Dështimi i “Gjarprit”!

Politika

Dështimi i “Gjarprit”!

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 1 mars 2018 Në ora: 13:53
Hashim Thaçi

Mes hedhjes së gazit e molotovit, e në të njëjtën kohë edhe përleshjeve të vazhdueshme të deputetëve të opozitës dhe sigurimit të Kuvendit, dy vite më parë, ish-kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, i njohur gjatë luftës me nofkën “Gjarpri”, u zgjodh president i Kosovës.

Zgjedhja e tij si president i vendit u përcjellë me tensione të larta politike, të tilla sa që historia e Kosovës nuk ka njohur më parë.

Por, cila janë nismat e tij gjatë këtyre dy viteve si president i vendit, a ishte president unifikues?

Derisa deputeti i pozitës thotë se presidenti më shumë po i kontribuon dështimit dhe mos funksionalitetit të shtetit, nga LDK-ja thonë se Thaçi do të hyjë në analet e historisë, si më i dështuari.

Image
Enver Hoti

Hoti: Thaçi po i kontribuon dështimit, dhe mos funksionalitetit të shtetit

Deputeti i Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Enver Hoti, në një prononcim për “Bota sot” ka vlerësuar punën dy vjeçare të presidentit Thaçi.

Hoti thotë se, ashtu edhe siç ka ardhur, nëpërmjet përçarjeve të mëdha, ashtu ka vazhduar puna e të parit të vendit.

“Ashtu edhe siç ka ardhur nëpërmjet përçarjeve të mëdha, ashtu edhe ka vazhduar. Në vend që të unifikojë vendin, ai nuk ka arritur të kryej këtë detyrë.  Më tepër shqetësuese është se presidenti i vendit, ka treguar me veprimet dhe aktivitetet të cilat e qojnë vendin në mos transparencë, në futjen dhe vazhdimin e bisedimeve me Serbinë, qofte si kryeministër, duke vazhduar kështu edhe nga pozita e presidentit të vendit”, tha Hoti.

Deputeti i Nismës e vlerëson si të rrezikshme punën e presidentit të vendit. Sipas Hotit, kjo po i kontribuon dështimit dhe mos funksionalitetit të shtetit.

“E vlerësojë jashtëzakonisht të rrezikshme, e cila po i kontribuon dështimit dhe mos funksionalitetit të shtetit, si në aspektin e unifikimit të faktorëve politikë e qytetarë, por edhe në aspektet e dëmshme në nivel me funksionalitetin dhe subjektivitetin e sundimit të ligjit”, ka përfunduar deputeti i Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Enver Hoti për “Bota sot”.

Image
Bajram Gecaj

Gecaj: Asnjëherë unifikues

Në anën tjetër, edhe zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj ka komentuar performancën e ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi.

Gecaj konsideron se presidenti tanishëm i Kosovës do të hyjë në analet e historisë, si më i dështuari.

“Presidenti Thaçi do të hyjë në analët e historisë sonë, si presidenti më i dështuar. Nuk ka arritur të përfaqësojë asnjëherë personin unifikues, sepse ende ka mbet nën lëkurën e “gjarprit” të PDK-së”, tha Gecaj.

Sipas tij, edhe pse gjarpri (nofka e Hashim Thaçit gjatë luftës së fundit) ndërron lëkurë, duket se ky të jetë nga lloji i tyre i veçantë.

“Edhe pse gjarpri ndërron lëkurë, duket se ky të jetë nga lloji i tyre i veçantë; i atyre që nuk mund të dalin nga lëkura e tyre”, tha zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj për "Bota sot".

Image
Fadil Lepaja

Lepaja: Me lojën e suksesshme të futjes së grindjeve dhe përçarjeve ai vazhdon të mbetet në skenën politike

Analisti politik, Fadil Lepaja në një prononcim për “Bota sot” ka komentuar punën dy vjeçare të presidentit Hashim Thaçi.

Lepaja thotë se është e sigurt se Thaçi, asnjëherë dhe as tani si president, nuk ka qenë unifikues rreth qëllimeve shtetërore dhe qytetare.

“Ajo që është e sigurt është se Thaçi, asnjëherë dhe as tani si president, nuk ka qenë unifikues rreth qëllimeve shtetërore dhe qytetare, por ishte dhe mbeti një personalitet që ngritët mbi përçarjen dhe konfliktin, shumë nga të cilat i ka ideuar dhe menaxhuar vet”, tha Lepaja.

Ai thotë se përveç se nuk ka bërë diçka të veçantë në planin e dialogut, Thaçi ka penguar edhe iniciativa apo personalitete të tjera të merren dhe kontribuojnë në këtë drejtim

“Kur jemi te vlerësimi i punës së tij, mund të thuhet se ka krijuar mjaft lajme, sepse aktiviteti i tij i vërtetë është zhvilluar në media dhe atë, kohëve të fundit, kryesisht, në rrjetet sociale. Jo vetëm se nuk ka bërë diçka të veçantë në planin e dialogut, por ka penguar edhe iniciativa apo personalitete të tjera të merren dhe kontribuojnë në këtë drejtim”, tha ai.

Sipas tij, me lojën e suksesshme të futjes së grindjeve dhe përçarjeve te kundërshtarët e tij personal dhe konkurrentët, ai vazhdon të mbetet në skenën politike.

“Sido që të jetë, me lojën e suksesshme të futjes së grindjeve dhe përçarjeve te kundërshtarët e tij personal dhe konkurrentët, ai vazhdon të mbetet në skenën politike si një personalitet i cili e di gjithnjë çfarë do vet, e kjo është fuqia ekonomike dhe politike e tij dhe e klanit”, ka përfunduar njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja për “Bota sot”.

Kujtojmë se ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, u zgjodh president i Kosovës, më 26 shkurt të vitit 2016.

Thaçi fitoi me 71 vota në raundin e tretë, pasi në dy raundet e para nuk arriti të sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve. Zgjedhja e tij u kundërshtua ashpër nga partitë opozitare (VV, AAK dhe NISMA) të cilat dy herë radhazi ndërprenë seancën duke hedhur gaz lotsjellës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat