Haziri reagon ndaj Haradinajt: Terrorizmi dhe ekstremizmi islamik nuk luftohet me deklarata të tilla - Bota Sot
Haziri reagon ndaj Haradinajt: Terrorizmi dhe ekstremizmi islamik nuk luftohet me deklarata të tilla

Politika

E diel, 25 shkurt 2018

Haziri reagon ndaj Haradinajt: Terrorizmi dhe ekstremizmi islamik nuk luftohet me deklarata të tilla

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 8 shkurt 2018 Në ora: 16:34
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, duke folur për “Daily Beast” për ndikimin rus në Kosovë dhe çështjen e terrorizmit, ka thënë se problemi i Kosovës është me gratë në ISIS, të cilat kanë fëmijë me jo-shqiptarët e Kosovës.

Ai ka akuzuar OJQ-të radikale dhe imamët vendorë, për krijim të propagandës sistematike për më shumë se një dekadë.

“Problemi jonë është me gratë në ISIS, të cilat kanë fëmijë me jo-kosovarët. Ndonjëherë ne nuk e dimë se me kë këto gra kanë fëmijë. Ata mund të jenë fëmijë të grave kosovare me komandantët e ISIS-it. OJQ-të radikale dhe imamët vendor, kanë krijuar një propagandë sistematike për më shumë se një dekadë, ndonjëherë duke e bërë edhe atraktive idenë e bashkëngjitjes për përfitime financiare’, ka thënë Haradinaj.

E duke komentuar këtë deklaratë të Haradinajt, njohësi i zhvillimeve politike Nexhat Haziri, ka thënë kryeministri nuk duhet të lëshohet në deklarata të tilla, edhe pse sipas tij, gjendja e grave në Siri, është e dhimbshme.

Ai ka thënë për gazetën “Bota sot”, se jo të gjitha këto gra, kanë shkuar atje me vullnetin e tyre.

Image
Nexhat Haziri

“Të them të drejtën, nuk i takon një kryeministri të lëshohet në deklarata të tilla, edhe pse ka të dhëna të sakta se si trajtohen gratë shqiptare të mbetura të veja në zonat e luftës në Siri, për të cilat kam shkruar personalisht. Gjendja e këtyre grave është e dhimbshme, pasi jo të gjitha kanë shkuar me vullnetin e tyre, por iu janë bindur urdhrit të burrit, të shtyra edhe nga parimet kuranore, të cilat përcaktojnë rolin dominues të burrit ndaj gruas”, është shprehur Haziri.

Në vend të kësaj deklarate, sipas tij, kryeministri do të duhej të krijonte mekanizma për fatin e këtyre grave dhe dhjetëra fëmijëve shqiptarë, të mbetur rrugëve arabe.

Ai ka thënë se kjo deklaratë e kryeministrit, tregon se ai është i mangët në qasjen dhe trajtimin e kësaj çështje.

“Në vend të këtyre deklaratave, që nuk janë për tu krenuar, e as që kryeministri ka thënë diçka të re, shteti do të duhej të krijonte mekanizma që do të duhej të interesohej për fatin e këtyre grave dhe dhjetëra fëmijëve shqiptar të mbetur rrugëve të shkretëtirave arabe. Terrorizmi dhe ekstremizmi islamik nuk luftohet me deklarata të tilla, por tregojnë se kryeministri Haradinaj është i mangët në qasjen dhe trajtimin e kësaj çështje sikur edhe për çështje të tjera”, ka pohuar për “Bota sot”, Nexhat Haziri.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test