Dëshmitë tronditëse për vrasjet e pasluftës, nuk foli veç Shkumbin Mehmeti, por edhe Nazim Bllaca, Agim Zogaj, Naim Miftari...

Politika

Dëshmitë tronditëse për vrasjet e pasluftës, nuk foli veç Shkumbin Mehmeti, por edhe Nazim Bllaca, Agim Zogaj, Naim Miftari...

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 23 janar 2018 Në ora: 07:48
Nazim Bllaca, Shkumbin Mehmeti dhe Naim Miftari

I burgosuri Shkumbin Mehmeti, i cili është dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë Speciale, ka dhënë deklarata të fuqishme rreth vrasjeve të pasluftës. Ai ka përmendur edhe emra që sipas tij janë të përfshirë në këto vrasje. Në këtë rast nuk ka kursyer as njerëz nga Qeveria.

Njëra ndër deklaratat e tij që bëri bujë të madhe, ishte ajo ku Mehmeti drejtoi akuza në drejtim të kryeminsitrit Ramush Haradnaj për ndikimin e tij në drejtësi, ku sipas Mehmetit, Gjykata Supreme është nën ndikimin e Haradinajt, dhe se Haradinaj e ka liruar vrasësin e Sebehate Tolajt.

Megjithatë, këtë deklaratë të dëshmitarit Mehmeti nuk e ka komentuar fare Qeveria e Kosovës, ndonëse të kontaktuar nga gazeta “Bota sot” ata nuk janë shprehur lidhur me këtë, duke zgjedhur edhe njëherë heshtjen.

“Bota sot” poashtu ka kontaktuar edhe Prokurorinë nëse ka filluar të hetojë këto raste, ata nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje.

Megjithatë, njohësit e çështjeve politike në vend kanë folur për këtë rast mbi deklaratat e dëshmitarit Shkumbin Mehmeti.

Dëshmia e Mehmetit

Kështu, publicisti Idriz Zeqiraj thotë se denoncimet për disa raste të vrasjeve politike, kryesisht, të pas luftës, të bëra nga i burgosuri Shkumbin Mehmeti, nuk janë risi. Sipas tij, këtë e kanë bërë edhe pjesëtarë të tjerë të SHIK-ut, të "Shqiponjave të zeza", si Nazim Bllaca, Agim Zogaj, Agim Hoti dhe të tjerë të pa dalë në publik, por me biseda, telefonime dhe letra dërguar organeve policore, prokurorisë, gjykatave.

Image
Publicisti Idriz Zeqiraj

"Në të gjitha këto denoncime, në krye të organizimit të krimeve të haraçit të përgjakshëm, të rrahjeve, kidnapimit, burgimit, maltretimit, torturimit, deri në mbytje, kujtoni karbonizimin e kuadrit të LDK-së, Shaban Manaj, janë lakuar emra të politikës, deputetë, ministra e zyrtarë të lartë shtetërorë. Një kontribut cilësor ka dhënë dhe vazhdon të japë, ish-kuadri i G-2-it, pjesë e SHIK-ut, Naim Miftari. Në shenjë hakmarrjeje, bandat e SHIK-ut e gjuajtën me armë të rënda shtëpinë e tij. Kur anëtari vrasës i SHIK-ut, Nazim Bllaca, bëri denoncimin publik, për krimet e organizatës së tij ilegale, SHIK, shefat e tij e quajtën "të çmendur", "të sëmurë psiqik", "spiun të Serbisë", "shpifës" e tjera cilësime fyese. Por, drejtësia dëshmoi së deklarimet e tij rezultuan të sakta dhe kriminelët u dënuan, disa janë në arrati”, thotë publicisti Zeqiraj.

Ai ka shtuar më tutje se dëshmitë e Agim Zogajt ishin bindëse, të shënuara në ditar, të inçizuara dhe të transmetuara me zë, të dëshmuara para organeve të hetuesisë. Sipas Zeqirajt,  ndonëse pjesë e akuzës ishin zyrtarë të lartë të PDK-së, u heshtën, duke e çuar Agim Zogajn në (vetë) vrasje.

“Cinizmi unik ishte kur avokati rrugaç i tij, Agim Çelaj, paguhej nga familja Zogaj, për ta shpallur Agimin spiun të Serbisë, edhe pas vrasjes!!! Ndodhi ky krim i turpshëm, sepse u kërcënua familja me likuidim. Denoncimi i SHIK-asit të dënuar, Hoti, në burgun e Dubravës, kishte të bënte me tentim vrasjen, me lëndë plasëse, tritol, të Presidentit Rugova. Edhe në këtë rast përmendej porosia e një zyrtari të lartë të PDK-së dhe hetimi i dëshmisë u bllokua”, thotë ai.

 “Mënyra e denoncimit nuk është adekuate dhe nuk i shërben mirëfilli zbulimit të krimeve, deri në shterrim. Përkundrazi, duke qenë të lirë anëtarët e grupit kriminal, gjithsesi, dëmton hetimin dhe mundëson fshehjen e fakteve. Kur i dënuari Shkumbin Mehmeti ka vendosur të rrëfehet, për të bëmat e SHIK-ut terrorist dhe degëzimit të tij kriminal "Shqiponjat e zeza", organet përkatëse duhej të punonin, në fshehtësi të plotë, për të zbuluar gjithçka rreth grupit kriminal: emrat e tyre, veprimet kriminale individuale dhe kolektive. Pasi që prokuroria të këtë faktuar fajësinë e gjithsecilit, të bënte arrestimin.  Dhe, krejt në fund, mund ta bënte denoncimin e hapur, për ta bindur opinionin për krimet makabre të grupit kriminal”, ka shtuar Zeqiraj.

Sipas tij, dikush është i interesuar për mjegullnajë, t`i paraqesë vrasjet politike të ushtarakëve të FARK-ut dhe të kuadrove të LDK-së, si vrasje ordiniere, çështje personale apo grupore inatçore dhe banalitete tjera.

“Por, këto pisllëqe, me skenar të SHIK-ut, kanë prapavijë të qartë: përvetësimi i luftës të Kosovës, nga "komandantët", që, realisht, nuk janë pjesë e luftës. Edhe ata që ishin brenda Kosovës, harruan pushtuesin, merreshin me përndjekjen e veprimtarëve të LDK-së, arrestimet e burgjet rurale, të improvizuara, të ngritura në të gjitha zonat e Kosovës. Por, qëllimi kryesor ka qenë marrja e pushtetit me dhunë, duke vrarë komunarët lokalë dhe kuadro të zëshëm të LDK-së, për të mbjellur frikë e terror në popull. Prokuroria duhej të fillonte, më parë, arrestimet e të lakuarëve në deklarimin publik të Shkumbin Mehmetit, për të filluar hetimet në kushtet e paraburgimit, me regjim të izoluar. Këtë duhet ta bëjë Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim me ndërkombëtarët, duke incizuar të gjithë procesin hetimor, gjithherë, në prani grupore, dy e më shumë prokurorë. Të paktën, kjo do të ishte përgatitje për Gjykatën Speciale, jashtë Kosovës, për ata që faktohen si pjesë e krimit, tashmë, të bërë. Prokuroria duhet ta marrë edhe më seriozisht deklaratën e Shkumbin Mehmetit, se sa atë të Nazim Bllacës, duke mos lejuar ikjen e kriminelëve, siç ndodhi më parë”, ka thënë publicisti Zeqiraj.

Prokuroria nuk mund t’i hetojë zyrtarët e lartë

Ai ka thënë për “Bota sot”,  se prokuroria e Kosovës nuk mund t`i hetojë zyrtarët e lartë të shtetit.

“Assesi nuk mungon përgatitja profesionale, as e prokurorëve  dhe as e gjyqtarëve, por, duke qenë skenaristët e krimeve, listuesit emërorë të viktimave, urdhërdhënësit për ekzekutimet e tyre, në kupolë të shtetit dhe të pushtetit, edhe teorikisht, pamundësohet hetimi i tyre. A donin Hashim Thaçi e Kadri Veseli ta bënin, fshehtas, prokurorin Aleksandër Lumezin anëtar të PDK-së?! Njësoj sikur donin ta bënin Tahir Zemaj, gjatë luftës, anëtar të LPK-së, Adem Demaçi e Xhavit Haliti!! Edhe pse ndonjë emër, i implikuar me grupin kriminal, u mbulua me zhurmues, përgjatë deklaratës, të Shkumbin Mehmetit, u kuptua, lehtazi, se bëhej fjalë për kryeministrin Ramush Haradinaj. Kryeministri, me një letër publike, kohë më parë, i ka bërë thirrje Kryeprokurorit të shtetit, se do ta këtë mbështetjen logjistike e njerëzore të tij, për hetimin e vrasjeve politike dhe të tjera. Urojmë ta mbaj fjalën, por, kësaj radhe, të dorëhiqet nga posti i kryeministrit, për t`u hetuar ngeshëm e shpengueshëm, i pa koracuar”, theksoi Zeqiraj.

“Krimi ka kapur drejtësinë”

Nga ana tjetër, analisti Faton Mehmeti, ka thënë se prokuroria duhet të merret me të gjitha vrasjet, megjithëse në Kosovë është e pamundur për shkak se është kapur nga krimi.

Image
Analisti Faton Mehmeti

“Besoj se prokuroria duhet të merret me çdo shqetësim qytetar, në veçanti nëse bëhet fjalë për vrasjet. Por një gjë e tillë nuk mund të ndodh në një vend ku krimi ka kapur çdo pushtet, duke përfshirë edhe drejtësinë. Vrasjet e pasluftës kanë mbetur enigmë për shkak të dështimit të sistemit të drejtësisë, andaj është utopike të mendosh pse ky sistem I drejtësisë mund të zbardhë vrasjet. Shpresa e vetme është Gjykata Speciale, ndryshe ato vrasje do mbeten engime përveç supozimeve por pa e vërtetuar asnjëherë”, është shprehur Mehmeti.

Hetime ndaj çdokujt

Ndërkaq njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi, ka deklaruar se hetimet mund të zhvillohen ndaj secilit njeri, pavarësisht pozitës.

Sipas tij, duhet pasur kujdes që hetimet të nisen varësisht se për çfarë dëshmitari bëhet fjalë.

Image
Njohësi i çështjeve juridike , Muhamet Kelmendi

“Natyrisht se hetimet mund të zhvillohen kundër çdo njeriu, pavarësisht pozitës. Po në këtë anë çështja është te besimi mbi dëshmitarin. Zakonisht të burgosurit janë të lredislonuar të deklarojnë gjëra të ndryshme. Shpeshherë edhe shumë të dyshimta, kuptohet që të përfitojnë. Në këto raste kërkohet kujdesi madh. Nuk duhet të shpejtohet dhe të përcaktohen hetimet. Ka faza të caktuara, të cilat janë të domosdoshme të analizohen, para se të hapen hetimet”, ka përfunduar juristi Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat