Koalicioni tregon a do të votohet Demarkacioni javën e ardhshme

Politika

Koalicioni tregon a do të votohet Demarkacioni javën e ardhshme

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 4 mars 2018 Në ora: 10:44
Kuvendi i Kosovës

Çështja e Demarkacionit me Malin e Zi ka mbetur të shqyrtohet gjatë javës së ardhshme në Kuvend, ku pritet që koalicioni i pozitës të sigurojë numrat e nevojshëm. Në seancën e fundit, zyrtarë nga ky koalicion, kanë konfirmuar se iu mungojnë vetëm dy vota dhe se ato do të gjenden shumë shpejtë.

Megjithatë, të kontaktuar nga gazeta “Bota sot” deputetë të tri partive politike, LDK, PDK e AAK kanë treguar se ende nuk knë siguruar numrat e nevojshëm, por se po punohet në drejtimin e gjetjes së zgjidhjes, derisa i kanë bërë thirrje gjithë deputetëve që të përkrahin çështjen e Demarakcionit.

AAK: Po punojmë që të kryhet Demarkacioni

Image
Muharrem Nitaj

Kështu deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, ka thënë për “Bota sot” se po punojnë që të përfundojnë çështja e Demarkacionit, ndërsa sa i përket numrave, ka thënë se nuk e di.

“Seanca është mesjavën tjetër dhe po punojnë që të kryhet kjo punë. Për numra sa e si, nuk di”, ka theksuar Nitaj.

Kajtazi konfirmon: Numrat e LDK janë aty ku kanë qenë

Nga ana tjetër, deputetja nga opozita, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lirije Kajtazi sa i përket votave për Demarkacionin, ka thënë se ato të LDK-së mbesin aty ku kanë qenë.

Image
Lirije Kajtazi

“Numrat e LDK janë aty ku kanë qenë”, ka theksuar ajo.

E pyetur nëse koalicioni i pozitës i kanë siguruar votat e nevojshme, ajo ka thënë se i mbetet atyre që të vrapojnë pas numrave.

“I takon koalicionit qeverisës të vrapojë pas numrave. Por, u bëj thirrje secilit deputet shqiptar ta mendojë mirë shënimin e kufirit Kosovë-Mali Zi e jo t’i lusim ata që nuk e njohin atë kufi dhe pretendojnë për një kufi tjetër Serbi-Mali Zi”, ka theksuar deputetja Kajtazi për “Bota sot”.

Në Kuvend është vënë në votim marrëveshja e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, duke u hedhur kështu poshtë të gjeturat e Shpetim Bulliqit, të cilin kryeministri Ramush Haradinaj e kishte emëruar si kryetar të komisionit për Demarkimin e kufirit me Malin e Zi.

PDK: T’i tejkalojmë dallimet partiake

Image
Ganimete Musliu

Ndërkaq, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka thënë se qëndron prapa asaj që është thënë në konferencën për media e thirrur nga PDK-ja, menjëherë pas dështimit të demarkacionit në Kuvend.

“S’ka ndryshuar asgjë nga e enjtja, kështu që s’kam çka të shtoj asnjë presje më shumë se ajo çka u tha në konferencë”, ka thënë deputetja Musliu.

Ndryshe, në konferencën e thirrur për media nga PDK-ja, nënkryetari i kësaj partie, Enver Hoxhaj ka thënë se për tre vite rresht kanë dëgjuar për argumentet e dyja palëve, për faktet, perceptimet e opinionet për marrëveshjen, andaj sipas tij “nuk ka më nevojë Kosova t’i dëgjojë narracionet që i kemi dëgjuar 3 vitet e fundit”.

“Kemi diskutuar gjatë për atë çka ka ndodhë dhe për atë se çfarë s’ka ndodhur. Ne jemi të shqetësuar që s’ka pasur vullnet të plotë politik të partive shqiptare, për të mbushur një nevojë bazike të qytetarëve, për lëvizjes në vendet e bashkimit europian”, ka thënë Hoxhaj.

Ai pret që javën e ardhshme çështja e Demarkacionit të përfundojë duke u votuar marrëveshja në Kuvendin e Kosovës.

“Bashkimi Europian këto 2-3 vitet e fundit nuk ka treguar vullnet politik me mbështet edhe aq shumë Kosovën, prandaj ne e ftojmë çdo subjekt politik të jetë racional, që t’i tejkalojmë dallimet, të jemi unikë dhe që javën e ardhshme ta përmbyllim këtë temë me një votë të qartë në Kuvendin e Kosovës. Situata në Kuvend është e papranueshme dhe ne nuk duam që të përsëritet”,  ka deklaruar Hoxhaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat