Gjyqtarët dhe prokurorët vendorë, të “pafuqishëm” përballë Azem Sylës

Politika

Gjyqtarët dhe prokurorët vendorë, të “pafuqishëm” përballë Azem Sylës

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 25 shkurt 2018 Në ora: 09:25
Azem Syla

Tashmë është vendosur që Gjyqtarët vendas ta gjykojnë Azem Sylën dhe të tjerët në Rastin Toka. Në gjykimin e Azem Sylës dhe të tjerëve në Rastin “Toka’, kryetari i trupit gjykues Petko Petkov tregoi se ky rast do të gjykohet nga gjyqtarët vendas.

Më anën tjetër, Prokurori Danilo Cecarreli fuqishëm po e kundërshton këtë transferim.

“Transferimi i këtij rasti tek vendorët domethënë që është përfundim i rastit dhe të gjithë e dimë se pse”, tha Cecarelli. Ai e cilësoi turp për EULEX-in këtë transferim.

Dyshimet te EULEX-i

Në lidhje, më këtë avokati Tomë Gashi,  ka thënë se sa i përket rastit Azem Syles dhe të tjerëve rasti i quajtur “Toka”, gjyqtaret dhe prokuroret vendor janë në gjendje që merren me këtë çështje dhe se nuk ka asnjë pengesë dhe asnjë problem që kjo lëndë të kaloj tek institucionet vendore gjyqësore.

Image
Tomë Gashi

“Fundi i fundit nga aferat e bëra publike kohët e fundit është vërtetuar se misioni i EULEX-it ka qenë nën ndikim të politikanëve vendorë dhe ndërkombëtar. Sa që shumë zyrtarë të lartë të EULEX-it e kanë akuzuar këtë mision si mision në shërbim të politikës. Këtë e ka thënë i fundit dhe haptas edhe ish kryetari i gjyqtareve të EULEX-it, Malkolm Simons, i cili ka folur për afera korruptive brenda EULEX-it” ka thënë Gashi për “Bota sot”.

Ai ka thënë se nuk beson se gjyqtarët dhe prokurorët vendor, mund të kenë presion më tepër se në çdo rast të profilit të lartë.

“Të gjithë e dimë se politika ndikon haptas në raste të caktuara gjyqësore, dhe ky rast nuk do të jetë një përjashtim. Unë besoj se vetëm emri i Azem Sylës e ka dërgua rastin tek prokurorët dhe gjyqtaret e EULEX-it, përndryshe sa i përket të tjerëve të përfshirë në ketë rast që nga fillimi ka mundur pa asnjë problem me rastin të merren prokuroret dhe gjyqtarët vendorë” ka përfunduar avokati Tomë Gashi.

Miftaraj: EULEX-i dështoi

Kurse, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se Misioni i EULEX-it  ka dështuar që ketë rast ta trajtoj brenda afateve kohore të përcaktuara me Kodin e procedurës penale.

Image
Ehat Miftaraj

“Rasti i Azem Syles përafërsisht tre vite është duke u trajtuar nga EULEX-i,  i njëjti mision ka dështuar që ketë rast ta trajtoj brenda afateve kohore të përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale.  IKD qoftë përmes raporteve të publikuara por edhe përmes emisioneve ka ofruar dëshmi lidhur me politizimin e sistemit prokurorial dhe gjyqësor.  Andaj edhe pritjet e qytetarëve për të pasur një proces të paanshëm dhe pavarur lidhur me ketë rast janë shume te vogla” ka thënë Ehat Miftaraj nga IKD.

Mehmeti: Transferimi i rastit të Azem Syles tek vendoret nënkupton lirimin e Sylës

Image
Faton Mehmeti

Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti ka thënë se transferimi i rastit të Azem Syles tek vendoret nënkupton, lirimin e Sylës nga akuzat për grabitje tokave. Nuk ka gjykatë në Kosovë që ka guximin për të dënuar një matrapaz si Azem Syla, i cili pas vetës ka udhëheqësit e shtetit.

“Syla si pjesë e klanit " Pronto" ku bëjnë pjesë edhe Veseli dhe Thaçi, nuk lihet i vetëm në këtë rast pasi prokuroret dhe gjykatësit janë të emëruar nga vetë Syla, respektivisht klani " Pronto". Kjo ka mundur të jetë pjesë e ndonjë pazari më EULEX-in, pasi nga afera "Toka" mund të dalin edhe emra të tjerë të politikës. Transferimi i  kësaj afere ka të bëjë me aferë korruptive. Besoj se shumë shpejt do të mbyllet kjo aferë nga gjykatës vendorë, pasi askush nuk ka guxim të dënoj Sylen, pjesë e klaneve mafioze. Këtu drejtësia ka vdekur që moti, Syla mund të jetë pjesë e gjykatës speciale ndërsa për rastin " Toka" do të shpallet i pafajshëm nga prokuroret që i ka emëruar vetë”, ka thënë Mehmeti.

Hetimet

Ndryshe, Azem Syla dhe 21 persona të tjerë akuzohen për krim të organizuar në lidhje me tjetërsimin e tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.

Prokuroria Speciale më 25 tetor të vitit 2016 ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave, njofton Kallxo.com.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat