikt  të Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës, dhe  në asnjë mënyrë nuk mund të kthehemi në pikën zero të diskutimeve të cilat veç janë legjitimuar. Deklarata e ministrit të jashtëm Daçiq se ‘Serbia është e gatshme për një zgjedhje të përhershme me Kosovën, por jo për pavarësi’ edhe njëherë dëshmon për mendësinë e ngushtë, hegjemoniste e provokative të politikanëve serb, por nëse shteti serb pretendon integrimin në strukturat euro atlantike e ka të domosdoshme t’iu përshtatet rrethanave të rendit ndërkombëtar ,përndryshe ëndrra e tyre evropiane do të mbetet vetëm brenda diskursit politik serb”, ka thënë Ahmeti.

Image
Mentor Tahiri

Kosova pa strategji

Nga ana tjetër politologu Mentor Tahiri ka pohuar se në Serbi praktikisht ka filluar një diskutim i brendshëm lidhur me Kosovën.

“Kjo retorikë është edhe pjesë e një “lufte” në skenën politike serbe, në garën e “patriotizmit”, ndërmjet partive serbe në pushtet, SNS-it dhe SPS-it. Sidoqoftë, Shteti i Kosovës, duhet që tani të ketë të gatshme një strategji me të cilën do t’i kundërvihet propozimeve serbe që priten të vijnë gjatë vitit 2018. Serbia po përballet me një “ultimatum” amerikan, që brenda këtij viti të sqaroj pozicionin e saj karshi realitetit të ri në Kosovë. Në anën tjetër, Kosova jo vetëm që nuk duket se ka një strategji për t’u kundërvënë diplomatikisht, por me apo pa qëllim establishmenti politik i Kosovës po e izolon vendin në një moment shumë të ndjeshëm ndërkombëtarë:, ka thënë politologu Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat