“Hashim Thaçi e kontrollon Ramush Haradinajn”

Politika

“Hashim Thaçi e kontrollon Ramush Haradinajn”

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 12 shkurt 2018 Në ora: 09:20
Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj

Analisti Leon Duhanaj, ka thënë se Thaçi ka arritur që të ndërhyjë në mes të Haradinajt dhe të Limajt, dhe në këtë mënyrë po arrin që të kontrollojë kryeministrin.

Image
Leon Duhanaj

“Qeverisja e Haradinaj, me apo pa vullnetin e plotë të tij, ka rënë nën ndikimin e Presidentit Thaçi. Këtë e ka manifestuar tashmë në disa lëvizje e taktizime. Si psh: loja me shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Besoj, në këtë vazhdë, mund të kanalizohet edhe darka tek  Pacolli, i cili për mendimin tim, është plotësisht në një linjë politike me Thaçin. Këtu qëndron edhe arsyeja e mospjesëmarrjes së Limajt. Për mendimin tim, Thaçi, ka arritur të futet mes Limaj  e  Haradinaj. Me këtë mënyrë, e kontrollon qeverisjen Haradinaj, çka, nuk i konvenon Limajt, pasi që dihet që  këta të dy, nuk kanë ndonjë raport pozitiv”, ka potencuar ai për “Bota sot” .

Për më shumë, ai ka theksuar se mund të ketë rënie të Qeverisë  nëse do t`i rrezikohet interesi strategjik ndonjë partie.

“Si përmbledhje e kësaj, nuk besoj që në asnjë nga këto manovra,  të ketë luftë parimesh apo idesh përparimtare. Janë më shumë inate dhe luftë për ndikim e pushtet në të ardhmen. Qeverisja mund të bije, vetëm atëherë kurë ndonjërit nga të tillët t'i rrezikohet interesi strategjik partiak”, ka përfunduar Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat