Fajtori për vonesat e Kosovës në integrimin në BE

Politika

Fajtori për vonesat e Kosovës në integrimin në BE

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 19 shkurt 2018 Në ora: 10:16
Prishtinë

Së fundmi është prezantuar Strategjia e re e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, sipas të cilës vendeve të Ballkanit Perëndimor u ofrohet perspektivë e qartë integruese, por që BE-ja nuk do të importojë mosmarrëveshje brenda saj, kështu që vendet që mëtojnë integrimin, duhet t’i zgjidhin paraprakisht mosmarrëveshjet.

Kjo strategji është shpalosur nga Presidenti i Komisioni Evropian, Jean-Claude Juncker, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, dhe komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn.

“Populli i Ballkanit dhe liderët e këtyre vendeve e kanë bërë një zgjedhje të drejtë, që të jenë pjesë e Bashkimit Evropian. Ne, mund t’ju themi atyre se edhe ne e kemi bërë zgjedhjen e njëjtë, pra u japim perspektivën e qartë evropiane atyre”, ka deklaruar Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini.

Raporti

Strategjia e re, ka parashikuar afate kohore vetëm për Serbinë dhe Malin e Zi, sipas së cilës, këto dy vende mund të anëtarësohen në BE diku në vitin 2025. Përderisa vendet tjera si Shqipëria, Maqedonia, Bonjë e Hercegovina dhe Kosova janë përfshirë në Strategjinë e Zgjerimit, por pa ndonjë afat kohor për anëtarësim.

“Komisioni është i gatshëm të përgatisë rekomandime për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, në bazë të kushteve të plotësuara”, theksohet në Strategji.

“Me përpjekje dhe angazhim të vazhdueshëm, Bosnja dhe Hercegovina mund të bëhet kandidate për anëtarësim. Kurse, Kosova ka mundësi të bëjë përparim të qëndrueshëm me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe të avancojë në rrugën e saj evropiane, kur të lejojnë rrethanat objektive”, theksohet aty.

Vizion i padrejtë ndaj Kosovës

Image
Selim Daku

Lidhur me këtë strategji, drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci, Selim Daku, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kjo strategji paraqet vizionin e padrejtë sidomos ndaj Kosovës dhe sipas tij qëndrimi i BE-së nuk do të ndryshojë për Kosovën.

“Strategjia e Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor paraqet vizionin e padrejtë të Evropës ndaj shteteve të Ballkanit Perëndimor e veçanërisht ndaj shtetasve të Kosovës. Nga kjo strategji, ne shohim që mendimi i BE-së për Kosovën nuk do të ndryshojë edhe pse rrethanat kanë ndryshuar dhe mund të ndryshojnë”, është shprehur ai.

Sipas tij, kjo strategji tregon se mund të përcaktojë kritere të reja që zgjatin rrugën për anëtarësim.

“Kjo strategji vendeve të Ballkanit Perëndimor ju tregon qartë që rruga drejt anëtarësimit në BE nuk varet vetëm nga kushtet që ato mund të plotësojnë. Gatishmëria dhe gjendja në organizatë mund të përcaktojë edhe kritere të reja që mund të zgjatë rrugën deri në anëtarësim”, vlerëson Daku.

Premtimet e rrejshme të politikanëve

Drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci, flet për faktin që Kosova vazhdon të jetë vendi më i izoluar në Evropë, derisa thotë se politikanët kanë viza dhe udhëtojnë dhe në bazë të premtimeve të rreme për liberalizim kanë marrë dhe vota.

“Pamundësia fizike e lëvizjes pa viza të shtetasve të Kosovës ka izoluar edhe mendimin e tyre në raport me kastën politike. Qeveritë e Kosovës, kanë pasur dhe kanë mundësitë teknike dhe financiare për lëvizje nëpër botë, por nuk kanë lëvizur aspak nga mentaliteti primitiv politik në përmbushje të detyrimeve ndërkombëtare që do t’i lehtësonin lëvizjen qytetarëve të Kosovës. Ata, madje kanë fituar edhe votat politike në kuadër të premtimeve të rreme për liberalizim të vizave”, ka deklaruar Selim Daku.

Ai tregon edhe fajtorin kryesor që Kosova është vendi më i izoluar në Evropë, që janë partitë në pushtet.

“Pra, fajtori kryesor se pse Kosova mbetet vendi më i izoluar në Evropë, pos qasjes me standarde të dyfishta të Bashkimit Evropian janë partitë politike në pushtet, si pozita dhe opozita. Kosova nuk plotëson kushtet për anëtarësim në BE, por nuk kam dyshim që kushtet për lëvizje pa viza nuk i plotëson. Kosova duhet të ndërtojë institucione kredibile dhe të qëndrueshme për të arritur suksese në arenën ndërkombëtare. Një qeveri stabile, e cila përmes ekspertëve qartëson dhe implementon objektivat afatmesme në arenën ndërkombëtare, do t’i sillte sukses Kosovës në rrugën e saj integruese”, ka vlerësuar Daku për “Bota sot”.

Zogaj: Kosova po tallet me veten

Image
Skënder Zogaj

Në anën tjetër, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Skënder Zogaj ka thënë se vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë të qartë rrugën për në BE, por që Kosova po tallet me veten.

“Strategjia e Komisionit Evropian për Perspektivën e Besueshme të Ballkanit Perëndimor është duke ndjekur me kujdes zhvillimet në vendet e rajonit dhe duke kërkuar prej tyre që të përmbushin standardet e BE-s në mënyrë që ato të mund të bëhen pjesë e saj. Është interesant fakti se vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë të qartë se rruga e perspektivës së tyre është integrimi në BE. Më e zëshmja në këtë drejtim ka qenë dhe vazhdon të jetë Kosova, e cila është e vetëdijshme se, fati historik dhe ekzistencial është BE-ja. Sa i përket përcaktimit nuk ka asnjë luhatje, mirëpo, Kosova është duke u tallur me vetveten, sepse, fjalëve i ka "si Demushi, e punët si askushI!"”, është shprehur ai.

Sipas Zogajt, nuk është rastësi që Kosova po mbahet si vendi më i izoluar në Evropë, pasi nuk dëshiron t’i kryejë detyrat dhe nuk duhet të lejohet në BE si e tillë.

“Edhe 18 vjet pas luftës dhe 10 viteve në Pavarësi, është duke u sjellë si koloni e strukturave të organizuara të krimit dhe korrupsionit, vend as i lirë dhe as i pavarur, sepse asnjë segment shtetëror nuk funksionon. Prandaj Kosova, jo rastësisht po mbahet vendi më i izoluar i Evropës. Kjo sepse: Kosova po shihet qartë se nuk dëshiron të kryejë detyrat e veta elementare shtetërore, si vend i lirë e demokratik. Duke qenë kështu Kosova me arsye nuk duhet të lejohet të shkojë në Evropë. Duke qenë kështu, shtrohet pyetja: pse u dashka fajësuar 5 vendet anëtare të BE-së, që nuk po e njohin Kosovën, kur, Kosova nuk e njeh vetveten dhe po shkrryhet brenda krizës së thellë politike, ekonomike e morale”, ka vlerësuar Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat