Alarmi i fundit për Haradinajn: Kosova po izolohet!

Politika

Alarmi i fundit për Haradinajn: Kosova po izolohet!

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 29 janar 2018 Në ora: 09:40
Ramush Haradinaj

Në Davos të Zvicrës janë mbajtur punimet e Forumit Ekonomik Botëror,  ku morën pjesë edhe të gjithë gjigantët e ekonomisë globale.

Ky Samit, ka bërë bashkë edhe kryeministrat e rajonit të Ballkanit perëndimor. Por, aty nuk mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj. Kosova, atje u përfaqësua vetëm nga Presidenti Hashim Thaçi.

Njohësit e çështjeve politike në vend, kanë vlerësuar se marrëdhënia ndërkombëtare, nuk është “fontanë dëshirash”, ku secili të bëjë kur dhe çfarë të dojë.

Sipas tyre, mos ftesa e Haradinajt për pjesëmarrje në këtë samit, është një sinjal i çartë ndaj Qeverisë së Kosovës, se raportet në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare, kanë rregulla dhe obligime.

Makolli: Vërejtja e fundit për Haradinajn

Sekretari i Përgjithshëm në AKR-së, Vesel Makolli ka thënë se këtu nuk kemi të bëjmë me një izolim klasik, por me një tërheqje apo vërejtje, apo siç thuhet në disa zhargone, "me vërejtjen e fundit".

Image
Vesel Makolli

Sipas tij, në këtë Samit ishte pjesëmarrës Presidenti Thaçi, por prezenca e tij është shumë e zbehtë, sepse nuk ka pasur takime të dëshiruara me homologët e tij nga vendet tjera, prandaj edhe kjo mund të merret si një "mini izolim" apo vërejtje e fundit.

“Ka qenë e pa imagjinueshme që ne ta kemi përkrahjen e thuajse të gjithë Evropës perëndimore (edhe të Francës), përkrahje e cila ka ardhur mbas një historie të gjatë shekullore të vuajtjeve, shtypjes e persekutimeve në përmasa gjenocidiale dhe me ndihmën e këtyre miqve Evropiane dhe SHBA-ve. Ne arritëm ta realizojmë ëndrrën shekullore për shtet të pavarur, miqësinë tonë me aleatët perëndimor (të cilët janë më meritorët për lirinë që ne e gëzojmë sot)”, ka thënë Makolli.

Sjellja e papërgjegjshme e Qeverisë

Ai konsideron, se shqiptarët duhet të ruajnë miqësinë me SHBA-në.

“Çdo veprim që merret e që ndikon në lëkundjen e kësaj miqësie unë e shoh si gabim të madh dhe shumë të rrezikshëm dhe e shoh si rrezikim të ardhmërisë së Kosovës dhe popullit të saj, gjegjësisht si rrezikim edhe të ardhmërisë së shqiptarëve në përgjithësi. Miqtë nuk fitohen brenda natës, por mund të humbin brenda natës, andaj lideri duhet ta ketë primar interesin e shtetit, sepse  shteti është mbi të gjitha”, është shprehur Makolli.

Ndërkaq, analisti politik Leon Duhanaj ka thënë se, ky është një sinjal i çartë ndaj Qeverisë së Kosovës, se raportet në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare kanë rregulla dhe obligime, të cilat çdo akter është i obliguar t'u përmbahet dhe t'i respektojë.

Image
Leon Duhanaj

Ai ka thënë, se marrëdhënia ndërkombëtare nuk është fontanë dëshirash ku secili të bëjë kur dhe çfarë të dojë.

“Qeveria e Kosovës, kohëve të fundit, ka sjellje të papërgjegjshme karshi, në radhë të parë qytetarëve të vendit, pastaj edhe partnerëve ndërkombëtarë. Në këtë kontekst, besoj fort që ky ka qenë një sinjal përjashtues për këtë lloj qeverisje. Ne duhet të jemi në nivel të detyrës si shtet. Njëherësh edhe koshient për situatën reale në të cilën gjendemi. Kosova nuk mund as të sakrifikohet e as të mbetet peng e grupeve të interesit në vend. Këndej, sa me parë kërkohet ndryshim në qasje. Përndryshe, nuk shoh ndonjë shkëndijë drite në fund të tunelit të errët”, ka thënë Duhanaj.

Haziri: Vendi po izolohet

Image
Nexhat Haziri

Opinionisti Nexhat Haziri, mendon se kjo çështje tashmë është shumë e qartë dhe nga askush nuk duhet të jetë indiferent ndaj kësaj pozite në të cilën gjendet Kosova në rrafshin ndërkombëtar.

“Po shihet se vendi po izolohet çdo ditë e më shumë si pasoj e një qeverie të papërgjegjshëm dhe të një kryeministri të padenjët i cili nuk po konsiderohet si partner bashkëpunimi nga institucione ndërkombëtarë dhe nga shtetet mike dhe përkrahëse të Kosovës. Mos marrja pjesë, është një alarm për shoqërinë, e cila nuk duhet ta pranoj këtë izolim të vendit për shkak të një qeverie antidemokratike që po dëmton interesat e vendit”, ka thënë opinionisti Haziri.

Kurse, politologu Faik Krasniqi ka pohuar se prej çlirimit të saj, Kosova për Bashkësinë Ndërkombëtare më shumë ka shërbyer si laborator madje edhe sikur izolimi ndaj Kosovës të ndodhte për shkak të kësaj klase politike të korruptuar, do të ishte një gjë shumë pozitive për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj.

Image
Faik Krasniqi

“Prandaj është i pakuptimtë edhe vazhdimi i dialogut dhe mbi të gjitha pa e qartësuar të ardhmen e Kosovës sa i përket integrimeve evropiane. Hapi i parë drejt qartësimit do të ishte heqja e vizave për Kosovën, dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, është shprehur politologu Krasniqi.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, e ka konsideruar si të mjaftueshme pjesëmarrjen e Presidentit Thaci në Forumin Ekonomik Botëror.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat