“Të rebeluarit”, vërtetohet ndarja e Vetëvendosjes!

Politika

“Të rebeluarit”, vërtetohet ndarja e Vetëvendosjes!

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 24 shkurt 2018 Në ora: 08:26
Lëvizja Vetëvendosje

Një pjesë të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje kishin bojkotuar seancën solemne për nder të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë. Por, kështu nuk kishin vepruar  edhe “të rebeluarit” e këtij subjekti. Visar Ymeri, Dardan Molliqaj, Dardan Sejdiu, Fisnik Ismaili dhe disa deputetë të tjerë veç pjesëmarrjes kishin nderuar edhe himnin e Kosovës, gjë që nuk kishte ndodhur më parë.

Për deputetin e Vetëvendosjes, sekretarin e përgjithshëm të kësaj partie, Ismail Kurteshi,  çështja e ardhjes në parlament është detyrë e deputetëve, qofshin të bashkuar ose të ndarë. Ndërsa, analistët politikë thonë se mosprezenca dhe nderimi i himnit, vërtetojnë  ndarjen faktike.

Sekretari Organizativ, deputeti Ismail Kurteshi, thotë se nuk e din arsyen e mospjesëmarrjes së të gjithë deputetëve në seancën solemne për Dhjetëvjetorin e Pavarësisë.

Image
Ismail Kurteshi

Kurteshi në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se të gjithë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë qenë të ftuar.

“Të gjithë kanë qenë të ftuar që të vijnë, ndonjëri prej tyre nëse ka shkuar jashtë Kosove ose ka pasur edhe të atillë që kanë pasur probleme me shëndet, por nuk e di arsyen e të tjerëve, mirëpo të gjithë kanë qenë të ftuar për të marrë pjesë”, tha Kurteshi.

I pyetur se është kjo shenjë se ndarja e subjektit më të madh opozitar, është e paevitueshme? Ai është shprehur se çështja e ardhjes në parlament është detyrë e deputetëve, qofshin të bashkuar ose të ndarë.

“Jo, kjo nuk ka lidhje me ato punë. Ju e dini që çështja e ardhjes në parlament është detyrë e deputetëve, qofshin të bashkuar ose të ndarë, andaj këtë çështje nuk e lidhi kështu”, ka përfunduar  deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi për “Bota sot”. 

Mazllum Baraliu: Në Lëvizjen Vetëvendosje ka ndarje

Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu në një prononcim për “Bota sot” tha se është evidente se në Lëvizjen Vetëvendosje ka ndarje dhe dallime.

Sipas tij, është për të ardhur keq që një parti politike e cila sapo e arriti maksimumin, të ndahet në këtë mënyrë.

Image
Mazllum Baraliu

“Nuk mund ta them paraprakisht, por që ka ndarje dhe që ka dallime edhe përqarje është evidente. Në Lëvizjen Vetëvendosje nuk ka unitet, as veprime, as ide dhe as koncepte. Është evidente dhe është për të ardhur keq që një parti politike e cila sapo arriti maksimumin e mundur në zgjedhjet e 11 qershorit, por nuk kalojë keq edhe në ato lokale thjesht të ndahet në këtë mënyrë dhe të dalin në sipërfaqe dallimet për gjëra që thjesht ndonjëherë janë edhe anti demokratike, sepse të pengosh dikë të kandidojë, t’i mohosh që paraprakisht që të mos jetë kandidat për një vend në parti është anti demokratike, bile është edhe anti logjike edhe irracionale, andaj sidoqoftë aty po shihet që ka ndarje dhe kjo është për të ardhur keq”, u shpreh Baraliu.

Baraliu thotë se do të duhej të reflektonin të dy palët, sepse sipas tij, janë në një fazë kur do ta dëmtonin shumë Lëvizjen Vetëvendosje.

“Të dy palët do të duhej të reflektonin, sepse janë në një fazë kur do ta dëmtonin shumë Lëvizjen Vetëvendosje dhe në zgjedhjet e ardhshme të cilat mund të ndodhin shumë shpejt ,ndoshta edhe gjatë këtij viti kështu të ndahet kjo parti ata nuk mund të bëjnë asnjë punë dhe asnjë hap përpara dhe i gjithë mundi i tyre për kaq vite, për një dekadë pothuajse, të dy palëve mund t’ju shkojë huq”, ka përfunduar profesori universitar, Mazllum Baraliu për “Bota sot”.

Politologu: Nderimi i himnit, vërteton ndarje faktike

Ndërsa, politologu Gurakuq Kuqi, duke folur për “Bota sot” vlerëson se që nga bërja e Visar Ymerit kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje janë lejuar të anëtarësohen dhe të avancohen fuqishëm shumë klane.

Por, siç thotë ai, të tillët me ndërtim dhe ideologji nga më të ndryshmet bartin egoizmin e tyre dhe jo atë për çka është krijuar Lëvizja Vetëvendosje.

“Që nga bërja e Visar  Ymerit kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, brenda partisë, jo për shkak të Ymerit, por të krerëve të VV-së, janë lejuar të anëtarësohen dhe të avancohen fuqishëm shumë klane e njerëz që VV-në e kanë përdorur dhe vazhdojnë ta përdorin për të mbetur në pushtet dhe politikë. Të tillët me ndërtim dhe ideologji nga më të ndryshmet bartin egoizmin e tyre dhe jo atë për çka është krijuar VV-ja dhe të tillët tani i gjejmë në të dy krahët”, tha Kuqi.

Por, a është nderimi i himnit në Kuvendin e Kosovës nga disa deputet të këtij subjekti,  shenjë kjo se ndarja e Vetëvendosjes është e paevitueshme dhe të dorëhequrit e VV-së a po i pranojnë edhe simbolet shtetërore?

Image
Gurakuq Kuqi

Politologu Kuqi, shpreh mendimin se pjesëmarrja e një grupi në seancën solemne dhe nderimi i himnit të Kosovës vërteton ndarje faktike.

“Pjesëmarrja e një grupi në seancën solemne dhe nderimi i himnit të Kosovës, paraqet Vetëvendosjen dhe fytyrën e vërtetë të individëve, dhe vërteton se ndarja është faktike, por që nuk është konkretizuar edhe zyrtarisht”, është shprehur Kuqi.

Kuqi theksoi se veprimet e të dyja palëve nuk i bëjnë mirë as partisë dhe as Kosovës, sipas tij, shteti i Kosovës duhet nderuar dhe punuar për ta bërë më të mirë dhe jo duke e anashkaluar.

“Veprimet e të dyja palëve nuk i bëjnë mirë as partisë dhe as Kosovës, sepse shteti i Kosovës duhet nderuar dhe punuar për ta bërë më të mirë dhe jo duke e anashkaluar, sepse qasja diskriminuese institucionale vetëm se forcon “republikanët” dhe i lejon ata të shfrytëzojnë këto elemente për mbrojtjen e pushtetit dhe shantazhimin e ndërkombëtarëve se vetëm me ta mund ta mbajnë Kosovën sipas planit të Ahtisaarit dhe me të tjerët do të shkatërrohet. E për më keq, një pjesë nga grupi i të dorëhequrve mund të bëhet edhe pjesë e përdorshme për pushtetin e tanishëm dhe partitë tjera politike”, ka përfunduar  politologu, Gurakuq Kuqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat