“Loja me Demarkacionin, Haradinaj e Veseli duan t’i ikin përgjegjësisë”

Politika

“Loja me Demarkacionin, Haradinaj e Veseli duan t’i ikin përgjegjësisë”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 24 janar 2018 Në ora: 21:57
Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Dy vite e gjysmë më parë u nënshkrua marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, por që kjo çështje ende nuk është zgjidhur.

E sot kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, tha se për këtë çështje duhet të merret Kuvendi, pasi qeveria nuk ka çka të bëjë më shumë.

“Për demarkacionin ne e kemi kryer, unë habitna pse ende Parlamenti nuk vendos, e ka demarkacionin, e kanë raportin janë të zgjedhur të popullit pse presin, votojeni. Qeveria e Kosovës nuk ka çka bën më shumë. Habitna pse grupet parlamentare atje që ankohen që thonë na ka izoluar qeveria,  Ramushi ai tjetri, urdhëroni, lypeni votojeni, pra LDK-ja e ka, aty me votuar, tjerët e kanë me votuar, le ta lypin, le ta votojnë e jo me gjet argumente e me vonuar në pakufi. Dy vite e gjysmë e ka vonuar LDK-ja, e ka mbajt në sirtar nuk e ka nxjerr në votim, tash që e ka në Parlament prapë po e vonon, pra unë habitna në këtë logjikë”, ka deklaruar ai sot para mediave.

Ndërsa që Haradinaj kur ishte në pozitë, ishte kundër kësaj marrëveshje, për çka opozita e kaluar bëri edhe protesta.

Për deklarata të tilla, opinionisti Nexhat Haziri thotë se Qeveria dhe Kuvendi po luajnë me këtë çështje, duke u munduar t’ia hedhin njëra tjetrës.

Image
Nexhat Haziri

“Shihet se kjo është sikur lojë ping-pongu ndërmjet qeverisë dhe Kuvendit sa i përket çështjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Pra tregon edhe njëherë papërgjegjshmërinë që kanë këta lider në raport me qytetarët dhe interesat e Kosovës. Po ashtu këtu vërehet edhe dallimet që kanë në mes tyre vetë partnerët e koalicionit qeverisës dhe sigurt këta po e bëjnë një luftë politike ndërmjet tyre se kujt po i mbetet patatja e nxehtë në duar”, ka deklaruar ai.

Sipas Hazirit, Haradinaj dhe Veseli duan t’i ikin përgjegjësisë për demarkacionin, derisa dikur kritikonin Isa Mustafën për mos guxim për ta dërguar në Kuvend.

“Unë vlerësoj se për shkak të kësaj politike, konkretisht në mes të kryeministrit Haradinaj dhe kryetarit të Kuvendit, Veseli çështja e demarkacionit ka mbetur peng. Se cili nga këta dy persona po dëshirojnë t’i ikin përgjegjësisë, ndërsa po të njëjtit dikur kritikonin ish kryeministrin Mustafa për mos guxim për të marrë gjoja vendime të mëdha. Ndërsa tani me të drejtë shtrohet pyetja se për çfarë vendimesh të mëdha janë Haradinaj dhe Veseli? Kjo tashmë flet dhe gjendja në të cilën gjendet Kosova është treguesi më i mirë dhe më i saktë se lider të tillë si Haradinaj dhe Veseli janë e keqja më e madhe e këtij vendi”, është shprehur Nexhat Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat