Paralajmërimet për Specialen, Berlini e Parisi të shqetësuar për të ardhmen e Kosovës

Politika

Paralajmërimet për Specialen, Berlini e Parisi të shqetësuar për të ardhmen e Kosovës

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 12 janar 2018 Në ora: 09:32
Selia e Gjykates Speciale

Një delegacion i përbërë nga i dërguari i posaçëm për Evropën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s në Ministrinë Gjermane të Punëve të Jashtme, Christian Hellbach dhe Shefi i Departamentit të Ballkanit Perëndimor të Ministrisë Franceze të Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Thomas Bertin, po qëndrojnë për vizitë në Kosovë.

Dy të dërguarit e posaçëm të Evropës Jug-perëndimore kanë zhvilluar takime edhe me Presidentin Hashim Thaçi si dhe kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj.

Të dërguarit e posaçëm të Evropës Jug-perëndimore, kanë qëndruar edhe në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje. Aty ata kanë zhvilluar një takim rreth një orë me kandidatin për kryetar të kësaj partie, Albin Kurti si dhe anëtarin e Kryesisë, Glauk Konjufca.

Nga asnjëra prej takimeve nuk është bërë e ditur se për çka është diskutuar në takim, ndërsa që në komunikatën e Ambasadës Gjermane në Prishtinë thuhet se arsyeja e vizitës së tyre në Kosovë është përpjekja e fundit për të shfuqizuar ligjin mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e prokurorit të specializuar.

Sipas një komunikate për media, vizitat janë zhvilluar në sfondin e shqetësimeve në Berlin dhe Paris lidhur me përpjekjet e fundit për të shfuqizuar ligjin mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e prokurorit të specializuar.

“Vizita zhvillohet në sfondin e shqetësimeve në Berlin dhe Paris lidhur me përpjekjet e fundit për të shfuqizuar ligjin mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e prokurorit të specializuar. Tema të tjera për t’u diskutuar përfshijnë domosdoshmërinë e vazhdimit të reformave, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, demokracisë dhe qeverisjes së mirë, të cilat janë thelbësore për afrimin e mëtejshëm të Kosovës drejt Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin për media.

“Jetike ruajtja e miqësisë me Gjermanin e Francën dhe vendet e tjera të BE –së, SHBA-të dhe  NATO-n”

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës  Avdullah Hoti së bashku me deputetët  Armend Zemaj dhe Lumir Abdixhiku pritën në takim delegacionin e përbërë nga i dërguari i posaçëm për Evropën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s në Ministrinë Gjermane të Punëve të Jashtme, Christian Hellbach dhe Shefin i Departamentit të Ballkanit Perëndimor të Ministrisë Franceze të Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Thomas Bertin si dhe dy ambasadorët të Gjermanisë dhe Francës Christian Heldt dhe Didier Chambert.

Sipas një kumtese për media, në këtë takim u diskutua për situatën politike në Kosovë, me theks të veçantë, për iniciativën për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të specializuar. Të dy emisarët shprehën brengosjen e thellë të Berlinit dhe Parisit për këtë mundësi.

Me këtë rast, Hoti cilësoi se tendenca për shfuqizimin e  Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të specializuar dëmton subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe rrugën e saj drejt strukturave euro- atlantike. Më pas ai i siguroi emisarët se Lidhja Demokratike e Kosovës e sheh jetike për vendin ruajtjen e raporteve dhe të miqësisë me Gjermanin e Francën dhe vendet e tjera të BE –së,  SHBA-të,  NATO-n dhe vendet e tjera mike. Rrjedhimisht, Lidhja Demokratike e Kosovës në asnjë rast nuk do të jetë pjesë e veprimeve të pamatura dhe nuk do të lejojë që fati i qytetarëve dhe i vendit tonë të futet në rrugë të paqarta.

“Përveç kësaj në takim u bisedua edhe për tema tjera siç janë domosdoshmëria e vazhdimit të reformave në fushën e sundimit të ligjit, demokracisë dhe qeverisjes së mirë, të cilat janë thelbësore për afrimin e mëtejmë të Kosovës drejt Bashkimit Evropian”, ka bërë të ditur LDK-ja.

Image
Adlum Ramadani

“Veprimet kryeneçe rrezikojnë të ardhmen e Kosovës”

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Adlum Ramadani, konsideron se Kosova është duke kaluar në një nga sfidat më të vështira të procesit të shtet-ndërtimit.

Ramadani në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se pasojat e veprimeve kryeneçe dhe kthimi i shpinës aleatëve rrezikon edhe vet të ardhmen e Kosovës.

“Kosova është duke kaluar në një nga sfidat më të vështira të procesit të shtet-ndërtimit, e ajo është presioni diplomatik në vendimmarrje, i cili, krizën e brendshme politike është duke e zgjeruar në krizë shtetërore ndërkombëtare, duke rrezikuar bashkëpunimin dhe ndihmën e aleatëve fuqi. Pasojat e veprimeve kryeneçe dhe kthimi i shpinës aleatëve rrezikon edhe vet të ardhmen e Kosovës pasi që si veprimet e ngutshme dhe aspak profesionale të krerëve tanë, po e penalizojnë, ndëshkojnë dhe sanksionojnë popullin e Kosovës”, tha ai.

Tutje, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare shtoi se kjo vizitë është një mesazh i qartë për institucionet e Kosovës, në lidhje me tendencën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

“Vizita e të dërguarës së Gjermanisë për Evropën Juglindore, Turqisë dhe Shoqatës EFTA, Christina Hellbach dhe Udhëheqësit të Departamentit për Ballkanin Perëndimor të Ministrisë së Jashtme të Francës, Thomas Bertin, në Kosovë, dha një mesazh të qartë dhe serioz për institucionet tona, në lidhje me tendencën për shfuqizimin e speciales. Sikurse deklarata e përcjellë nga Departamenti i Shtetit të ShBA-ve edhe kjo vizitë paralajmëron për pasojat që Kosova mund t’i ketë për veprimet që i ndërmerr pa konsultime paraprake me aleancat perëndimore. Assesi se konsultat nuk duhet përkthyer në imponime nga ta, përkundrazi, janë këshilla dhe rrugë zgjidhje e problemeve, për të cilat, të njëjtit duhet gëzojnë besimin e palës kosovare”, ka nënvizuar Adlum Ramadani.  

Ramadani, mendon se përsëri do të ketë një iniciativë tjetër për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

“Sa i përket iniciativave të tjera të mundshme për shfuqizimin e speciales padyshim se mund të ketë, pasi që jo të gjithë ndajnë mendimin e njëjtë, porse Kosova vetvetiu ka zgjedhur të mbaj barrën e përgjegjësisë që nga momenti që ka miratuar Ligjin për Specialen”, përfundoi Ramadani.

Image
Lirim Zorra

“Kancelaritë perëndimore të shqetësuara për zhvillimet e fundit në Kosovë”

Njohësi i çështjeve juridike, Lirim Zorra, njëherit ligjërues në Kolegjin e “ISPE” për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kancelaritë perëndimore janë të shqetësuara për zhvillimet e fundit në Kosovë, veçanërisht me idenë e shfuqizimit të Gjykatës Speciale.

“Padyshim që kancelaritë  perëndimore janë të shqetësuara për zhvillimet e fundit në Kosovë, veçanërisht me idenë e shfuqizimit  të Gjykatës Speciale, andaj mbas intervenimit fillestarë të ambasadorëve, tani kemi edhe një nivel më të lartë të diplomatëve nga  ministritë e punëve të jashtme, që padyshim tregon për rëndësinë që e ka Kosova në këto shtete dhe dërgimin e mesazhit të drejtpërdrejtë të  politikanët, se çdo veprim për shfuqizim të kësaj gjykate do ta paralizojë Kosovën në shume aspekte dhe do të  krijoje një situatë të ngrirë të marrëdhënieve midis BE-së dhe Kosovës”, tha Zorra. 

Zorra, thotë se pret një valë të vogël të disa individëve për shfuqizim të kësaj iniciative. Sipas tij, kjo më shumë do të jetë në formë e presionit medial, ku edhe shoqatat e dala nga lufta do të jenë prezentë.

“Pres edhe një vale të vogël të disa individëve për shfuqizim të kësaj iniciative kjo më shumë do të jetë në formë të presionit medial ku shoqatat e luftës do të jenë prezentë po ashtu me deklarata për media  ku  kjo ide  do të paraqitet si  diçka e mirë dhe e nevojshëm për Kosovën  mirëpo në nivelin parlamentarë gjasat janë të vogla  për hyrje në seance edhe pse nga kryesia  do të diskutohet  sepse  me deklaratën e Kadri Veselit mund të themi që PDK  është tërhequr  nga kjo ide dhe deputete e kësaj partie  nuk do të hyjnë një valle  kur nuk e ka mbështetjen  e tanishme nga lideri i tyre”, përfundoi njohësi i çështjeve juridike, Lirim Zorra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat