“Tradhti ndaj vendit”, Vetëvendosje: Thaçi ishte në dijeni që po i falë tokë Malit të Zi

Politika

“Tradhti ndaj vendit”, Vetëvendosje: Thaçi ishte në dijeni që po i falë tokë Malit të Zi

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 1 mars 2018 Në ora: 07:27
Foto ilustrim "Bota sot"

Lëvizja Vetëvendosje, ka ngritur padi kundër Presidentit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi për tradhti ndaj vendit, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes se demarkacionit me Malin e Zi.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka treguar se ka dërguar në Prokurorinë Speciale kallëzim penal ndaj Presidentit Hashim Thaçi, që sipas saj, VV-ja e konsideron tradhti ndaj vendit nënshkrimin i Marrëveshjes së Demarkacionit. Për të ndaluar votimin e marrëveshjes, VV-ja do të përdor të gjitha veprimet e më hershme.

Image
Albulena Haxhiu

“Kallëzimin  penal ndaj Hashim Thaçit, për shkak të veprës penale. Tradhtia ndaj vendit. Unë e kam para vetes nenin 124 paragrafi 2 të kodit penal të Kosovës “Tradhtia ndaj vendit, pra është neni 124 i kodit penal të Kosovës, paragrafi 2, kushdo që në cilësinë e shtetit nënshkruan marrëveshje ndërkombëtare ose ndonjë akt me të cilën pjesë të territorit të Republikën e Kosovës , jepen ose lihen në sovranitetin e ndonjë shteti tjetër, dënohet së paku 15 vjet ose me burgim të përjetshëm’. Ky është neni i paraparë në kodin penal , për ata të cilët në cilësinë e presidentit, nënshkruajnë ndonjë marrëveshje apo ndonjë akt tjetër, të cilën ka për qëllim faljen e territorit siç edhe ka bërë Hashim Thaçi“, tha Haxhiu.

Haxhiu: Prokuroria të nisë hetimet

Ajo po ashtu, ai ka thënë se me nënshkrimin e marrëveshjes nga ana e presidentit, janë mundësuar kushtet ligjore për padi ndaj tij.

“Në atë kohë nuk kemi pasur mundësi që të bëjmë kallëzimin penal. Pikërisht për shkak se Kodi Penal I Kosovës e paralizon vetëm kur e nënshkruan në cilësinë e presidentit të Kosovës. Deklarata e para disa ditëve e nënshkruar nga Hashim Thaçi, bashkë me presidentin e Malit të Zi, dëshmon me vetëdije, Hashim Thaçi, ndonëse ka qenë në dijeni që me atë nënshkrim dhe me atë marrëveshje po falë pra që Kulla,  Çakori edhe Bjelluha kanë mbetur sipas marrëveshjes paraprake nën territorin e Malit të Zi atëherë ka bërë shkelje të rendë tradhti ndaj vendit“, tha Haxhiu.

VV-ja sipas saj, pret nga Prokuroria Speciale që të nisë hetimet, lidhur me këtë shkelje të kodit, ndaj të dyshuarit Hashim Thaçi. Ajo tha, se në mungesë të veprimeve të prokurorisë kanë qenë të detyruar të deponojnë vet këtë kallëzim penal. Ajo ka thënë se do ta kundërshtojnë fuqishëm votimin e marrëveshjes.

Image
Faton Abdullahu

Abdullahu: Qeveritarët të dorëhiqen

Njohësi i çështjeve politike Faton Abdullahu, ka deklaruar për “Bota sot” se demarkacioni ka demaskuar më së miri “demon-kratët” e Kosovës, dhe “demon-kracinë’.

 “Demarkacioni ka treguar se deri ku mund të shkoj terapia për pushtet. Ajo nuk është ndalur edhe kur është ngritur kundër parimeve morale-politike edhe etike-njerëzore. Ajo nuk është ndalur edhe kur është rrezikuar interesi nacional i Kosovës edhe kur është rrezikuar prishja e raporteve me SHBA-t.  Ajo është ndalur vetëm kur grykësia e çmendur është shuar me marrjen e pushtetit. Këta demon-kratë po udhëheqin me Kosovën sot. Gënjeshtrat, sajesat, mashtrimet janë baza mbi të cilën është ngritur kjo Qeveri dhe ajo mund të vazhdoj të qeverisë vetëm si e tillë. Nëse nga po të njëjtit votohet demarkacioni, varianti ku sipas tyre më herët është konsideruar se Kosova po humbka tokë, atëherë gjëja më normale është dorëheqja. Ky është parakusht që këta qeveritar të mbesin me pak fytyrë. Por dorëheqja është kategori morale, të cilën kjo Qeveri e ka të amputuar që ditën kur ka marrë timonin e qeverisjes. Prandaj të kërkohet dorëheqja e kësaj Qeverie është jo pragmatike. Ajo duhet të shtrëngohet të dorëhiqet. Sa më shpejt aq më mirë” ka thënë Faton Abdullahu.

Image
Dashnim Ismajli

Ismajli: Padija është e arsyeshme

Ndërkaq, Dashnim Ismajli, profesor i shkencave politike ka thënë se demarkacioni do të kalojë pavarësisht se LVV-së është deklaruar kundër dhe Lista Serbe, nuk është deklaruar fare lidhur me këtë çështje.

“Sipas rrethanave të krijuara që dalin nga marrëveshja e re ndërmjet Presidentit Thaçi dhe Presidentit të Malit të Zi Vujanoviq nuk mendoj se do ketë të papritura, meqë tashmë kemi një unifikim të spektrit politik për të avancuar proceset, që janë edhe obligime ndërkombëtare. Mendoj, se Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk i ka mbetur tjetër pos të miratoi marrvëshjen e demarkacionit, andaj kjo marrëveshje paska qenë dashur të miratohet edhe më herët, përderisa e njëjta gjë do miratohet edhe tash, pasi me këtë marrëveshje nuk kemi ndryshime të vijës kufitare, është e njëjta gjë që do miratohet, vetëm unë mendoj se politika duhet të marr përgjegjësin për zvarritjen e gjithë këtij procesi, rritjen/shtuarjen e kritereve për të marr liberalizimin e vizave (luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar) nga Unioni Evropian dhe lënien në izolim Kosovës për vite me radhë, duke bllokuar proceset dhe perspektiven integruese të Shtetit” ka thënë Ismajli.

Sipas tij, Padia e VV-së kundër Presidentit Thaçi është e arsyeshme, për shkakun se Presidenti Thaçi nuk ka qenë transparent me qytetarët, duke bërë marrëveshjen me Presidentin e Malit të Zi vetëm në bazë të bindjeve të tija.

“Megjithatë unë dyshoj tashmë duke njohur Presidentin Thaçi, si Individ që edhe nëse gjerat janë të gabueshme apo rrjedhin keq, qëllimi i tij prioritar si në të kaluarën po ashtu edhe sot ka qenë mbrojtja e qëndrimeve të tija dhe vënien e interesit të ngushtë para atij të përgjithshëm. Krejt këto rrethana aspak në favor të Kosovës janë produkt i këtij Presidenti që i është imponuar Kosovës, që në vazhdimësi jep rezultate të dëmshme Kosovës duke ndjekur një politik të papërgjegjshme bazuar në klientelizëm dhe favore, të cilat s'do mend se kanë stagnuar proceset dhe bllokuar perspektiven e shtetit të Kosovës”, është shprehur Ismajli.

Demarkacioni nuk kalon pa pazare politike

Profesor i Smajli, shfaqet i rezervuar në atë se Demarkacioni, do të kalojë pa favore politike ndaj grupacioneve tjera, siç është bërë traditë tashmë në politike bërjen kosovare.

“Lista Serbe po e shfrytëzon mjaft mirë situatën e krijuar në favor të saj, andaj më shumë ky mos reagim mund të konsiderohet politikisht presion ndaj qeverisë për të marr me prioritet të lartë asociacionin e komunave serbe dhe propozimet të tjera të pakicës serbe në raport me shumicën shqiptare” ka thënë për “Bota sot” Dashnim Ismajli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat