Për Ballkanin perspektivë integruese, por s’ka ikje nga kriteret e BE-së - Bota Sot
Për Ballkanin perspektivë integruese, por s’ka ikje nga kriteret e BE-së

Politika

E martë, 20 shkurt 2018

Për Ballkanin perspektivë integruese, por s’ka ikje nga kriteret e BE-së

Më: 6 shkurt 2018 Në ora: 19:08
Federica Mogherini dhe Johannes Hahn. Foto nga arkivi

Bashkimi Evropian u ka ofruar perspektivë të qartë integruese vendeve të Ballkanit Perëndimor, por BE-ja nuk do të importojë mosmarrëveshje brenda saj, kështu që vendet që mëtojnë integrimin, duhet t’i zgjidhin paraprakisht mosmarrëveshjet, është thënë gjatë prezantimit të Strategjisë së re të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Kjo strategji është shpalosur nga Presidenti i Komisioni Evropian, Jean-Claude Juncker, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, dhe komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn, për Kosovën, ndërkaq është pasuar edhe me një konferencë në Prishtinë të Përfaqësueses së BE-së, Nataliya Apostolova.

“Populli i Ballkanit dhe liderët e këtyre vendeve e kanë bërë një zgjedhje të drejtë, që të jenë pjesë e Bashkimit Evropian. Ne, mund t’ju themi atyre se edhe ne e kemi bërë zgjedhjen e njëjtë, pra u japim perspektivën e qartë evropiane atyre”, ka deklaruar Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini.

Strategjia e re, ka parashikuar afate kohore vetëm për Serbinë dhe Malin e Zi, sipas së cilës, këto dy vende mund të anëtarësohen në BE diku në vitin 2025. Përderisa vendet tjera si Shqipëria, Maqedonia, Bonjë e Hercegovina dhe Kosova janë përfshirë në Strategjinë e Zgjerimit, por pa ndonjë afat kohor për anëtarësim.

“Komisioni është i gatshëm të përgatisë rekomandime për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, në bazë të kushteve të plotësuara”, theksohet në Strategji.

“Me përpjekje dhe angazhim të vazhdueshëm, Bosnja dhe Hercegovina mund të bëhet kandidate për anëtarësim. Kurse Kosova ka mundësi të bëjë përparim të qëndrueshëm me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe të avancojë në rrugën e saj evropiane, kur të lejojnë rrethanat objektive”, theksohet aty.

Por, Mogherini tha se “këto nuk janë afatet e fundit dhe se edhe vendet tjera mund të fillojnë me negociata gjatë muajve në vijim”.

Raporti përfundimtar i BE-së, sipas saj, pritet të publikohet në prill, kurse takimi me vendet e Ballkanit do të mbahet më pas në Sofje të Bullgarisë, e cila aktualisht ka marrë kryesimin e Unionit.

Ndërkohë, komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë, Johannes Hahn tha se po flitet për një perspektivë për të gjitha vendet në rajonin e Ballkanit.

“Pra, secili në Ballkan duhet të ketë si interes integrimin dhe të shtojnë bashkëpunimin mes vete në rrugën drejt BE-së”, theksoi Hahn.

Ai tha se Strategjia dhe të gjitha elementet e saj, nuk paraqet mundësi për vendet që të shmangin kriteret e përcaktuara për integrim, por paraqet një kanalizim të kritereve si domosdoshmëri për integrim në BE.

Hahn ftoi vendet e Ballkanit që të shtojnë bashkëpunimin dhe t’i tejkalojnë mosmarrëveshjet, duke i rikujtuar shtetet e Ballkanit se stabiliteti dhe marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore, janë kushte të parapara në kriteret evropiane.

“Anëtarësimi në BE nuk është vetëm çështje ekonomike, por edhe përkushtim për pranimin e vlerave dhe standardeve evropiane”, tha ai.

Ndërkohë, Përfaqësuesja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova tha se “nuk ka ndonjë dallim ndërmjet Kosovës dhe vendeve tjera të rajonit në këtë Strategji”, ndonëse për Kosovën, ajo tha se mbetet ende rrugë e gjatë deri në fazën integruese.

“Kushtet dhe kriteret janë të njëjta dhe se procesi i zgjerimit mbetet i mbështetur në meritat dhe nuk ka rrugë tjetër. BE-ja nuk mundet dhe nuk do të importojë mosmarrëveshje bilaterale, ato duhet të zgjidhen para anëtarësimit. Kosova, e po ashtu edhe Serbia, duhet t’i intensifikojnë përpjekjet për normalizim, ngase nuk ka ndonjë rrugë alternative”, tha Apostolova.

Në strategjinë e re të BE-së kërkohet që të “arrihet marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të detyrueshme ligjërisht ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në mënyrë që (të dyja vendet) të avancojnë drejt rrugës evropiane”.

Lidhur me Strategjinë e re është deklaruar edhe ministrja e Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha. Ajo e ka cilësuar si tejet pozitive që Bashkimi Evropian e ka konfirmuar se Kosova e ka vendin e vet në BE dhe e ka rrugën e vet të ndarë nga Serbia në këtë proces.

“Është tejet pozitive që BE ka konfirmuar se Kosova e ka vendin e vet në BE dhe e ka rrugën e vet të ndarë nga Serbia në këtë proces. Fakti që BE e trajton procesin e aderimit të Kosovës në BE të ndarë nga Serbia, për mua është një njohje e shtetësisë së Kosovës, përkundër mosnjohjes nga disa shtete anëtare të BE-së, dhe rezistencës që kanë shfaqur disa shtete që Kosova fare të mos përfshihet në këtë strategji”, tha Hoxha.

“Po ashtu, është tejet pozitive që BE-ja kërkon kategorikisht që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje juridikisht të detyrueshme, si parakusht për anëtarësimin e tyre në BE”,tha tutje ajo.

Publikimi i Strategjisë, pritet të pasohet edhe me takimin e radhës ndërmjet liderëve të vendeve të Ballkanit dhe atyre të Bashkimit Evropian, i cili do të mbahet muajt në vijim.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test