Haradinaj “mbetet” pa kravata, dështon rritja e pagave

Politika

Haradinaj “mbetet” pa kravata, dështon rritja e pagave

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 3 shkurt 2018 Në ora: 14:27
Ramush Haradinaj

“Pagat nuk do të rriten për shkak se Qeveria është detyruar të tërhiqet nga vendimi i marrë, pas vendimit të Agjensionit Kundër Korrupsionit dhe sidomos pas adresimit që opozita i bëri lëndës në Kushtetuese”, u shpreh Abdixhiku për “Bota sot”.

Në dhjetor të vitit të kaluar, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, mori vendimin skandaloz që pagën e tij ta rrisë mbi 100%, ku njëra ndër arsyet e kësaj rritje ishte se atij i duheshin para për gardërobë e kravata.

“Nuk du me u krahasu me askënd. Por nuk ka vend që bohet më shumë punë se sa kryetari i Qeverisë, sesa në ekzekutiv. Nuk mundet ai që bën ekzekutiv që bën kaq shumë punë me pasë rrogën ma të vogël se sa për shembull një tjetër. Në njëfarë mënyrë kemi respektu hierarkinë e pagave, si të parlamentit, si të presidencës si më tutje. 1300 euro për mua, po mos t’i kisha të hyrat tjera që i kam, ta zëmë qiranë…unë obligohna një kravatë, unë s’muj tash gjithqysh me dalë, obligohna një këmishë. Duhna me qenë në nivel të përgjegjësisë”, kishte thënë Haradinaj për televizionin publik të Kosovës duke arsyetuar rritjen e pagës për vete.

 Por përveç kryeministrit, rritje të pagave kishte edhe për zëvendësministrat e shumtë në këtë qeveri dhe zyrtarët tjerë qeveritarë.

E së fundmi, Agjensioni Kundër Korrupsionit, e shpalli joligjore dhe të pavlefshme rritjen e pagave nga qeveria, e kjo e fundit e pezulloi vendimin për këtë rritje deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, aty ku gjendet për shqyrtim i dërguar nga opozita. Por, sa ka gjasa që mos të ndodhë rritja e pagave dhe ryeminsitrit Haradinaj të “mbesë pa kravata”?

Image
Lumir Abdixhiku

Deputeti nga radhët e LDK-së dhe njëherit kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, Lumir Abdixhiku, thotë se pagat nuk do të rriten dhe se kjo rritje e pagave që është bërë nga qeveria është e pakuptimtë duke parë gjendjen ekonomike të Kosovës në përgjithësi.

“Në këtë ambient ekonomik që është Kosova, rritja e pagave është e pakuptimtë. Pagat nuk do të rriten për shkak se Qeveria është detyruar të tërhiqet nga vendimi i marrë, pas vendimit të Agjensionit Kundër Korrupsionit dhe sidomos pas adresimit që opozita i bëri lëndës në Kushtetuese”, u shpreh Abdixhiku për “Bota sot”.

Rritje e njëanshme e pagave

Kurse, deputeti i Vetëvendosjes dhe anëtari i komisionit për buxhet e financa, Ali Lajçi, thekson se rritja e pagave është e njëanshme, dhe sipas tij është bërë për interesa të cilat nuk kanë kuptim.

Image
Ali Lajçi

“Vendimi i AKK-së është në shqyrtim e sipër. Pagat kanë qenë mirë që të rriten përmes ligjit, d.m.th., ligjit për paga, ajo do të ishte mënyra më e mirë, ndërsa në anën tjetër kjo rritje e pagave është e njëanshme dhe është bërë për interesa të cilat nuk kanë kuptim. Duhet të punohet në këtë drejtim që kjo rritje e pagave të rishqyrtohet edhe njëherë. Mungesa e ligjit për paga ka qenë një ndër arsyet që janë emëruar kaq shumë zëvendësministra, e kjo ndikon keq në buxhetin e Kosovës”, deklaroi Lajçi

Ai beson se Gjykata Kushtetuese do ta zgjidh këtë problem dhe se ka dyshime të këshilltarët e Haradinajt, pasi sipas Lajçit ata nuk kanë dijeni në çështjet ligjore.

“Tash kjo rritja e pagave është në gjykatë dhe besoj se do të jetë konform ligjit edhe përgjigjja që do të marrim nga institucionet.  Nuk e di nëse Haradinaj ka ndonjë këshilltar apo jo që t’i tregoj disa çështje ligjore, pasi si duket kryeministri Haradinaj nuk dijeni shumë në këto çështje”, përfundoi Lajçi për “Bota sot”.

Konflikt interesi

E, njohësi i çështjeve ekonomike, Lekë Musaj, shprehet se Qeveria nuk do të duhej ta rriste pagën për vetën e tyre, mirëpo atë do të duhej ta bënte Ministria për Buxhet dhe Financa, pasi rritja e pagës nga vetë qeveria është një konflikt interesi.

Image
Lekë Musaj

“Po thjeshtë tash do të duhej të ishte çështje ligjore, të përcaktohet saktësisht se si duhej të jetë mekanizmi për rritje te pagave, nuk do duhej të ishte në diskrecion të qeverisë rritja e pagave për veten e tyre sepse ai është konflikt direkt interesi, rritja e pagës do te duhej te ishte reflektim i produktivitetit, d.m.th nëse qeveria ka arritur të rris standardin jetësor e cila matet me GDP për Capita ose Purchasing Poëer Parity atëherë do të ishte e natyrshme rritja e pagave edhe për qeveritaret. Qeveria nuk do te duhej ti rriste pagat, do te duhej te ishte ministria e financave ajo qe përcakton kriteret për rritje”, u shpreh Musaj.

Haradinaj një menaxher i dobët që po e izolon Kosovën

Gjithashtu edhe njohësi i çështjeve të ekonomisë, Mustafë Kadrijaj, thekson se Haradinaj është  treguar një menaxher i dobët.

 “Kryeministri aktual, Ramush Haradinaj, përveç qe është treguar një menaxher i dobët njëherit është treguar edhe kundërthënës në deklaratat e tij me arsyetimin e pagave, ku e ka arsyetuar se i duhet për gardëroba, një arsyetim përveç joligjor dhe banal dhe njëherit duke indinjuar qytetarin e varfër të Kosovës ndërsa për pushime në Sant Morris deklarohet qe ka mjete edhe për tri pushime tjera, ku edhe ky rast prek në ndjenjën e qytetarit”, tha Kadrijaj.

Image
Mustafë Kadrijaj

Ai thotë se Haradinaj po e izolon Kosovën dhe po jep shembull të keq para ndërkombëtarëve me menaxhimin e keq të shtetit, ku sipas tij kjo e bënë këtë qeveri të mbahet mend si qeveri e padijshme.

“Me veprimet e kryeministrit aktual aq te pamatur është duke e izoluar çdo dite e me shumë Kosovën dhe njëherit ka nënçmuar inteligjencën kosovare duke dhënë një shembull të keq para miqve ndërkombëtare që ne nuk dimë te menaxhojmë shtetin duke e kthyer orën prapa për Kosovën duke e hedhur poshtë të gjithë atë mund që është bërë. Do të mbahet mend si qeveria më e padijshme me ministra që as për se afërmi nuk i plotësojnë kriteret profesionale dhe morale mendoj që i vetmi nder që do ti bëj Kosovës duhet sa më shpejt të bie kjo qeveri duke uruar që më së largu ne mars të bie, muaji prill fushate dhe në maj certifikimi si dhe qeveria e re të filloj punën më së largu ka fundi i majit ose fillimi i qershor që sezona e verës të këtë qeveri sepse jemi dëshmitar që ky ngërç shkaktoj dëme te pariparueshme si ekonomike dhe politike”,  përfundoi Kadrijaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat