Përjashtimi nga EQAR, këto janë pasojat për Kosovën - Bota Sot
Përjashtimi nga EQAR, këto janë pasojat për Kosovën

Politika

E martë, 25 shtator 2018

Përjashtimi nga EQAR, këto janë pasojat për Kosovën

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 5 mars 2018 Në ora: 16:35
Shyqyri Bytyqi

Shkarkimi i bordit të Agjencisë Kosovare të Akreditimit, që kishte bërë kryeministri Ramush Haradinaj menjëherë pasi kishte formuar qeverinë e tij, ka lënë pasoja për Kosovën në rrafshin ndërkombëtar.

Në mungesë të bordit, vendi është përjashtuar nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë të Arsimit të Lartë (EQAR). Kryeministri Haradinaj në shtator të vitit të kaluar kishte kërkuar nga ministri i Arsimit shkarkimin e bordit të AAK-së pasi kishte konsideruar se procesi i akreditimit është përcjellë me jo profesionalizëm dhe shkelje.

Po ashtu në një dokument të EQAR bëhet e ditur se Agjencia Kosovare e Akredimit është përjashtuar nga ky regjistër. Sqarimi i hollësishëm i dhënë nga Komiteti i Regjistrit tregon se kanë pasur komunikim të rregullt me ministrin e Arsimit Shyqyri Bytyqi, nga i cili janë kërkuar arsyet e shkarkimit të Bordit.

Në letrat e shkëmbyera mes ministrit Kosovar dhe EQAR, Bytyqi u ka treguar atyre se shkarkimi është bërë me kërkesën e kryeministrit, pasi ka konsideruar se Bordi dhe drejtori i AKA-së.

Ministri Bytyqi, sipas EQAR, nuk u ka dhënë informata të hollësishme dhe arsyetimi i shkarkimit të këtij bordit “për parregullsi” nuk është si i qëndrueshëm. Si i tillë, EQAR ka konsideruar se Agjencia Kosovare e Akreditimit nuk funksionon më e pavarur, kësisoj nuk i përmbush standardet evropiane të agjencive të akreditimit. Dhe pikërisht si rezultat i kësaj, AKA përjashtohet nga një union i rëndësishëm i Sigurimit të Cilësisë së Arsimit të Lartë.

Mesazhi që përcillet

Image
Dukagjini Pupovci

Dukagjini Pupovci Drejtor Ekzekutiv në Qendrën për Arsim në Kosovë, ka thënë se regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) është institucion prestigjioz, të cilit i referohen të gjitha vendet evropiane, prandaj është shumë keq për imazhin e arsimit të lartë në Kosovë që Agjencia e vetme e akreditimit nga Kosova të përjashtohet nga ky mekanizëm.

Sipas tij, ky vendim përcjell mesazhin se në Kosovë nuk ka kontroll të besueshëm të cilësisë në arsimin e lartë, pasi institucioni që duhet ta kontrollojë cilësinë, nuk gëzon autonomi dhe është i ndikuar nga interesat e politikës ditore.

“Kjo mund të shkaktojë vështirësi të konsiderueshme për qytetarët e Kosovës që kërkojnë t’u njihen diplomat në ndonjë shtet evropian, qoftë për shkak të punësimit ose vazhdimit të studimeve. Kështu, kufizimit ekzistues të lëvizjes së lirë i shtohet edhe një kufizim i ri, krejtësisht i panevojshëm. Po shihet se dëmi që është shkaktuar me ndërhyrjen politike në Agjencinë e Akreditimit, pavarësisht motivit, është i konsiderueshëm dhe vështirë i riparueshëm. Sidoqoftë, mendoj se Agjencia tani duhet të jetë edhe më vigjilente se që ka qenë më herët për të dëshmuar përkushtimin e vet për përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë. Pasi është në proces ndryshimi i ligjit të arsimit të lartë, mbase duhet të vendosen mekanizma ligjorë që ndërhyrjet e tilla të mos jenë të mundshme në të ardhmen”, është shprehur Pupovci.

Rexha paralajmëron pasoja

Image
Blerim Rexha

Ish-kryetari i Bordit të Kaluar të Agjencisë për Akreditim, profesor Blerim Rexha, ka thënë se pas këtij vendimi Kosova do të ketë një varg pasojash, duke filluar nga humbja e besueshmërisë së programeve të studimeve për të siguruar cilësinë e kërkuara nga tregu i punës, e deri tek prishja e sistemit të arsimit të lartë.

Sipas tij, pas vendimit të Haradinajt, Agjencia nuk ka qenë më e aftë të jetë autonome dhe të marrë përgjegjësi për veprimet e veta.

“Arsyet e përjashtimit i ka sqaruar shumë mirë Këshilli i Regjistrit të EQAR, në Pikën 5, të vendimit 4 faqesh të datës 27 shkurt 2018, “si pasoj shkarkimit të të gjithë anëtarëve të Bordit të AKA, Agjencia më nuk është e aftë të jetë autonome dhe marrë përgjegjësitë për veprimet e veta, ashtu si kërkohet me standarde dhe udhëzues për sigurimin e cilësisë të BE-së”, ka thënë profesor Rexha.

Largim nga Evropa

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa opionisti Nexhat Haziri ka thënë se përjashtimi i Agjencisë të Akreditimit të Kosovës nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë të Arsimit të Lartë, do të thotë largim nga Evropa dhe përmbushjes së standardeve dhe kritereve për të ngritur nivelin e cilësisë të arsimit në Kosovë.

Sipas tij, ky veprim nga RESCA-së vije si një përgjigje apo ndëshkim meritor ndaj një veprimi të papërgjegjshëm të një kryeministri po aq të papërgjegjshëm kur shkarkoi me vendim politik personal bordin e Agjensionit të Akreditimit dhe emërimin e anëtarëve të rinj politik e partiak në këtë institucion.

“ Tani kur kemi një situatë të tillë përgjegjësinë duhet ta merr kryeministri Haradinaj pasi vendimi ishte i tij, duke kërkuar falje dhe ti kërkoj ministrisë së Arsimit, që në bashkëpunim me institucionet e larta arsimore, por edhe me ndonjë asociacion ndërkombëtar që merret me cilësi dhe akreditim në fushën e arsimit, që të bëjnë përzgjedhjen e re të anëtarëve të bordit për Agresionin Kosovar të Akreditimit. Natyrisht se kësaj duhet prij paraprakisht shkarkimi i bordit të emëruar kohë më parë nga Haradinaj”, ka thënë Haziri.

“Bordi është dashur të shkarkohet”

Image
Faik Krasniqi

Politologu Faik Krasniqi ka thënë se Bordi i mëhershëm i Agjencisë së Akreditimit e ka merituar dhe është dashur të shkarkohet.

Ai ka thënë se mënyra e shkarkimit ka qenë e gabuar, por ky bord ka bërë dëme të mëdha në arsim, në njërën anë duke mbyllur programe të vlefshme në Universitete Publike, dhe në anën tjetër për shkak të interesave të grupeve të interesit duke hapur programe në Universitete private, sidomos në ato të ashtuquajtura fantome.

“Falë këtij bordi niveli i cilësisë në arsim ka qenë tmerrësisht i ulët. Mund të ketë pasoja nga përjashtimi, por duhet të ndalet kjo katrahurë në arsimin e lartë. Si mund të ndalet kjo katrahurë në arsimin e lartë dhe në arsimin në përgjithësi, duhet të mbyllet i gjithë sistemi arsimor dhe të fillohet nga e para. Përndryshe, Kosova do të vazhdojë të mbetet fabrikë gjigante për prodhimin e analfabetëve me diploma”, ka thënë politologu Krasniqi.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test