Kuvendi në pushim apo pauzë për reflektim?

Politika

Kuvendi në pushim apo pauzë për reflektim?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 17 janar 2018 Në ora: 08:10
Kuvendi i Kosoves

Situata dramatike që kohëve të fundit mbretëron në Kosovë, pas tentimeve për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale, nuk i pengoi deputetët e Kuvendit të Kosovës, që t`ia bëjnë vetes pushim deri më datën 15 janar.

Njohësit e çështjeve politike, konsiderojnë se shkuarja në një pushim kaq të gjatë, u bë për të matur pulsin e ndërkombëtarëve, nëse ata do të kundërshtojnë, dhe për të parë nëse do të shtohet apo amortizohet kërkesa për shfuqizimin e Speciales.

Deputetë të subjekteve të ndryshme politike nuk kanë dashur të flasin në lidhje me këtë çështje.

“Shkuan në pushim edhe për ta matur pulsin e ndërkombëtarëve”

Publicisti Faton Abdullahu, ka thënë se Kuvendi ka shkuar në pushim, pos tjerash edhe pse ky koalicion ka krijuar një gjendje jo të mirë.

Image
Faton Abdullahu

Sipas tij, për të vazhduar punën, Kuvendi do t'ia lidhte këmbët vetes e çka është më e keqja edhe Kosovës, prandaj pushimi ka qenë hyrje në korridorin e pritjes me logjikën “shohim e bëjmë".

“Nga pamundësia që të punojnë dhe të vendosin drejtë, për të punuar ndryshe, ju duhet ende kohë për tu konsoliduar, prandaj shkuan në pushim. Shkuan në pushim edhe për ta matur pulsin e ndërkombëtarëve, se sa ata do të kundërshtojnë, por edhe për të parë se a do të shtohet apo amortizohet kërkesa për shfuqizimin e Speciales. Koalicioni aktual vazhdon të bëj gabim pas gabimi, me çka e vë qytetarin e Kosovës herë në konfuzion, herë në ankth për të ardhmen e këtij vendi”, ka thënë Abdullahu.

Sipas tij, është një gjendje politike, më të pazakonten që nga periudha e pasluftës, ku në njërën anë thuhet me bindje të plotë se, nuk largohemi nga bashkëpunimi dhe orientimi i njëjtë me miqtë tanë ndërkombëtar, më konkretisht nga SHBA-t dhe në tjetrën anë, po të njëjtit thonë, se do t'i mbrojmë vlerat e shenjta të luftës.

“Me atë që po bën dhe me atë që nuk po bën ky koalicion, të dy këto vlera i ka sjell në kundërshtim me njëra-tjetrën, jo pse ato janë të tilla, sepse të tilla nuk kanë qenë asnjëherë, përkundrazi, por pse interesat e ngushta klanore gjithnjë e më shumë po bëhen më të rëndësishme se orientimet gjeopolitike të vendit tonë dhe vlerat me të cilat kemi ecur vertikalisht në histori. Kjo është brengosëse, por si duket ky koalicion dhe ky kuvend fatkeqësisht ka brenga të tjera”, ka thënë Abdullahu.

 Pauzë për reflektim?

Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani konsideron se pushimi që iu dha Kuvendit të Kosovës deri më datën 15 janar, ishte një acarim i raporteve me ndërkombëtaret, pasi me këtë nismë për shfuqizim të ligjit, Thaçi duhet të këtë arsye sepse ka ndonjë preferencë për ndryshim dhe plotësim të këtij ligji.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, informatat mund të kenë rrjedhur nga Gjykata Speciale së paku disa prej tyre edhe pse kjo Gjykatë deri më tash ka mohuar çfarëdo spekulimi në temën se ndaj kujt pritet ndjekje penale apo ngritje aktakuze.

“Dhënie e këtij pushimi mund të interpretohet si pauzë apo kohë për të menduar çfarë duhet të ndodh me ketë ligj në këtë periudhë kohore apo derisa të kenë informata se për kënd ka aktakuzë. Pra, diçka jo e mirë po zihet ndaj Thaçit dhe të tjerave rreth kësaj Gjykate, e cila është e bazuar në tregime fantastike dhe pa argumente juridike dhe prova të mjaftueshme. Kjo Gjykatë hibride punon përgjatë procesit ku pritet të verifikohen persona të caktuar për kryerje të veprave penale të kundërligjshme ndaj të drejtës ndërkombëtare. Shumë pak Kosova dhe njerëzit e saj, pra juristet janë të përgatitur për punën e kësaj gjykate. Shkruaja e një libri nga një autor ndërkombëtar për Hashim Thaçin në cilësinë e heroit të shpëtimit të fuqizimit të ndërhyrjes ndërkombëtare në Kosovë e bën Thaçin në prag të ngjarjeve të kësaj Gjykate të mbrojtur”, ka thënë Burjani.

Thaci “mbron” imazhin me libër

Ai konsideron, se këtu ka përpjekje të mbrohet figura politike e Hashim Thaçit.

“Shtyrja e Kuvendit në pushim vjetor meritor apo jo meritor është rezultat i ngjarjeve që kanë pasuar për ketë Gjykatë dhe ndjeshmëria e qytetarëve të kësaj Gjykate. Po ashtu, ka pasur tendenca për një shfuqizim të plotë të kësaj Gjykate. Por, e vërteta është se ka ende qarqe ndërkombëtare që më nuk i duan këta njerëz në politikë për shkaqe edhe tjera zakonisht në opinionin ndërkombëtar. Megjithatë, ende po dominon ideja e ndaljes së korrupsionit ku akuzohen shumë njerëz pushtet mbajtës që një kohë të  gjatë", ka thënë Burjani.

Nga ana tjetër, analisti politik Faton Mehmeti ka thënë se pushimi deri me 15 janar ka të bëj me presionin ndërkombëtar për mos shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale.

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, kjo është bërë pas presionit të Ambasadorit Delawie, andaj dhe presidenti Thaçi ka qenë i detyruar të zbatojë “urdhrat e tij”.

“Edhe pse gjithë kjo tollovi është ngritur pikërisht nga Thaci, i cili kur e ndjen rrezikun e vetës reagon ndërsa prap të tjerët luajnë lojën e liderit. Besoj se Thaçi është iniciatori dhe do të jetë personi që do të bëj çdo gjë për të shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale, pasi ka marrur informacione të sakta se do të jetë i akuzuar së bashku me Daut Haradinaj. Andaj, edhe e ka nxitur Ramushin që të jetë pjesë e kësaj nisme. Gjithsesi, shpresojë që SHBA-ja do të lejojë të ndodhë kjo gjë, që do të ishte dëm i madh për vendin. Kuvendi nuk duhet të bëhet pjesë e lojërave të një iniciative qoftë edhe president, pasi kështu humb edhe legjitimitetin  e shumicës në favor të një pjesë të vogël të individëve”, është shprehur analisti politik Faton Mehmeti.

“Ata do të provojnë që këtë gjykatë ta pengojnë përmes nxitjes së trazirave në Kosovë”

Analisti politik Islam Krasniqi ka thënë se arsyetimi i tyre së po marrin pushim për festat e fund vitit nuk qëndron, pasi ata janë mësuar që gjërat të mos merren seriozisht, dhe ti shijojnë të gjitha benificionet që shkoni në favor tyre.

Image
Islam Krasnqi

“Nuk besoj së ka qenë arsye Gjykata Speciale për pushimin e tyre, sepse deputetët vepronin në bazë të shefit të partisë, nëse kërkon shefi i tyre ata e realizojnë së në të kundërtën nuk ka asnjë shans. Edhe kuvendi ka pas nevojë për një pushim, sepse ka pasur një ngarkesë të madhe gjatë zgjedhjeve, ku janë aktivizua i madhe e i vogël për të fituar, dhe me siguri kjo ka qenë arsyeja kryesore “ka thënë Krasniqi.

Kurse, Opinionisti Nexhat Haziri ka thënë se kjo periudhe pushimi për Kuvendin e Kosovës, do të shfrytëzohet maksimalisht nga partitë e të ashtuquajturit "Krahu i luftës",  liderët e së cilave pritet që të goditën nga Gjykata Speciale, për ti shantazhuar deputetë të caktuar që kundërshtojnë shfuqizimin e gjykatës speciale dhe mundësia tjetër për ta përçare opozitën që pa votat e një pjese të deputetëve të sajë nuk do arrijnë shfuqizimin e ligjit të gjykatës speciale.

Image
Nexhat Haziri

“Mendoj se kjo periudhë pushimi të Kuvendit iu ka shërbyer për këtë tentativë apo nëse treshes Thaçi, Veseli, Haradinaj, nëse do t'iu dështoj plani që përmes Kuvendit ta shfuqizojnë Gjykatën Speciale, ata do të provojnë që këtë gjykatë ta pengojnë përmes nxitjes së trazirave në Kosovë”, ka thënë opinionisti Haziri.

Image
Muhamet Kelmendi

Njohësi i çështjeve juridike profesor Muhamet Kelmendi ka thënë se ketë çështje të pushimit jo zyrtarisht ka mendime se është dashur të behët një pushim për të parë reagimet në botë.

“Zyrtarisht dihet shkaku e jo zyrtarisht ka mendime se është dashur të behët një pushim për të parë reagimet në botë, e tash nga ne mbetet të shohim së çfarë më tutje”, ka thënë Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat