Vizita e kryeministrit malazez, Abazi zbulon skenarin manipulues për Demarkacionin - Bota Sot
Vizita e kryeministrit malazez, Abazi zbulon skenarin manipulues për Demarkacionin

Politika

E mërkurë, 23 maj 2018

Vizita e kryeministrit malazez, Abazi zbulon skenarin manipulues për Demarkacionin

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 5 shkurt 2018 Në ora: 21:46
Haki Abazi

Kryesia e Kuvendit sot ka caktuar që seanca e ardhshme të mbahet të enjten, derisa ka hequr nga rendi i ditës marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi.

Në anën tjetër, nesër në Kosovë do të qëndrojë për vizitë zyrtare, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ku do të takohet me krerët e shtetit.

Kjo vizitë e kryeministrit malazez do të realizohet në kohën kur liderët politikë janë duke shqyrtuar mundësinë e gjetjes së një zgjidhje për Demarkacionin.

Për heqjen e demarkacionit nga rendi i ditës dhe vizitën e kryeministrit malazez, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Haki Abazi, thotë se e gjitha është manovrim taktik dhe manipulues.

Sipas tij, në Kuvend do të sillet së shpejti marrëveshja e Demarkacionit dhe do të thuhet se është një marrëveshje e re me Malin e Zi.

“Kjo çfarë po ndodhë me marrëveshjen është thellim i nivelit manipulues e spekulativ në vend. Largimi nga rendi i ditës i marrëveshjes së Demarkacionit në kohën kur pritet vizita e kryeministrit malazez është manovrim taktik por edhe manipulues. Me siguri që marrëveshja do të kthehet në kuvend së shpejti dhe do të tentohet të shitet sikur është arritur një marrëveshje tjetër me Malin e Zi që të rishqyrtohet Demarkacioni pas një kohe të caktuar”, është shprehur Abazi për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, duhet të zgjidhet çështja e Demarkacionit, por jo të bëhen gjërat fshehurazi, pasi shteti nuk është pronë e politikanëve.

“Krejt ne rregull, duhet të dilet nga kjo situatë disi por po mendoj që nëse një skenar i tillë zbatohet, nuk do të ketë aspak shije tjetër prej asaj që ka pasur në fillim. Një proces i fshehur i diskutuar nëpër skuta dhe pas shpinës së qytetarëve. Shteti nuk është pronë e politikanëve ashtu siç edhe marrëveshjet nuk janë pronë e politikanëve ato duhet përgatitur mirë me ekspertizë dhe të diskutohen në një proces të hapur e transparent, me një angazhim të parlamenti si instanca e fundit e ratifikimit të marrëveshjeve”, vlerëson ai.

Abazi thotë se nënshkrimi apo çdo lëvizje taktike po bëhen për shkak të mos respektit të qytetarit dhe se politikanët e konsiderojnë popullin si idiot.

“Këta që po udhëheqin me vendin tani janë njerëz që jetojnë duke gjeneruar kriza dhe jetojnë në kriza por vendi është lodhur nga këto taktika që po anashkalojnë proceset demokratike. Jam i bindur që edhe nënshkrimi edhe këto lëvizje taktike që po bëhen janë rezultat i mos respektit për qytetarin, ata po e konsiderojnë popullin si idiot dhe qytetarin të varur nga fuqia e tyre”, ka deklaruar Haki Abazi për “Bota sot”.

Pas heqjes së marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi nga rendi i ditës, nuk dihet se kur do të sillet kjo marrëveshje në Kuvend.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test