Dy betejat e humbura të Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës

Politika

Dy betejat e humbura të Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 17 shkurt 2018 Në ora: 21:31
Prishtina festive

Në prag të dhjetëvjetorit të Pavarësisë, shtetit serb ka nisur dy beteja të fuqishme që kanë për qëllim minimin e shtetësisë së Kosovës.

Njëra prej këtyre betejave është ajo për shkëmbim të territoresh në mes së dyja vendeve. Zyrtarët serb, ka vite që në qarqe ndërkombëtare po e kërkojnë pjesën veriore të vendit në këmbim që Kosova të marrë Komunën e Preshevës dhe disa pjesë tjera të këtij rajoni.

Kurse, beteja tjetër e këtij shteti, është ajo përmes përhapjes së propagandës kundër pavarësisë së Kosovës, përmes mediave serbe që janë vegla të Qeverisë dhe të presidentit , Aleksandër Vuçiq.

Gjatë këtij muaji, këto mediume kanë nisur një propagandë ndaj Kosovës përmes intervistimit të njerëzve ndërkombëtare që ndajnë mendime të njëjta me Beogradin sa i përket intervenimit të NATO-s kundër regjimit të Millosheviqit dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës nga shumica e shteteve të botës.

Një intervistë të tillë, mediumet serbe e kanë bërë me zëvendës-kancelarin e Austrisë, Heinz-Christian Strache që sipas shumë politikanëve perëndimor ai është një dorë e zgjatur e presidentit të Rusisë Vladimir Putinit.

Image
Ali Lajçi

Ky zëvendës-kancelar, ka thënë se Kosova është pjesë e Serbisë.

Strache dha mendim personal për Kosovën

Deputetët i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajçi duke folur për çështjen në fjalë tha se ai nuk sheh rrezik se shteti austriak ka ndërruar qëndrim ndaj Kosovës.

“Deklarata e tij nuk përfaqëson politikën të Vjenës zyrtare, sepse ai edhe më herët ka bërë deklarata të tilla kundër shtetit tonë. Ne e dimë që Austria është një shtet mik i Kosovës dhe e ndjek qëndrimin e shteteve perëndimore që e përkrahin pavarësinë e Kosovës”, thotë për “Bota sot” deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajçi.

Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Osmani ka mendim të njëjtë me kolegun e tij nga Vetëvendosja,

Image
Naser Osmani

“Po kjo është deklaratë e përsëritur e tij, sepse Strache e ka përmendur edhe më herët se gjeja është bërë gabim që është njohur pavarësia nga shteti i Austrisë”, thotë Osmani për “Bota sot”, duke shtuar se ai është një kundërshtar i përbetuar i shqiptarëve të Kosovës.

“Pra, ai është një kundërshtar i përbetuar i Kosovës, sepse këtë e ka vërtetuar edhe më herët. Por, unë mendoj se deklarata e tij nuk paraqet politikën zyrtare shtetit të Austrisë, kur e dimë që ky shtet është një mik i vërtetë i Kosovës, i cili ka ndihmuar në momente kritike dhe vendimtare në çështjet e Kosovës dhe në njohjen e pavarësisë së saj”, shtoi Osmani.

Se Austria nuk ka ndryshuar qëndrim ndaj Kosovës, e ka thënë ditë më parë edhe ambasadori i Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler.

"S'ka ndryshim të qëndrimit austriak karshi Kosovës", ka shkruar ambasadori në Twitter.

"Austria është një ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën, dhe që atëherë është një prej mbështetëseve më të fuqishme të Republikës së Kosovës dhe të perspektivës së saj evropiane", ka shkruar më tej Pfandler.

Një deklaratë të njëjtë më ambasadorin austriakë e ka thënë edhe Hahn përkrah Pfandler, Austria nuk ka ndryshuar qëndrim ndaj Kosovës, komisioneri për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn.

Hahn e ka bërë këtë duke e shpërndarë komentin e ambasadorit austriak, Pfandler.

Serbia dëshiron t’i parandalojë njohjet e reja të pavarësisë së Kosovës

Deputeti i VV-së, Lajçi thotë se qëllim kryesor i mediumeve serbe është që të shpërndajë lajme të rreme për Kosovën në mënyrë që të ndikojë të disa shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë.

“Shqetësues unë këtu e shoh propagandën e Serbisë së bashku me mediat e këtij shtetit që në prag të pavarësisë së Kosovës, ato shkojnë e marrin në intervistë personat në perëndim, siç është zëvendës-kancelari austriak, duke e ditur paraprakisht se ai është kundër shtetit të Kosovës”, thotë Lajçi për “Bota sot”.

Ai shtoi, se përmes kësaj deklarate, Serbia ka për qëllim që ta zbeh argumentin e njohjes së pavarësisë së Kosovës tek ato shtete që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

Kurse, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Adlum Ramadani thotë se në këtë propagandë është futur edhe Rusia.

Image
Adlum Ramadani

“Propagandat diplomatike që vijnë në kuadër të politikës së jashtme të Serbisë, të sponsorizuara nga Rusia kanë vetëm një qëllim, parandalimin e njohjeve të reja për shtetin e Kosovës dhe kjo më së miri arrihet duke shfrytëzuar personalitete të shteteve aleate të Kosovës, prapa të cilëve qëndrojnë lobe të fuqishme, të cilat krijojnë në vetvete një lloj paqartësie në sistemin ndërkombëtarë në mënyrë që ato vende që ende janë në proces për ta njohur Kosovën të mos e bëjnë një gjë të tillë”, thotë Ramadani për “Bota sot”.

Sipas tij, kjo propagandë e Serbisë po ndiqet me vite.

“Politika e Jashtme e Serbisë këtë agjendë është duke e ndjekur që nga 17 Shkurti i 2008 pasiqë qëllimi i saj është ta dobësoj imazhin e Kosovës, ndërsa takimet në tryeza për dialog në të vërtetë i shfrytëzon t'i hap vetes rrugë të reja drejt ndërkombëtarizimit”, shtoi Ramadani.

Shkëmbimi i territoreve ide e Serbisë

Nga ana tjetër, publicisti Fadil Lepaja thotë se edhe ideja për shkëmbim të territoreve vjen nga Serbia, dhe sipas tij ndihmë për këtë ka dhënë propaganda e këtij shteti.

Sipas tij, Serbia përmes grupeve kriminale nga njëra anë dhe propagandës përmes mediumeve të veta po mundohet ta paraqes si të pamundur integrimin e veriut.

“Është e pritshme, që Serbia të provoj , që përmes propagandës së sforcuar, shtimit të aktiviteteve në teren, të krijoj probleme, për të dokumentuar se gjoja se nuk ka bashkëjetese të serbëve në Kosovë, dhe të argumentoj se ato duhet t’i bashkëngjiten Serbisë, bashkë me pjesë tjera”, thotë Lepaja për Bota sot”.

Ai thotë se në këtë drejtim plasohet ideja për ndarjen e Kosovës, në kohën kur nga ana e BE, Serbia është emëruar si e para në listën e vendeve që do të anëtarësohen në Unionin Evropian.

Image
Fadil Lepaja

 

“Ky vit edhe nga BE shihet si vendimtar për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe Serbia po përpiqet të imponoj projektin e saj, duk e shpallur Kosovën shtet jofunksional dhe të dështuar, duke u angazhuar me të gjitha mjetet që gjoja të përhapë idenë se edhe faktori ndërkombëtar është i gatshëm të pranoj diçka të tillë”, shtoi Lepaja.

Ndryshe, në miratimin e Strategjisë për Integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, Serbia mund të integrohet në këtë union deri në vitin 2025, nëse ajo i normalizon marrëdhëniet me Kosovën.

Aty, parashihet që të bëhet edhe shënjimi i kufirit në mes së dyja vendeve, çka nënkupton se Beogradi përfundimisht e pranon shtetin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat