Farsat e lajkatarisë, nga e kaluara e kundërshtimit primitiv deri te përkulja te varri i Presidentit Rugova

Politika

Farsat e lajkatarisë, nga e kaluara e kundërshtimit primitiv deri te përkulja te varri i Presidentit Rugova

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 24 janar 2018 Në ora: 08:12
Presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj

Emri i Presidentit të ndjerë Dr. Ibrahim Rugova tash e sa kohë po vazhdon të përdoret  për poenë politike nga drejtuesit aktual të shtetit, të cilët pa menduar fare për veprimet e tyre të fundit, mundohen që sërish tu hedhin “hi syve” të qytetareve të Kosovës.

Njohësit e çështjeve politike, vlerësojnë se disa nga drejtuesit e shtetit po nderojnë Presidentin Rugova, e në anën tjetër veprimet që ata i bëjnë (tentimet për shfuqizimin e Speciales), janë në kundërshtim me frymën Rugoviane.

Sipas tyre, përfaqësuesit e lartë të shtetit të Kosovës e nderojnë Rugovën jo pse e kanë dashur, por pse ju duhet, meqë pesha e tij publike është një ortek që i ndjek ata nga mbrapa.

Veprimet e qeveritarëve në kundërshtim të plotë me vizionin rugovian

Image
Armend Zemaj

Deputeti i LDK-së Armend Zemaj, konsideron se Presidenti Rugova nderohet nga populli dhe po ashtu do të vazhdojë të  nderohet, por sipas tij, është e vështirë të thuhet se këta bartës së funksioneve të shtetit munden, dinë apo duan të jenë në frymën e trashëgimisë së vlerave që i la President Rugova, mbi të gjitha kanë logjikë dhe ideologji skajshmërish të kundërt me atë që ka përfaqësuar Presidenti Rugova.

“Presidenti Ibrahim Rugova do të mbetët president historik si bartësi i idesë së Lirisë, Pavarsisë dhe Demokracisë së shtetit të Kosovës. Nderimi institucional mbetet obligim moral ndaj figurës së Presidentit Rugova si dhe heronjve të Kosovës, por është e vështirë të thuhet se këta bartës së funksioneve të shtetit munden, dinë apo duan të jenë në frymën e trashëgimisë së vlerave që i la President Rugova, mbi të gjitha kanë logjikë dhe ideologji skajshmërish të kundërt me atë që ka përfaqësuar Presidenti Rugova. Lidhja me SHBA-në dhe vendet perëndimore ishte vlerë, mundësi për shtet ndërtim dhe fuqizim në rajon me miq të fortë. Andaj veprimet e qeveritareve janë në kundërshtim të plotë me këto parime. Po ashtu edhe populli e din shumë mirë se kur bëhen se nderojnë figurën e Presidentit Rugova, nuk harrojnë as të kaluarën e kundërshtimit primitiv të tij”, ka thënë deputeti Zemaj.

Edhe Bajram Gecaj, zyrtarë në LDK,  ka thënë për “Bota sot” se Ibrahim Rugova është një figurë emblematike dhe simbol i lirisë dhe pavarësisë së shtetit të Kosovës, prandaj kushdo që e nderon atë i bën ndër vetës dhe popullit të Kosovës.

Image
Bajram Gecaj

Mirëpo, sipas tij, nderimi që i bëjnë disa individë, të cilët deri dje e akuzonin me akuzat ndër më të rënda, përmes shpifjeve e ofendimeve nga më të ndryshmet, është nderim i dyshimtë dhe me gjasë që bëhet me shumë për hir të poenëve politik, se sa që bëhet nga sinqeriteti i atyre individëve.

“Megjithatë, populli thotë "më mirë dikur se kurrë", prandaj është mirë që më në fund edhe kundërshtarët më të flaktë të Presidentit Rugova më në fund e kanë kuptuar se figurës së tij nuk mund ti ikin as ata, e as historia më e re e popullit tonë”, ka thënë anëtari i LDK-së Gecaj.

Intrigat e rrezikshme të klasës politike ndaj miqve të Rugovës

Image
Skender Zogaj

Nga ana tjetër, analisti politik Skender Zogaj ka thënë se Kosova është në krizë të thellë politike dhe morale sepse me politikën po merret injoranca e cila përmes strukturave të korrupsionit dhe krimit të organizuar po e degjeneron çdo pore të jetës shoqërore.

Ai ka thënë, se në vend fatkeqësisht anti-vlera sundon, prandaj dhe Kosova është bëre një teatër absurditetesh tragjiko- komikë.

“Një nga farsat e lajkatarisë u luajt këto ditë me “lulet dhe përkuljet” tek varri i Presidentit Ibrahim Rugova, por nuk prish punë sepse pendimi u lejohet edhe mëkatarëve. Por e keqja qëndron tek intrigat e rrezikshme, që klasa politike e Kosovës po ua bën miqve të Ibrahim Rugovës, atyre që kanë meritën kryesore për çlirimin, lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës. Populli shqiptar i Kosovës duhet të hap sytë e mendjes dhe të kuptojë se duhet të merr vendime të reja dhe të denja për t’iu rikthyer idealeve dhe vizionit të Presidentit Rugova, që janë rruga e duhur historike për popullin shqiptar”, është shprehur analisti politik Zogaj.

“Dr. Ibrahim Rugova donte një shtet perëndimor Euroatlantik, ndërsa Thaçi e donte të kundërtin e tij”

Image
Artur Roshi

Kurse, njohësi i çështjeve politike Artur Roshi, mendon se përfaqësuesit e lartë të shtetit të Kosovës e nderojnë Rugovën, jo pse e kanë dashur, por pse ju duhet, meqë pesha e tij publike është një ortek që i ndjek ata nga mbrapa.

“Është një nderim i detyruar dhe jo i dëshiruar. Figura e Rugovës është simbolizim i shtetit të Kosovës dhe krijimit të tij. Presidenti Thaçi ka qenë konkurrent politik i Rugovës si i kundërt i tij që do të thotë se Dr. Ibrahim Rugova donte një shtet perëndimor Euroatlantik, ndërsa Thaçi e donte të kundërtin e tij. Pra në këtë kontekst drejtuesit e lartë të shtetit, janë në rregull me vazhdimësinë e tyre, për të bërë një shtet provincial të korruptuar dhe pa besim tek drejtësia. Këto shtete përputhen vetëm orientimin politik lindor që ngrihet mbi këto vese të pushtetit. Thaçi shkon te Rugova si “ Miterani tek varri i Degolit”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Artur Roshi.

Kurse, analisti politik Hidajet Ahemti, ka thënë se veprimet kontroverse të disa politikanëve, duke bërë nderimin pranë varrit të Rugovës janë absurde të llojit të tyre, dhe njëkohësisht fyerje e veprës dhe personalitetit të tij. 

“Vepra dhe filozofia politike Rugoviane shfrytëzohet vetëm për qëllime politike”

Image
Hidajet Ahmeti

Sipas tij, me atë se çfarë kemi parë që nga vdekja e mistershme e tij, kemi kuptuar se mungon vullneti i institucioneve të Republikës së Kosovës për t’ia bërë këto nderime personalitetit  të Ibrahim Rugovës.

“Pasuesit e Rugovës e në veçanti  bashkë partiaket e tij e kanë luftuar në kontinuitet e tash në çdo hapë mundohen që përmes frazave fiktive politike t’i bëjnë nderime ikonës së pavarësisë së Kosovës. Realisht, vepra dhe filozofia politike Rugoviane shfrytëzohet vetëm për qëllime politike nga klasa politike kosovare  e veçanërisht nga subjekti politik LDK”, ka thënë analisti politik Ahmeti.

Ai ka thënë, se përmes frazave politike boshe jo që e nderojnë veprën e tij, por përkundrazi kjo është nëpërkëmbje dhe njollosje e personalitetit të Rugovës.

“Veprimet praktike tregojnë më shumë se realitetin objektiv andaj është për keqardhje se si një personalitet me përmasa  të një lideri botëror nënçmohet nga institucionet e Republikës së Kosovës e në veçanti nga subjekti politik LDK. E kanë gojën plotë në kohë të fushatave zgjedhore e veprojnë  jashtë filozofisë politike Rugoviane, kjo tregon vullnetin, përkushtimin  dhe dëshirën e tyre për ta nderuar personalitetin e Rugovës”, ka thënë Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat