Haradinaj mund të ndiqet penalisht për rritjen e jashtëligjshme të pagave

Politika

Haradinaj mund të ndiqet penalisht për rritjen e jashtëligjshme të pagave

Nga: Diana Bunjaku Më: 2 shkurt 2018 Në ora: 10:34
Ramush Haradinaj

Qeveria e Kosovës ka pezulluar vendimin e marre më 22.12.2017 për rritjen e pagave. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se ky pezullim është i përkohshëm deri në dhënien e mendimit nga Gjykata Kushtetuese.

Ditë më parë, Agjencia Kundër Korrupsionit, e ka cilësuar të jashtëligjshëm vendimin për rritje të pagave nga ana e kabinetit qeveritar, të kryesuar nga kryeministri Ramush Haradinaj. Agjencia Kundër Korrupsionit, rekomandon që “vendimi të kthehet në rishqyrtim, duke shfrytëzuar mënyra tjera ligjore të cilat nuk bien ndesh me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe legjislacionin tjetër relevant në fuqi.

Gecaj: Duhet të arrestohen të gjithë ata që  kanë votuar për një vendim të jashtëligjshëm

Njohësit e çështjeve politike, vlerësojnë se kjo klasë politike kurrë nuk ka pasur prioritet zhvillimi ekonomik dhe mirëqenien sociale të qytetarëve. Ata konsiderojnë,  se pushtetarët e vendit prioritet e kanë pasur vetëm zhvatjen e shtetit në forma të ndryshme, pagat e majme si dhe mëditjet e benificionet e pafundme.

Zyrtarët nga Qeveria e Kosovës, edhe përkundër tentimit të gazetës për të kontaktuar nuk kanë dashur të japin sqarime në lidhje me këtë çështje.

Duke folur në lidhje me këtë, anëtari i LDK-së, Bajram Gecaj ka thënë për “ Bota sot” se tani duhet të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“ Tani për tani ne duhet të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese  dhe pas kësaj duhet të arrestohen të gjithë ata që  kanë votuar për një vendim të jashtëligjshëm”, është shprehur Gecaj.

Ndërsa, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se Agjencia kundër Korrupsion është institucion i pavarur, i themeluar nga Kuvendi i Kosovës, si autoritet qendror dhe i specializuar për parandalimin e konfliktit të interesit gjatë ushtrimit të funksionit publik.

Miftaraj: Topi është tek Prokurori i Shtetit

Sipas tij, vendimi i AKK është i ligjshëm dhe obligues jo vetëm për Qeverinë e Kosovës, por edhe për institucionet dhe zyrtarët shtetërorë që ushtrojnë funksione publike.

“Në këtë drejtim, komunikata e Qeverisë lidhur me komentimin e vendimit të AKK është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në pavarësinë e këtij institucioni, që për punën e saj i përgjigjet vetëm Kuvendit të Kosovës. Nëse Qeveria e Kosovës nuk e anulon vendimin për ngritjen e pagave dhe injoron vendimin e AKK, Prokurori i Shtetit sipas detyrës zyrtare e ka obligim për të iniciuar procedurë penale nga Kryeministrit dhe ministrave që kanë marr pjesë ne votim për veprën penale të konfliktit të interesit gjatë ushtrimit të funksionit publik. Vendimi i Qeverisë po ashtu bie në kundërshtim edhe me obligimet, që Kuvendi i Kosovës ka marr lidhur me Reformën e Agjendës Evropiane dhe adresimit të konfliktit të interesit. Sigurisht se tanimë topi është tek Prokurori i Shtetit për të dëshmuar nëse ky institucion është i pavarur në ushtrimin e kompetencave kushtetuese dhe ligjore apo me mos veprim konfirmon se ky institucion është në shërbim të politikës dhe se ligjin e zbaton në mënyrë selektive” është shprehur Miftari.

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike dhe juridike Blerim Burjani ka thënë se Qeveria Hardinaj është e obliguar që ta respektojë vendimin  e Agjencionit , meqë është konflikt interesi nëse nuk e zbaton këtë vendim agjencioni.

Sipas tij, nëse Qeveria nuk e zbaton këtë vendim nga Agjensioni Kundër Korrupsion, atëherë natyrisht se ata kanë të drejtë ta dërgojnë lëndën në prokurori, dhe natyrisht se prokuroria mund ta ndjek rastin.

“Mendoj se sipas detyrës zyrtare ky është akt i paligjshme i qeverise përkatësisht i një njeriu që mendon se është mbret. Por s’duhet harruar se ligji është i barabartë për të gjithë dhe duhet të respektohet. Andaj, konsideroj se rasti ka marr një jehonë edhe në rajon me rritje të pagave në mënyrë të kundërligjshme, dhe të gjithë Institucionet e Kosovës, të cilat kane vepruar edhe më herët njëjtë si ky njeri, duhet të anulojnë të gjitha vendimet e Institucioneve buxhetore, sepse ligji për pagat duhet respektuar dhe nivelizimi është shumë i nevojshëm”, ka thënë Burjani.

Haradinaj duhet ta tërheqë vendimin

Ai mes tjerash. ka theksuar se mbi të gjitha kjo punë është çështje e Kuvendit te Kosovës, sepse të gjitha bordet duhet të paguhen me mëditje e jo me paga mujore të cilat vet i kanë rregulluar.

“Të gjithë kanë vepruar paligjshëm, si komisionet e pavarura kushtetuese ashtu edhe institucionet tjera të cilat duhet të  jenë  Ad hoc dhe paguhen me mëditje. Pra, duhet të ketë shkurtime drastike buxhetore,  sepse shteti i Kosovës është në kredi të mëdha dhe zhvatje të buxhetit në mënyrë të kundërligjshme”,  ka thënë Burjani.

Kurse, politologu Faik Krasniqi konsideron se për këtë klasë politike, kurrë nuk ka qenë prioritet zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia sociale e qytetarëve, por mbi të gjitha zhvatja e shtetit në forma të ndryshme, pagat e majme dhe mëditjet e benificionet e pafundme.

Sipas tij, në vend se t'i zvogëlojnë pagat e tyre të majme më të lartat në rajon, dhe heqjen dorë nga mëditjet e benificionet, nga pangopësia i rrisin akoma pagat e tyre, ku me ato para do të mund t'i dërgonin në fondin për investime, për hapjen e vendeve të reja të punës.

“Pas reagimit të Agjensionit Kundër Korrupsion që vendimi i Qeverisë për rritjen e pagave është i kundërligjshëm, besoj që kryeministri Haradinaj do ta tërheq vendimin e tij, sepse rritja e pagave për kabinetin qeveritar dhe prokurorët e gjykatësit, do të mund të shkaktonte pakënaqësi dhe ''rebelim'' nga ana mantel bardhëve, punonjësve të arsimit dhe administratës publike, të cilët veçse kanë filluar me greva”, ka thënë politologu Krasniqi.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka pezulluar vendimin e marre më 22.12.2017 për rritjen e pagave. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se ky pezullim është i përkohshëm deri në dhënien e mendimit nga Gjykata Kushtetuese. Tutje, Haradinaj thotë se me këtë vendim përveç kabinetit qeveritar më se shumti pësojnë gjyqtarët dhe prokurorët por sipas tij kjo nuk do të thotë që Qeveria ka heq dorë nga mbështetja për ta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat