Shteti i kapur nga grupe mafioze që po e instalojnë një rrjet të rrezikshëm të nepotizmit

Politika

Shteti i kapur nga grupe mafioze që po e instalojnë një rrjet të rrezikshëm të nepotizmit

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 14 janar 2018 Në ora: 21:06
Ndërtesa e Qeverisë, Prishtinë

Qeveria aktuale kishte premtuar se qysh në fillim të mandatit të saj do të zgjidhë çështje të rëndësishme, e njëra ndër to do të jetë edhe çështja e liberalizimit të vizave. Kryeministri Ramush Haradinaj, pati deklaruar se me përmbylljen e procesit të demarkacionit, do të përmbyllet më pas edhe çështja e vizave.

Sipas deklaratave të Haradinajt, që vizat mund të hiqen brenda tre muajve, siç kishte deklaruar ai në muajin tetor të vitit të kaluar, Kosova tani do të duhej ta përfundonte këtë çështje. Por, vetëm pak kohë më vonë ai e ndryshoi deklaratën e tij duke thënë se vizat mund të hiqen edhe në mars, ose kurdo brenda vitit 2018.

“Shiqoni, mua më thanë a mund të bëhet në muajin mars: Unë thash edhe mundet, tash keni parasysh nëse e besoni, merrni totalin e qeverisë, pra, është saktë e fokusuar që me ndodhë liberalizimi. Ne çdo veprim që e bëjmë ka të bëjë edhe me këtë çështje”, ka thënë Kryeministri Haradinaj.

Tahiri: Iniciativat e fundit po bëjnë situatën edhe më të pashpresë

Të kontaktuar nga gazeta, zyrtarë të qeverisë nuk kanë dashur të komentojnë se deri ku ka arritur ky proces ose edhe kur do të përmbyllet çështja e liberalizimit të vizave.

Kështu Mentor Tahiri, politolog dhe njohës të politikës ndërkombëtare thotë se institucionet e Kosovës duke e gjetur si arsyetim demarkacionin, nuk e përfillin nevojën e qytetarëve të Kosovës për vizat.

Image
Mentor Tahiri

“Institucionet e Kosovës nuk kanë përfillur fare nevojën e qytetarëve të Kosovës për të lëvizur lirshëm. Për këtë kanë gjetur një arsyetim “perfekt”, çështjen e demarkacionit si kusht. Në fakt, përtej kësaj, institucionet e Kosovës po çalojnë edhe në fusha tjera, sikurse në rastin e sundimit të ligjit, kurse disa iniciativa të fundit, po bëjnë situatën edhe më të pashpresë”, thekson Tahiri.

Ai thotë më tutje se edhe nëse demarkacioni zgjidhet brenda këtyre ditëve, është e vështirë që liberalizimi i vizave të hyjë në fuqi këtë vit.

“Edhe nëse hipotetikisht, demarkacioni zgjidhet gjatë ditëve në vijim, si dhe me kusht që të jenë plotësuar të gjitha kërkesat e BE-së jo vetëm në letër, çështja e lëvizjes së lirë pa viza, do të jetë shumë vështirë e diskutueshme për të hyrë në fuqi këtë vit, sidomos pas situatës së krijuar lidhur me Gjykatën Speciale”, thotë ai.

Shteti i kapur

Ndërkaq, analisti politik Skender Zogaj thotë se institucionet shtetërore të Kosovës kanë dështuar në realizimin e detyrave elementare shtetërore, si në planin e brendshëm ashtu edhe atë ndërkombëtar, kështu që, mbetja në izolim është plotësisht e merituar.

Image
Skender Zogaj

 

“Mosfunksionimi i drejtësisë, krimi dhe korrupsioni gallopant në rritje, rrëmuja politike, kapja e shtetit nga grupe mafioze të infiltruar brenda institucioneve që po e instalojnë një rrjet të rrezikshëm të nepotizmit në punësim dhe në përfitimet ekonomike të paligjshme në të gjitha veprimtaritë jetësore, janë arsyet e pengimit të lëvizjes dhe udhëtimit të lirë të qytetarëve të Kosovës. Pra, qytetarët e Kosovës janë të ndëshkuar nga institucionet e tyre, të cilat nuk i kanë përmbushur standardet e duhura të funksionimit ligjor, sepse kanë nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare por nuk i kanë implementuar, premtimet i kanë shkelur, duke i mashtruar edhe partnerët me të rëndësishëm me ndihmën e të cilëve është arritur çlirimi dhe shpallja e lirisë dhe e pavarësisë së Kosovës”, thotë Zogaj.

Ai thotë, më tutje se Kosova nuk ka bërë asgjë për ta fituar lirinë e lëvizjes së qytetarëve të saj nëpër botë.

“Demarkacioni dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe, janë kushti i sajuar i BE, për të kushtëzuar Kosovën që të bëhet më e përgjegjshme ndaj rolit që duhet ta realizoj nëse do të bëhet shtet. Nuk mendoj se demarkacioni do të jetë kushti i vetëm për liberalizimin e vizave, sepse treni ka ikur dhe, është tepër vështirë të zihet. Do të isha i lumtur nëse qytetarët e Kosovës do të mund të ushtojnë të lirë në viti 2019”, përfundon Zogaj në deklaratën e dhënë për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat