Skenari i vitit 2017, nis “turi” i rrëzimit të Haradinajt?

Politika

Skenari i vitit 2017, nis “turi” i rrëzimit të Haradinajt?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 7 shkurt 2018 Në ora: 17:19
Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ditëve të fundit ka filluar një “tur” dëgjimi nëpër komuna të Kosovës, të cilin ai po e quan “tur liberalizimi”, të ngjashëm me atë që e kishte nisur para se të tërhiqej nga koalicioni me LDK-në.

Njohës të çështjeve politikë dhe profile të ndryshme të subjekteve politike, konsiderojnë se Veseli këto turne nuk po i bën për liberalizim, por po i bën për ta rrëzuar qeverinë Haradinaj pas miratimit eventual të demarkacionit. Ata vlerësojnë, se të gjitha partitë që kanë bërë koalicion me PDK-në, kanë dështuar dhe asnjë qeveri nuk e ka pas mandatin e plotë, pasi sipas tyre PDK është parti e interesave personale, mafioze e kriminale.

Image
Drita Millaku

Millaku: PDK-së i konvenojnë zgjedhjet

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku ka thënë për “ Bota sot” , se historikisht të gjitha partitë që kanë bërë koalicion me PDK-në kanë dështuar dhe asnjë qeveri nuk e ka pasur mandatin e plotë, kjo për shkak se PDK është parti e interesave personale, mafioze e kriminale.

“Pra jam e bindur në këtë situatë që gjendet Kosova, PDK-së i konvenojnë zgjedhje dhe mund të them se çdo ditë e kësaj qeverie është e dëmshme për vendin. Por e di se në zgjedhjet e ardhshme PDK-ja do të jetë në opozitë, për shkak se këta njerëz që po e udhëheqin kohëve të fundit e kanë treguar fytyrën e vet të vërtetë dhe nuk e kanë përkrahjen e ndërkombëtarëve. Me këtë qeveri nuk do të ketë as liberalizim, e as zhvillim ekonomik, e as ushtri që në start është e dështuar”, ka thënë deputetja Millaku.

Image
Bajram Gecaj

Anëtari i LDK-së Bajram Gecaj, ka thënë se Kadri Veseli kishte ndërmarrë një turne të tillë edhe në kohën kur ishte pjesë e Qeverisë më të mirë të pasluftës në këtë vend.

“Pikërisht për këtë mendoj se do te ishte e çuditshme dhe e dyshimtë nëse nuk merr një iniciativë të tillë tani, kur kemi qeverinë më të mbrapsht që e kemi pasur ndonjëherë”, ka thënë Gecaj.

Mushkolaj: Dështimi i demarkacionit do të thotë vetëvrasje politike për Haradinajn

Analisti politik Imer Mushkolaj, ka thënë se Veseli po përpiqet t'i bëjë presion Haradinajt që demarkacioni të kalojë.

Sipas tij, kalimi i demarkacionit do të shkonte në favor edhe të Haradinajt, edhe pse varet se si  do ta arsyetojë ndryshimin e qëndrimit.

Image
Imer Mushkolaj

“Dështimi i demarkacionit do të thotë vetëvrasje politike për Haradinajn dhe hapje rruge për zgjedhje të reja”, ka thënë analisti politik Mushkolaj.

Njohësi i çështjeve politike dhe juridike, Blerim Burjani, ka thënë se ky problem duhet të zgjidhet disi, se nëse nuk ka vullnet për zgjidhje, atëherë duhet që urgjentisht të këtë zgjedhje sa më parë dhe më mirë.

“Kështu nuk shkon më sepse me zgjedhje të kota të bëra vitin e kaluar s’po sjellin asnjë rezultat veç legjitimim të atij ngërçi politik. Kosova vazhdon me ngërç politik pa asnjë zgjidhje, veç me një mandatar koti i cili i sjell një palë fjalë tërë kohën. Pra, nëse nuk ka zgjidhje duhet të ofrohet zgjidhja, s’ka liberalizim s’ka zhvillim ekonomik , s’ka mbrojtje shëndetësorë s’ka mbrojtje sociale efektive s’ka asgjë, çka të pritet më s’ka kohë për të humbur , jo të shkojë kot koha e të mos ketë asnjë zgjidhje”, ka thënë njohësi i çështjeve politike e juridike Blerim Burjani.

Image
Blerim Burjani

Veseli: Veseli mundohet ti ikë përgjegjësisë nga qeverisja skandaloze

Opinionsti Nexhat Haziri, ka thënë se Veseli po përgatitë terrenin për rrëzimin e qeverisë Haradinaj, dhe me këto takime nëpër komuna të ashtuquajturit "tur liberalizimi” sikur po matë impulsin e gatishmërisë së qytetarëve për zgjedhje të reja.

“Të tillët i mbante për ta rrëzuar qeverinë Mustafa, pasi si duronte dot sukseset e qeverisë Mustafa dhe nuk i konvenonte atij dhe PDK-së që të hyjë në zgjedhjet lokale me kryeministër Isa Mustafën. Ndërsa, tani Veseli do të mundohet ti ikë përgjegjësisë nga qeverisja skandaloze e kryeministrit Haradinaj, pjesë e koalicionit është edhe vetë PDK-ja, andaj Veseli ka zgjedhur tani këtë të ashtuquajtur "tur liberalizimi" që në rastin e parë kur të jetë i bindur se mund të llogarisë në një mbështetje nga qytetarët ai do ta rrëzoj qeverinë Haradinaj”, ka thënë Haziri.

Image
Nexhat Haziri

Ai ka thënë se qytetarët janë mjaft të vetëdijshëm dhe nuk do të bijnë pre e arsyetimeve të shefit të SHIK-ut që është edhe kryetar i Kuvendit.

“Veseli është po aq fajtor për qeverisjen banditeske që e ka katandisur në këtë gjendje të pa shpresë vendin, po aq sa edhe Haradinaj. Andaj Kosovës i duhet largimi sa ma i shpejtë nga qeverisja koalicioni i Gorillave që përbëhet nga Veseli, Haradinaj, Limaj, dhe të tjerët”, ka thënë Haziri.

Si në kohën e Isa Mustafës

Ndërsa analisti politik Ali Hertica ka thënë se kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ditëve të fundit po tregohet shumë koshient duke filluar këtë lloj fushatë të ja filluar një tur dëgjimi nëpër komuna të rreth çështjes së demarkacionit ku lideri Veseli po e quan “tur liberalizimi”. 

Image
Ali Hertica

Ai ka thënë  se, ky lloj “turi” tani thuajse është i ngjashëm me turin e dëgjimit, kur kishte filluar politikat  për të rrëzuar kësisoj qeverinë që e drejtonte Isa Mustafa.

“Por, tani Veseli është ka e luan një lloj loje, duke përdorur strategji me qeverinë Haradinaj, sepse të gjithë ata patriotë që ishin stoik në qëndrime nuk do të votojnë ratifikimin e demarkacioni në Parlament versionin e Mehës. Kurse tani lojnat politike kanë marrë hovin dhe së shpejti pritet epilogu i fundit në javën që do vjen ku do jetë e dhimbshme për disa subjekte politike. Dhe jam i bindur se aty disa subjekte nuk do kanë kurrë rastin të jenë pjesë e qeverisë në të ardhmen, sepse u përbuz vota dhe premtimi elektoral i qytetarit duke ia humbur 3 vite kohë për mos shtyrjen e proceseve përpara drejt integrimeve Evropiane dhe zhvillimin e vendit, pa pasur dhimbje për qytetarin i cili çdo herë po paguan haraçin e politikës së brishtë “, ka thënë analisti politik Ali Hertica.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat