Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekoruar një sërë personalitetesh me Medalje Presidenciale në 10-të Vjetorin e Pavarësisë së vendit.
Në mesin e shumë personaliteteve që ka dekoruar Thaçi, gjenden edhe shokët e tij të luftës si Xhavit Haliti, Azem Syla e Kadri Veseli.
Të dekoruar nga shtabi i përgjithshëm i UÇK-së ishin plotë 28 personalitete, ku disa prej tyre refuzuan këto medalje të Thaçit, e ndër ta ishte Rexhep Selimi, Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi etj.
Mirëpo në këtë listë nuk bënte pjesë deputeti i LDK-së, ish komandanti në luftën e Koshares, Anton Quni, i cili ishte njëri ndër figurat kryesore të UÇK-së.
I kontaktuar nga “Bota sot”, Quni thotë se nuk i ka mbet aspak “hatri” që nuk është pjesë e kësaj liste, dhe se duhet pyetur Thaçin për këtë gjë.
“Nuk më ka mbetur aspak hatri që nuk jam pjesë e kësaj liste dhe fakti që mungojë unë në këtë listë, duhet pyetur ai që i shpërndau këto medalje, dmth Thaçi”, tha Quni për “Bota sot”.